Komisioni për Buxhet ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2026, duke përfshirë në të edhe buxhetet e miratuara të Komunës së Prishtinës dhe asaj të Shtimes. Në këtë mbledhje nuk kaluan rreth 80 amendamente të opozitës
Komisioni për Buxhet ka aprovuar kërkesën që buxheti i miratuar i Komunës së Prishtinës dhe ai i Shtimes të përfshihen në Projektbuxhetin për vitin 2026, i cili të premten pritet që të shqyrtohet në lexim të dytë në Kuvend.
Për këtë janë pajtuar të gjithë anëtarët në mbledhjen e Komisionit, në të cilin janë shqyrtuar 80 amendamente të deputetëve opozitarë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Rekomandimi i Ministrisë është që të përfshihen si pjesë e tabelave të ligjit për ndarje buxhetore, meqenëse ditën e djeshme e kam marrë buxhetin nga Komuna e Prishtinës. Për dallim prej asaj që thuhej nga kryetari i Prishtinës se e ka dërguar buxhetin, tek dje e proceduat janë përmbyllur”, ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.
Në Projektligj nuk është përfshirë edhe buxheti i Zubin-Potokut, pasi që kjo komunë nuk ka arritur t’i kompletojë procedurat pasuese.
Deputetja e Listës serbe, Verica Ceremiq, e ka akuzuar Qeverinë, duke thënë se i ka lënë anash komunat me shumicë serbe. Por, këtë pretendim e ka mohuar ministri Murati.
Komisioni nuk e ka miratuar as kërkesën e Kuvendit për buxhet shtesë mbi 361 mijë euro për programin e deputetëve. Kërkesën e ka arsyetuar para anëtarëve të Komisionit, sekretari i Kuvendit, Arben Loshi.
“Kemi dy legjislatura aktive, legjislaturën e 8 dhe 9, ku kemi deputetë të cilët në pajtim me ligjin janë duke marrë pagë kalimtare. Dhe kemi një mungesë në këtë kategori të pagave për vitin fiskal 2026 dhe në mënyrë që të mbulojmë të gjitha pagat e deputetëve aktualë, të legjislaturës së 10 dhe deri më 22 mars të legjislaturës së 8”, ka thënë ai.
E amendamentet e opozitës që në buxhetin afro 4-miliardësh të përfshihet projekti për unazën e jashtme të Prishtinës, kanë nxitur debat mes ligjvënësve.
“Kryetari i Prishtinës nuk e ka paraqitur fare këtë projekt”, ka thënë Ilir Kërçeli, i cili është deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Në këtë qëndrim, Kërçelit i ka replikuar deputeti i Partisë Demokratike (PDK), Eman Rrahmani.
“Edhe ti, edhe unë përfaqësojmë votues, dhe qytetarë të Prishtinës që na kanë votuar. Ndihmesa dhe angazhimi nuk duhet të jetë peng i propozimit”, ka thënë ai.
Në këtë debat është përfshirë edhe Valon Hoti, deputet tjetër i LVV-së.
“E ka thënë edhe kryeministri që kemi me përfshi dhe të mos shtiremi këtu sikur nuk e kuptojmë situatën. Jemi duke trajtuar një buxhet i cili na mundëson që të kalojmë nga situata ku kemi ardhur nga 1 vit vakum institucional”, ka thënë Hoti.
Komisioni nuk e ka miratuar as kërkesën për buxhet shtesë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Por, përkrahje ka marrë kërkesa për mbështetje financiare për ish-udhëheqësit e shtetit, të cilët janë duke u përballur me drejtësi në Hagë.
Tek e ka argumentuar kërkesën, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka theksuar se kjo mundëson mbështetje të dinjitetshme për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare (UÇK).
“Duke iu bashkangjitur urimit të deputetit Haradinaj dhe gjithë neve që të kemi epilog sa më të shpejtë të rastit dhe të konfirmohet pafajësia dhe të mos ketë nevojë për buxhet shtesë, konsideroj se ky buxhet prej 8 milionëve është i mjaftueshëm. Në rast se ka nevojë për më tepër, jemi të gatshëm ta shqyrtojmë gjatë rishikimit”, ka thënë ministri Murati.
Këtë qëndrim të Muratit e ka mbështetur edhe kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti. Por kundër dyfishimit të mbështetjes financiare për ish-udhëheqësit e UÇK-së është shprehur deputeti i LVV-së, Fatos Geci.
“Ata nuk janë themelues të shtetit, siç tha deputeti Tahiri, meqenëse është në përfundim nuk konsideroj se është e arsyeshme për me vazhdua për mbrojtje të tyre”, ka thënë ai. E Tahiri i është kundërpërgjigjur, duke thënë se themeluesit e shtetit janë të shënuar në histori teksa mbështetja shtesë për ish-udhëheqësit e UÇK-së është e nevojshme.
Pas këtij debati dhe në fund të shqyrtimit të amendamenteve, Komisioni e ka aprovuar Projektbuxhetin me 6 vota për dhe 1 kundër, duke e përcjellë atë për shqyrtim të dytë në seancën e Kuvendit që do të mbahet të premten.
Para këtij komisioni, Projektbuxheti është shqyrtuar edhe në 10 komisione të tjera parlamentare.