LAJMET E MBRËMJES

Kërkohet obelisk në nderim të 1432 fëmijëve të vrarë gjatë luftës

Zyrtarizimi i numrit të fëmijëve të vrarë e të zhdukur gjatë luftës dhe ndërtimi i një obelisku në nderim të tyre u diskutua të premten në Komisionin parlamentar për të drejtat e njeriut.

Nusret Pllana, anëtar i kryesisë së Institutit për krimet gjatë luftës në Kosovë, kërkoi para deputetëve në Komision që të ngrihet një kompleks memorial për ta, pasi tha se numri i fëmijëve të vrarë e të zhdukur tashmë dihet.

“Të kemi ku të vëmë një buqetë me lule në kujtim të fëmijërisë së tyre, të kenë ku të çmallen familjarët e tyre. Dikush nga ju mund ta dijë, dikush nga ju ka mundur të këtë dëgjuar, sepse këto përpjekje i kemi bërë me vite, se afër aeroportit ndërkombëtar "Adem Jashari", të Prishtinës është caktuar vendi prej një hektarësh dhuratë, nga Komuna e Lipjanit është vënë maskota e një Obelisku që t'i bënte respekt kujtimit të 1432 fëmijëve të vrarë të Kosovës”, ka thënë Pllana.

Anëtarët e Komisionit kritikuan institucionet për vonesë në zbatimin e çështjeve të ngritura nga Pllana. Deputetja e LVV-së, Arjeta Fejza, ka thënë se po presin që Ligji për themelimin e Institutit për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës të vijë në lexim të dytë.

“Ne jemi goxha vonë, sidomos në iniciativa shtetërore që e zyrtarizojnë në kuptimin institucional fatkeqësinë e popullit tonë. Në këtë aspekt, unë u interesova edhe konkretisht, Ligji për themelimin e Institutit për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës, ishte në kryesi. Do të thotë e ka kaluar dëgjimin publik dhe procedurat e tjera dhe tani vetëm presim që të vijë në lexim të dytë në kuvend”, ka thënë Fejza.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se është e rëndësishme që obelisku të ndërtohet në një vend të përshtatshëm.

“Është brengosëse për të gjithë ne, sepse edhe te rasti i fëmijëve, edhe te rasti i të zhdukurve, edhe te rasti i viktimave të dhunës seksuale kemi disa shifra që nuk e dimë sa janë të sakta dhe kush i ka dhënë si të fundit”, ka thënë Hoxha.

Udhëheqësi i Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur, Kushtrim Gara, ka thënë se ka angazhim të pandërprerë të Qeverisë me qëllimin për t’i zbardhur krimet e para dy dekadave.

“Është thirrja e vazhdueshme që të gjithë qytetarët e familjarët që mund të kenë të dhëna, duhet t’i ndajnë me institucionet qeveritare. Në këtë rast është iniciativa për monumente që e përmendi profesori dhe iniciativa që ka mbet në kuvend te zyrtarizmi i Institutit ose mekanizimit për dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe aq sa unë jam i njoftuar është në procedurë në kuvend”, ka thënë Gara.

Më 1 qershor 2022, Qeveria vendosi për themelimin e Komisionit ministror për memorialin për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-99 në Kosovë. E në shënimin e 1 qershorit sivjet, përfaqësuesit institucionalë dhe stafi i UP-së diskutoi rreth projektit për memorializim të fëmijëve të vrarë në luftë.