Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvend kërkesën për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin ndërkombëtar në Gazë. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se ky hap bazohet në ftesën e SHBA-së, Rezolutën 2803 të Kombeve të Bashkuara dhe vullnetin politik të shprehur në Bordin e Paqes
Qeveria ka proceduar në Kuvend kërkesën për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Rripin e Gazës.
Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur të hënën, ministri Ejup Maqedonci ka thënë se kërkesa që FSK-ja t’i bashkohet Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese mbështetet në ftesën nga komanda qendrore e Shteteve të Bashkuara, vullnetin politik të shprehur në Bordin e Paqes, si dhe në Ligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshin pjesëmarrjen e personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të komandës së unifikuar të forcës ndërkombëtare të stabilizimit, e cila ka për mision të mbështesë zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gazë, gjithnjë duke u bazuar në mandatin e forcës ndërkombëtare të stabilizimit”, ka thënë ministri Maqedonci.
Maqedonci ka thënë se ftesa nga SHBA-ja, e pranuar në dhjetor 2025, i referohet Rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kjo rezolutë, e miratuar më 17 nëntor 2025, autorizon Bordin e Paqes të mbështesë administrimin e Rripit të Gazës, t’i japë kompetencë për të emëruar një Komitet Nacional Palestinez për Administrimin e Gazës dhe lejon dislokimin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në territor.
E kryeministri Kurti ka theksuar se dërgimi i FSK-së në Lindjen e Mesme është në kuadër të vullnetit të Kosovës për të kontribuar për paqe në botë.
Ai ka thënë se për popullin palestinez më herët Qeveria ka ndarë 500 mijë euro.
“Dihet tashmë ndërkombëtarisht që tashmë Forca e Sigurisë e Kosovës është tejet efikase, e suksesshme, profesionale dhe e përgatitur sa i përket kërkim-shpëtimit dhe deminimit, por jo vetëm”, ka thënë Kurti.
KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Mbrojtjes lidhur me rolin, detyrat, numrin, kohëzgjatjen dhe sigurinë e ushtarëve të FSK-së në Gazë, por gjatë ditës së hënë nuk ka marrë përgjigje.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të ketë për detyrë stabilizimin e situatës së sigurisë në Gazë, pas luftës që nisi në tetor të vitit 2023, kur Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje.
Sulmet pasuese izraelite në Gazë shkaktuan dhjetëra mijëra viktima, krizë humanitare dhe dëme të mëdha infrastrukturore.
Plani për krijimin e kësaj force është pjesë e një pakoje më të gjerë për arritjen e paqes, e cila është pranuar nga palët në konflikt.
Kjo nuk do të ishte hera e parë që FSK-ja dislokohet jashtë vendit. Më 2021, ajo mori pjesë në një mision në Kuvajt në bashkëpunim me forcat amerikane, ndërsa më 2022 në Ishujt Falkland, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar.
FSK-ja është aktualisht në proces të shndërrimit në ushtri të plotë, proces që pritet të përfundojë deri në vitin 2028.