Instituti Demokratik i Kosovës ka vlerësuar se Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën ka gjetur pak progres. Sipas hulumtuesve të KDI-së, raporti ka vënë në pah sfida dhe mangësi në shumicën prej fushave, veçanërisht në atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit. Ata kanë theksuar se ka mungesë të vullnetit institucional për progres, sepse pavarësisht ndërrimit të qeverive, Kosova vazhdon të përballet me problemet e njëjta
Pavarësisht ndërrimit të qeverive, Kosova vazhdon të përballet me probleme të njëjta, është thënë në konferencën e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), gjatë së cilës janë prezantuar disa nga gjetjet e Raportit të Progresit për këtë vit, të publikuar nga Komisioni Evropian. Sipas KDI-së, raporti ka evidentuar pak progres të Kosovës.
Eugen Cakolli nga KDI theksoi se ky raport konfirmon mungesën e vullnetit institucional të Kosovës për të adresuar rekomandimet dhe vlerësimet që i jep Bashkimi Evropian.
“Të gjitha stagnimet e evidentuara në këtë raport flasin për një fenomen shqetësues në Kosovë, ku pavarësisht ndërrimit të qeverisjeve, nuk janë duke ndërruar edhe vlerat e qeverisjes. Për shkak se problematikat e njëjta në raport me qeverisjen demokratike, integritetin publik dhe sundimin e ligjit, janë duke e karakterizuar secilin zhvillim në Kosovë”, u shpreh Cakolli.
Në këtë konferencë u fol edhe për gjetjet e raportit në luftën kundër korrupsionit, prokurimin publik, sinjalizimin, punën e Kuvendit e dialogun me Serbinë.
Cakolli u shpreh se ngecja në luftimin e korrupsionit buron drejtpërdrejt nga performanca dhe efikasiteti i dobët i gjyqësorit.
“Pavarësisht se ka progres të limituar në disa fusha, problematikë mbetet fakti që rastet e korrupsionit, e veçanërisht ato të profilit të lartë, vijojnë të zvarriten nëpër gjykata dhe për pasojë kemi raste të shumta të parashkrimit”, u shpreh ai.
E, sa i përket luftimit të korrupsionit në shpenzimin e parasë publike, Diana Metushi-Krasniqi, hulumtuese e KDI-së, ka theksuar se raporti konfirmon për disa vite me radhë stagnime serioze në fushën e prokurimit publik. Ajo tha se raporti ngre shqetësime për rritjen e theksuar të përdorimit të procedurave të mbyllura të prokurimit, për çka u ka kërkuar institucioneve që urgjentisht të fillojnë monitorimin dhe kufizimin e përdorimit të panevojshëm të tyre.
“KDI-ja ngre shqetësime se përderisa shpenzimet publike përmes prokurimit kanë pësuar ulje të konsiderueshme tre vjetët e fundit, përdorimi i kësaj procedure ka treguar një trend të rritjes e që e tejkalon prej rreth 38% përdorimin e saj në kohë të pandemisë [2020], e cila në kohë emergjence kishte arritur vlerën prej 56.8 milionë eurosh, respektivisht rreth 21.7 milionë euro më pak”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, hulumtuesja Violeta Haxholli ka adresuar kritika ndaj Qeverisë rreth mostransparencës në dialog dhe tha se konferencat për shtyp, pas takimeve në Bruksel, nuk mund t’i zëvendësojnë obligimet e ekzekutivit për raportim para Kuvendit.
“Qeveria duhet të ofrojë transparencë ndaj publikut dhe Kuvendit, dhe konferencat për shtyp pas takimeve të dialogut e takimet me liderët politikë nuk mund të jenë zëvendësim për obligimet kushtetuese që Qeveria i ka ndaj Kuvendit si institucioni më i lartë mbikëqyrës. Mungesa e informacioneve krijon hapësirën për informacione jozyrtare duke rritur kështu ndjenjën e pasigurisë te qytetarët”, ka thënë ajo.
Në konferencë është kërkuar që të përfillen edhe rekomandimet e Raportit për Kosovën sa i përket përmirësimit të punës së Kuvendit.