LAJMET E MBRËMJES

KDI-ja pret që rezultatet e zgjedhjeve të certifikohen deri në fund të janarit

Instituti Demokratik i Kosovës pret që rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit të certifikohen deri në fund të muajit janar, për t`i hapur kështu rrugë formimit të institucioneve. KDI-ja kërkon nga subjektet politike që sa më shpejt të formojnë institucionet e reja, duke pasur parasysh edhe afrimin e afatit për zgjedhjen e presidentit.

Dinamika e numërimit të votave e rezultati zgjedhor pritet që të ndikojnë në formimin e shpejtë të institucioneve.

Eugen Cakolli, që është hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, pret që deri në fund të muajit janar të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, e kësisoj të procedohet me konstituimin e Kuvendit.

Cakolli tha se formimi i shpejtë i institucioneve është urgjente edhe për shkak të zgjedhjes së presidentit apo presidentes.

“Kërkoj nga subjektet politike që në dinamikë sa më të shpejt të përmbyllin ciklin e formimit të institucioneve, jo vetëm për shkak të vonesave që i kemi pasur gjatë vitit të kaluar, për çka se ka pasur normalisht ndikim të madh, por edhe faktin që fillimi i muajit mars është afati i fundit kur Kosova duhet ta zgjedhë presidentin apo presidenten e re përndryshe vendi do të shkoj drejt një cikli të zgjedhjeve të jashtëzakonshme pavarësisht se a do të zgjidhen institucionet e reja apo jo”, tha Cakolli.

Në konferencën për media, Cakolli si përfaqësues i koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, tha se procesi i zgjedhjeve të 28 dhjetorit është zhvilluar në atmosferë demokratike e pa asnjë incident serioz.

Por mes tjerash, Cakolli tha se janë evidentuar raste të votimit me dokumentet me afat të skaduar, e se qytetarët kanë pasur vështirësi në gjetjen e qendrave të votimit.

“Fotografimi i votës mbetet problemi kryesor i cili është identifikuar edhe gjatë procesit të zhvilluar të dielën. Me mbi 32 raste të raportuara në mbi 20 vendvotime ku ka pas raste të fotografimit të votës”, tha Cakolli.

Në lidhje me KQZ-në, ai theksoi se përplasjet mes anëtarëve kanë bërë që puna e këtij institucioni të jetë e politizuar si asnjëherë më parë.

Kurse për fushatën zgjedhore deklaroi se gjuha e përdorur nga liderët ka qenë më e zbutur krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, por që ka pasur shkelje sa i përket garës së barabartë e mosshfrytëzimit të resurseve shtetërore.

“Normalisht theksohet vendimi i qeverisë, pak ditë para ditës së zgjedhjeve, për ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe për pensionistët që ka pasur ndikim në garën zgjedhore duke krijuar një garë të pabarabartë së pari por së pari duke i dhënë avantazh partisë në pushtet krahasuar me partitë e tjera të cilat nuk e kishin një mundësi të tillë”, tha Cakolli.

Nga rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, fituese është shpallur Lëvizja Vetëvendosje me mbi 49 për qind, e pasuar nga PDK-ja me rreth 21 për qind, LDK-ja me 13.5% e AAK-ja 5.66%.