Për shoferin e arrestuar të mërkurën, pasi që në automjetin që po e ngiste janë gjetur 268 kilogramë marihuanë, është shtruar kërkesë për paraburgim. Sipas Prokurorisë, destinacion i drogës së zbuluar ka qenë Bashkimi Evropian (BE). E në Doganë kanë njoftuar se zbulimi është bërë falë informatave të ofruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI)
Prokuroria Speciale ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh për S.J., të cilit të mërkurën i janë gjetur 268 kilogramë marihuanë në kamionin të cilin po e ngiste.
Kërkesa për këtë masë të sigurisë është dorëzuar të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nën arsyetimin se ekziston rreziku që i dyshuari të arratiset dhe të pengojë rrjedhën e procedurës hetimore.
“Gjatë kontrollit të kamionit, të cilin po e drejtonte i dyshuari, është gjetur dhe sekuestruar sasia prej 268.44 kilogramësh substancë narkotike e dyshuar marihuanë, e cila dyshohet se është transportuar nga Republika e Shqipërisë, me destinacion shtetet e Bashkimit Evropian”, kanë thënë në Prokurorinë Speciale.
Sipas pamjeve të publikuara nga Dogana e Kosovës, droga është gjetur në dhjetëra thasë nën dyshemenë e kontejnerit të kamionit.
Në Doganë kanë njoftuar se sasia e drogës është kapur pas informatave të siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
“Ka ndalur për kontroll një kamion që po lëvizte në drejtim të Prishtinës në autostradën ‘Ibrahim Rugova’. Pas një inspektimi të detajuar, dhe duke përdorur pajisjet profesionale të dhuruara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zyrtarët doganorë kanë arritur të demontojnë panelet e fshehura të automjetit, ku ishin vendosur substancat narkotike”, kanë thënë në Doganë.
Në Polici kanë bërë të ditur se gjatë vitit 2024 dhe tetë muajve të parë të 2025-tës janë arrestuar 1 mijë e 386 persona me dyshimin për posedim dhe për transportim të substancave narkotike.
Vitin e shkuar janë kapur afro 1 mijë e 300 kilogramë marihuanë, e në tetë muajt e parë të këtij viti 815 kilogramë. Me sasinë e kapur të mërkurën, kalohet 1-tonëshi.
E narkotikë të llojit kokainë, më 2024 janë konfiskuar 14 kilogramë, kurse deri në shtator të këtij viti një kilogram më pak. Rënie e ndjeshme është vërejtur te lloji heroinë, nga i cili gjatë vitit të shkuar janë konfiskuar 27 kilogramë, teksa për tetë muaj të 2025-tës, 1.5 kilogramë.
Në një raport të Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI), i publikuar në shtator, Kosova përmendet mes të quajturave “Grupe kriminale shqipfolëse”, që përfshijnë qytetarë të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë se Veriut dhe të Malit të ZI. Në këtë raport theksohet se Europoli i konsideron shqiptarët si ndër pesë kombësitë kryesore të përfshira në trafikun e kokainës, me destinacion BE-në.
Sipas këtij raporti, këto grupe kanë tanimë prezencë dhe infrastrukturë në shtetet e Amerikës së Jugut teksa shtohet se në Ekuador kanë ndërtuar edhe një qendër transporti. E që nga 2019-a janë rrënjosur edhe në Brazil. Dokumenti thekson se kokaina prodhohet në shtetet e Amerikës së Jugut, mirëpo transportimi i tyre në Evropë bëhet jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, porse fillimisht ndalet në vendet e Afrikës Perëndimore, si Sierra Leone, Gambi, Guineja e Guineja Bisau.