LAJMET E MBRËMJES

Javën e ardhshme përfundon masa e përkohshme, ambasadorët kërkojnë të respektohet Kushtetuesja

Javën tjetër do të përfundojë masa e përkohshme e vënë nga Gjykata Kushtetuese, derisa në shqyrtim ka kërkesën e Listës Serbe për çështjen e konstituimit të Kuvendit. Derisa ambasadori francez në Kosovë, Oliver Guerot, dhe ai britanik, Jonathan Hargreaves, kërkuan që institucionet të respektojnë Kushtetuesen, njohës të punës së saj e zhvillimeve në Kuvend presin që subjektet politike të llogarisin veprimet e tyre për të bërë fushatë elektorale

Mungesa e institucioneve të reja pas zgjedhjeve nuk është situatë e mirë për Kosovën, ka thënë të martën ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot.

Javën tjetër përfundon masa e përkohshme e vënë nga Gjykata Kushtetuese në çështjen e ngritur nga Lista Serbe, e cila e ka kontestuar konstituimin e legjislaturës së re. 

E tek e ka lavdëruar Kushtetuesen, ambasadori francez ka bërë thirrje që pavarësia e saj të respektohet.

“Kushtetuesja është institucion shumë i respektueshëm jashtë Kosovës. Ajo është pranuar si anëtare e plotë e Asociacionit Evropian të Gjykatave Kushtetueses, si dhe asaj frankofone. Për shkak se respektohet jashtë shtetit, mendoj se duhet të respektohet edhe në Kosovë. Prandaj, do të përmbahem nga komentet se çka mund të thonë të tjerët, por do të këshilloja institucionet që të vazhdojnë të respektojnë pavarësinë e gjykatës. Është ndër shtyllat e Republikës së Kosovës dhe e ka përkrahjen tonë të plotë”, ka thënë Guerot.

Në këtë qëndrim, Guerot është mbështetur edhe nga ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, teksa ka bërë thirrje që vendimet e Gjykatës të zbatohen nga udhëheqësit politikë. 

“Britania e Madhe pret që vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të respektohen dhe zbatohen nga liderët politikë me qëllim që t’i jepet fund ngërçit në të cilin Kosova ka ngecur për kohë të gjatë, në mënyrë që Kuvendi dhe një qeveri e re të mund të fillojnë punën në interes të popullit të Kosovës”, ka shkruar Hargreaves në platformën X.

Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë informacione se kur do të vendosë për rastin e ngritur nga Lista Serbe, por vetëm ka bërë të ditur se kërkesa është në procedurë shqyrtimi.

“Kjo kërkesë aktualisht është në procedurë të shqyrtimit. Për çdo vendim të Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni”, kanë thënë në Kushtetuese.

E kur vendimi të dalë, hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka shprehur pritjen se Kushtetuesja do të qartësojë se nënkryetarët nga komunitetet joshumicë duhet të zgjidhen në pako, dhe jo ndaras siç ka ndodhur. Megjithëkëtë, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që edhe pas vendimit të Kushtetueses, partitë politike të veprojnë në Kuvend duke llogaritur në përfitime elektorale.

“Gjykata do të detyrojë deputetët që të votojnë një deputet për nënkryetar të Kuvendit nga Lista Serbe dhe këtë nuk e bën se është Lista Serbe, por për shkak se ata janë shumicë në Kuvendin e Kosovës nga radhët e komunitetit të tyre. Dhe për këtë arsye mund të ndodhë që partitë politike shqiptare të bien pre e përplasjeve elektorale për ndonjë votë, për të cilën ata kalkulojnë që do të mbahen zgjedhjet e parakohshme ose zgjedhjet lokale”, ka thënë ai.

Në fund të gushtit, Kuvendi ka zgjedhur kryetarin dhe katër nga pesë nënkryetarët, duke e ndarë votimin e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë. Votat e mjaftueshme nuk i ka marrë asnjë nga deputetët e komunitetit serb për nënkryetar të Kuvendit, ndërsa kryetari i ri, Dimal Basha, e ka shpallur institucionin të konstituuar.