Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

IKD-ja i quan të paligjshme gjobat e KPM-së ndaj mediave gjatë fushatave

IKD

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se të gjitha gjobat e shqiptuara ndaj mediave nga Komisioni i Pavarur i Mediave gjatë fushatave të fundit zgjedhore janë të kundërligjshme. Në raportin e publikuar, IKD-ja ka argumentuar se vendimet e KPM-së janë marrë jashtë afateve të përcaktuara me rregullore dhe janë bazuar në rekomandime që, sipas kësaj organizate, nuk kanë bazë ligjore

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se të gjitha gjobat e shqiptuara ndaj mediave nga Komisioni i Pavarur i Mediave gjatë fushatave zgjedhore janë të kundërligjshme.

Në raportin e publikuar të hënën me titull “Kur rregullatori shkel rregullat: Kundërligjshmëria e gjobave të KPM-së ndaj shkeljeve të mediave”, është theksuar se gjobat e KPM-së janë shqiptuar jashtë afateve të përcaktuara në rregullore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Edhe një herë, vendimet për fushatën e vitit 2025 janë të kundërligjshme për dy arsye: janë marrë jashtë afateve ligjore dhe janë bazuar në rekomandime të kundërligjshme. Ndërkaq, ato për zgjedhjet parlamentare të vitit 2026, që u zhvilluan dje, janë të kundërligjshme për shkak se janë bazuar në një rekomandim të kundërligjshëm. Në shtetin e së drejtës, si përfundim, ligji nuk zbatohet vetëm ndaj palëve që sanksionohen, mirëpo pikë së pari ai zbatohet edhe në raport me institucionin që i sanksionon, që në rastin konkret është Komisioni i Pavarur i Mediave. Dhe, përkundër faktit që mediat gjatë këtyre fushatave mund të kenë kryer shkelje, prapëseprapë kjo nuk e arsyeton Komisionin e Pavarur të Mediave që të nxjerrë vendime të kundërligjshme”, ka thënë Gëzim Shala, hulumtues në IKD.

Shala ka ngritur po ashtu shqetësime për ligjshmërinë e rekomandimeve të Zyrës Ekzekutive të KPM-së, duke argumentuar se pozita e kryeshefit ekzekutiv është ushtruar për vite me radhë nga një ushtrues detyre, përtej afateve të lejuara me ligj.

E drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se mediat duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike në dispozicion për t’i sfiduar këto vendime.

“Kemi ardhur në situatë ku gjithçka që është bërë nga Komisioni i Pavarur për Media është e kundërligjshme, jashtë afateve ligjore, dhe kjo duhet të kundërshtohet përmes ankesave. Më e mira është që kjo çështje të dërgohet në gjykata, në mënyrë që të ushtrohen mjetet juridike në dispozicion”, ka thënë Miftaraj.

Ndërsa zëvendësdrejtori ekzekutiv i IKD-së, Betim Musliu, është shprehur se KPM-ja ka mbajtur 14 mbledhje, ku janë shqyrtuar 62 raste dhe janë shqiptuar sanksione në 59 prej tyre.

Nga këto, në 31 raste janë shqiptuar gjoba në vlerë totale prej 67 mijë eurosh, ndërsa në 28 raste janë shqiptuar vërejtje.