I dënuari për terrorizëm, Hysri Selimi, të cilin Prokuroria Speciale e akuzon se është bërë pjesë e Shtetit Islamik (ISIS) për t’i dhënë informata Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë (BIA) i ka mohuar të martën akuzat e organit të akuzës. Selimi, i cili është dënuar për pjesëmarrjen në ISIS, ka konfirmuar në Prokurori se e ka takuar zyrtarin e BIA-s, Igor Babiq, porse është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për spiunazh
I dënuari për pjesëmarrje në organizatën terroriste të Shtetit Islamik (ISIS), Hysri Selimi, është deklaruar i pafajshëm të martën para Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me akuzën për spiunazh, e cila i vihet në barë.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se Selimi ka treguar vetë se është takuar me zyrtarin e Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë (BIA), Igor Babiq, dhe se e ka informuar atë për shqiptarët që kanë qenë pjesë e ISIS-it. Por ai, si në prokurori ashtu edhe në gjykatë ka mohuar se ka punuar për BIA-n serbe.
Tek e ka lexuar aktakuzën e ngritur ndaj tij, prokurori Bekim Kodraliu ka thënë se i pandehuri Selimi i ka dhënë informata BIA-s që nga viti 2009. Sipas aktakuzës së lexuar në seancën e së martës, Selimi e ka takuar Babiqin pas kthimit nga Siria dhe i ka ofruar informata në këmbim të një vlere monetare deri në 700 euro në muaj.
“Kishte vazhduar të takohej me zyrtarët e BIA-s, më konkretisht me drejtorin për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s, Igor Babiq, dhe një zyrtar tjetër në territorin e Republikës së Serbisë, si në Vranjë, Nish e Bujanoc, të cilët i informonte në bazë të detyrave që ia kishin caktuar paraprakisht e që kishin të bënin me informacionet lidhur me personat e radikalizuar dhe zhvillimin e rrymave vahabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, numrin dhe funksionimin e mesxhideve, si dhe informata të tjera të rëndësishme”, ka thënë prokurori Selimi.
Por tek është deklaruar i pafajshëm për akuzat, Selimi ka thënë se e ka ndihmuar inteligjencën e Kosovës.
“Unë kam punuar sipas instruksioneve të AKI-së dhe kam shërbyer në bazë të udhëzimit të tyre. Jam i pafajshëm dhe e kërkoj lirimin tim”, ka theksuar ai gjatë seancës.
Avokati i tij, Ali Beka, ka kërkuar nga gjykata që Selimit t’i ndërpritet masa e paraburgimit.
Këtë propozim e ka kundërshtuar prokurori Kodraliu, i cili ka theksuar se ekziston rrezik i bazuar se ai mund të ikë në Serbi po qe se lihet në liri.
E gjyqtari Leon Përlaska ka vendosur për vazhdimin e masës së paraburgimit, pasi ka konstatuar se i pandehuri mund t’i shmanget procedurës penale.
Gjykata e ka njoftuar të pandehurin dhe mbrojtjen e tij se mund të paraqesin kërkesë në Gjykatën e Apelit për hedhjen poshtë të aktakuzës dhe të provave, në një afat brenda 30 ditësh.
Në dhjetor të 2022-tës, Selimi është dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS, ku ka shërbyer si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e ISIS-it.
I dyshuari, sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore që është konfirmuar në Apel, pati edhe kontakt me figura të tjera të organizatës terroriste që kanë qenë nga Kosova, si Lavdrim Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi.