Dy javë kohë kanë mbetur deri në përfundim të afatit për zgjedhjen e presidentit. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka thënë se kurdo që në Kuvend deponohen kandidaturat për këtë post, do ta thërrasë seancën për zgjedhjen e kreut të shtetit
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se është në pritje të kandidaturave për president, për të ftuar seancën për zgjedhjen e tij apo saj. Ajo ka theksuar se e gjithë procedura duhet të përmbyllet deri më 4 mars, por ka rikujtuar se nuk mund të veprojë pa pasur kandidatë që deponojnë edhe nënshkrimet mbështetëse paraprake.
“Unë sapo t’i kem nënshkrimet nga kandidatët, sepse ju e dini që duhet të jenë 30 nënshkrime nga dy kandidatë, do ta thërrasim seancën dhe do të procedojmë me të. Para së gjithash duhet të ketë takime me të gjitha partitë politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të adresohen përgjegjësitë”, ka thënë Haxhiu.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTakime me liderët e subjekteve politike, që nga java e kaluar ka paralajmëruar kryeministri Albin Kurti, që drejton partinë e cila ka shumicën në Kuvend, Lëvizjen Vetëvendosje. Por, deri të mërkurën nuk janë parë lëvizje në këtë drejtim.
E, synimin për edhe një mandat e ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani. Por nga zyra e saj ka tri javë që nuk janë përgjigjur në pyetjet në lidhje me veprimet që ajo ka ndërmarrë në drejtim të sigurimit të përkrahjes në Kuvend.
Deklarimin për çështjen e presidentit, kryekuvendarja Haxhiu e bëri pas përfundimit të takimit me kryetarët e komisioneve parlamentare. Sipas saj, me ta është diskutuar për mbarëvajtjen e punës së legjislaturës së dhjetë. Mes tjerash edhe për plotësimin e 36 pozitave të mbetura vakant në institucionet e pavarura, e zgjedhja e të cilave duhet bërë nga deputetët.
“Për shembull e kemi Gjykatën Kushtetuese me dy anëtarë që presim që Kuvendi t’i zgjedh, është Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Avokatit të Popullit i ka përfunduar mandati dhe katër zëvendësve të tij, prandaj edhe duhet të veprojmë pa vonesa në këtë drejtim”, ka thënë ajo.
Kuvendi është konstituuar një javë më parë. Por, sipas Kushtetutës ai mund të shpërndahet e të shpallen zgjedhje të parakohshme nëse dështon zgjedhja e presidentit.