LAJMET E MBRËMJES

GLPS: Qeveria në largim mori 30 vendime të kundërligjshme

Në shoqërinë civile kanë ngritur shqetësimin lidhur me vendimmarrjen e Qeverisë në detyrë. Hulumtues të GLSP-së kanë thënë se nga 9 shkurti deri më tani janë marrë 93 vendime e 30 prej tyre në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë. Sipas kësaj organizate, në mesin e vendimeve janë edhe emërimet në pozita të rëndësishme publike

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLSP) ka vlerësuar se Qeveria në largim ka marrë 30 vendime të kundërligjshme, nga dita e zgjedhjeve nacionale e deri këtë të mërkurë.

Në një konferencë për media Blerina Istrefi, menaxhere e projektit në GLPS, theksoi se këto vendime janë të papranueshme, dhe ka prezantuar arsyet pse ato cilësohen të jashtëligjshme.

“Nga data 9 shkurt 2025 (dita e zgjedhjeve v.j.) e deri më 27 mars 2025 (dita e certifikimit të rezultateve nga KQZ v.j.), qeveria në largim ka mbajtur 7 mbledhje dhe ka marrë 76 vendime. Marrë parasysh kufizimet që i njeh ligji në situatat kur kemi të bëjmë me qeveri në largim, GLPS vlerëson se 13 nga këto vendime janë të kundërligjshme për shkak se janë marrë duke i tejkaluar kufizimet në kuadër të nenit 31 të Ligjit për Qeverinë. Kurse vendimet e tjera janë në kuadër të punëve të përditshme dhe për shkak te vijueshmërisë normale të veprimtarisë ekzekutive”, ka thënë Istrefi

Sipas GLPS-së, vendimet tejkalojnë kufizimet që parasheh Ligji për Qeverinë. 

Elona Kurti, koordinatore e projektit në GLSP, ka thënë se ligji është shkelur në vendimet që kanë të bëjnë me iniciativat për emërime në pozita të rëndësishme publike.

“Vendimet e kundërligjshme i përkasin natyrës së inicimit të procedurave të reja për emërimin në pozitat publike, për emërimin e të cilave është kompetente në bazë të ligjeve të përfshira, por duke mos u kufizuar në themelimin e komisioneve ad-hoc për pozitat: Kryeinspektor shëndetësor në Inspektoratin Shëndetësor; drejtor i përgjithshëm në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, drejtor i përgjithshëm i Institutit të Kosovës për Administratë Publike, drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit Civil, drejtor i përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Shoqërinë e Informacionit, drejtor ekzekutiv i Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë”, ka thënë Kurti.

Përveç këtyre, GLSP-ja ka konstatuar se Qeveria në detyrë ka marrë edhe vendime të tjera në kushte të papajtueshmërisë me kërkesat e ligjit. Kjo organizatë, si të kundërligjshme i konsideron edhe vendimet me të cilat Qeveria në largim, pavarësisht kufizimeve, i ka marrë lidhur me miratimin e koncept-dokumenteve dhe strategjive, të tilla si: Dokumenti Strategjik dhe Plani i Veprimit për Ndërhyrjen në Fëmijërinë e Hershme – NFH (early childhood intervention-eci) 2025-2030, Koncept-dokumenti për Shëndetin e Bimëve, Koncept-dokumenti për Bujqësi Organike e të tjera.

E që nga 27 marsi kur janë certifikuar emrat e deputetëve, sipas GLPS-së janë mbajtur tri mbledhje të Qeverisë me zyrtarë që ishin edhe me post ekzekutiv (ministra), por edhe ishin certifikuar si deputetë. 
Sipas GLPS-së, të gjitha vendimet janë në kundërshtim me Kushtetutën, pasi konsideron se mbajtja njëkohshëm e dy funksioneve, edhe në ekzekutiv e edhe në legjislativ, përbën shkelje. 

“Në këto takime janë marrë gjithsej 17 vendime, nga një kabinet qeveritar i cili në përbërjen e tij ka pasur kryeministër e ministra që në kundërshtim me nenin 72 të Kushtetutës kanë prezantuar dhe kanë qenë pjesë e vendimmarrjes. Rrjedhimisht kjo nënkupton që secili nga këto vendime është i kundërligjshëm sepse është marrë nga një përbërje e ekzekutivit në kundërshtim me aktin më të lartë juridik”, ka thënë koordinatorja Kurti.

Në këto mbledhje janë marrë 17 vendime, dhe GLPS-ja ka rekomanduar që të mos merren më vendime nga përbërja aktuale e kabinetit qeveritar, dhe që secili vendim të merret me përbërje legjitime.

Lidhja Demokratike e Kosovës më 8 maj ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale kallëzim penal ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe anëtarëve të qeverisë në detyrë, që janë zgjedhur edhe deputetë. Sipas LDK-së ata janë duke e shkelur ligjin.