LAJMET E MBRËMJES

Gjykimi i Nagip Krasniqit, dëshmitari Nulleshi: Kisha dëgjuar për ndalesën e ZRRE-së, por s’e kam parë

Edmond Nulleshi duke deshmuar

Ish-drejtori ekzekutiv i shërbimeve në KEK, Edmond Nulleshi, ka dëshmuar në gjykimin e ish-kryeshefit të ndërmarrjes, Nagip Krasniqi, i cili dyshohet për korrupsion. Nulleshi tek ka folur për një e-mail ku i ka udhëzuar vartësit ta vazhdojnë tregtimin me kompaninë sllovene HSE, ka thënë se këtë e bëri në kohën kur vetëm kishte dëgjuar, por nuk e kishte parë shkresën që ndalonte tregtimin e rrymës me kompani të palicencuara

Ish-anëtari i Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe ish-drejtori ekzekutiv i shërbimeve në këtë ndërmarrje, Edmond Nulleshi, e ka konfirmuar e-mailin, ku i ka udhëzuar vartësit e tij që ta vazhdojnë tregtimin e rrymës me kompaninë sllovene HSE deri në njoftimin e radhës. 

Ai ka dëshmuar të hënën, në gjykimin e ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili akuzohet për korrupsion, pasi, sipas organit të akuzës, ka lejuar tregtimin e rrymës me kompaninë sllovene, e palicencuar nga ZRRE-ja.

Nulleshi ka thënë se kur e shkroi e-mailin, vetëm pati dëgjuar për njoftimin e ZRRE-së që ndalon tregtimin me të palicencuarit, por nuk e ka parë atë. 

Dëshmitari i ka thënë trupit gjykues në Themeloren në Prishtinë se këtë vendim ia kanë konfirmuar edhe nivelet e tjera të ndërmarrjes.

“Krye në veti s'kam bërë asgjë. Përndryshe është kërkuar nga unë vendimi rreth dërgimit të asaj shkrese dhe vendimi që e kam marrë është konfirmuar edhe në nivel të kompanisë”, ka thënë dëshmitari Nulleshi.

Kur mbrojtja ia shfaqi dy kontrata ditore të blerjes së rrymës, një me HSE-në dhe tjetrën me kompaninë “Danske Commodities”, dëshmitari është shprehur se HSE-ja e ka dorëzuar rrymën në kufirin Kosovë-Mali i Zi, ndërsa kompania “Danske” brenda Kosovës. 

Ish-anëtari i Bordit të KEK-ut ka thënë se në atë kohë ka menduar që licencat e vendeve të BE-së vlejnë edhe për Kosovë.

“Nuk jam ekspert ligjor e as jurist... mirëpo arsyet që më kanë shti me formulu mendinin tim janë viti 2016 ligji, 2018 procedura, aty ceket se gjatë shkëmbimit e parasheh të drejtën e njohjes së licencës në bazë të reciprocitetit dhe në bazë të licencave në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Kur është pyetur nga i akuzuari Krasniqi, dëshmitari ka pohuar se KEK-u ka importuar rrymë nga HSE-ja.

“Në rastin e blerjes nga HSE-ja, a i bie që KEK-u ka importuar energji?, ka pyetur Krasniqi, duke marrë pohimin e dëshmitarit. 

Sipas Nulleshit, Sllovenia nuk kërkon licenca për të tregtuar me rrymë, andaj as HSE-ja nuk kishte licencë tregtimi në shtetin ku e ka selinë. 

Nulleshi ka thënë po ashtu se shkresat që dërgoheshin në ZRRE aprovoheshin prej zyrës së ish-kryeshefit Krasniqi.

Në aktakuzën e ngritur në gusht të vitit 2024, Prokuroria Speciale pretendon se Krasniqi ia ka mundësuar kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” që të tregtojë energji pa pasur licencë në Kosovë, duke i shkaktuar dëm prej rreth 3.2 milionë eurosh.

Sipas aktakuzës, Krasniqi gjatë viteve 2022-23 me dashje e ka aprovuar blerjen dhe ka nënshkruar kontrata me kompaninë sllovene, ndonëse ka qenë në dijeni se tregtimi i energjisë nuk mund të bëhet me kompani të palicencuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji.