LAJMET E MBRËMJES

Gërvalla e quan modeste pagesën mujore prej 7.500 eurosh të Gani Jakupit

Ministria e Punëve të Jashtme e ka arsyetuar kontratën që ka lidhur me konsulentin Gani Jakupi, i cili paguhet 7 mijë e 500 euro në muaj. Ministrja Donika Gërvalla e ka cilësuar si modeste këtë shumë, duke thënë se në të kaluarën konsulentët janë paguar 50 fish më shumë. Për pagesën e Jakupit, Gërvalla u përball me pyetje të deputetëve në Komisionin për punë të jashtme.

Ministria e Punëve të Jashtme e ka arsyetuar kontratën prej 7,500 eurosh në muaj për Gani Jakupin, i angazhuar si konsulent i jashtëm për ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.

Në një komunikatë të Ministrisë theksohet se pagesa për Jakupin nuk është pagë.

“Shuma e kompensimit material nuk përbën një pagë të mirëfilltë, por përfshin të gjitha shpenzimet që lidhen me përmbushjen e kontratës, pra ndër të tjera edhe mbulesën e kostos jetësore dhe të shpenzimeve të tjera për angazhim profesional në Bruksel”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Paga e Jakupit ka nxitur debat edhe në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, ku ka raportuar ministrja Gërvalla të premten.

“Përgjigju vetëm në një pyetje, sepse për të tjerat vetëm je duke u zgërdhirë dhe nuk je duke i marrë seriozisht. A paguhet Gani Jakupi 7,500 euro në muaj”, ka pyetur deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Ministrja Gërvalla ka thënë se shuma prej 7,500 eurosh është modeste.

“Kjo nuk është pagë. Ky është një projekt i lidhur me objektiva të qarta të përcaktuara saktë që i shërben Republikës së Kosovës dhe vendosjes së saj nëpër vende jonjohëse kryesisht. Jam krenare, jam shumë krenare që me këtë shumë modeste e cila nuk është pagë mujore, që është shuma e cila përfshin shpenzimet e një projekti të tërë njëvjeçar”, është shprehur Gërvalla.

Sipas ministres, puna që ka bërë Jakupi është shumëfish më e vlefshme se kontratat e së kaluarës, që sipas saj kanë qenë 50-fish më të larta.

“Ju garantoj me fjalën time që rezultatet nga qershori i këtij viti deri sot, vetëm kaq sa zoti Gani Jakupi ka bërë në kuadër të kësaj kontrate, është shumëfish më tepër sesa miliona euro që janë bërë për lobim personash dhe lobim çështjesh siç e përmendët ju, shkëmbimin e territoreve”, ka thënë tutje Gërvalla.

Edhe në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme është lavdëruar puna e Jakupit. Në të theksohet se njohuritë dhe kontaktet që ka ky konsulent janë pasuri për kulturën dhe diplomacinë e Kosovës.

Bazuar në kontratë, Jakupi është angazhuar për të rritur mundësitë e depërtimit të Kosovës te shtetet që s’e kanë njohur pavarësinë e saj, si dhe për të ofruar konsulencë në fushën e diplomacisë publike dhe kulturore.

Për një vit sa është kohëzgjatja e kontratës, Jakupi do të paguhet 90 mijë euro.