Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Gashi nominohet për Kryeprokuror të Shtetit, disa OJQ ftojnë Haxhiun ta dekretojë

kpk

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka nominuar me pesë vota Zejnullah Gashin për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Emri i tij është dërguar menjëherë në Presidencë për dekretim. E disa organizata joqeveritare që kanë monitoruar këtë proces kanë ftuar ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, që ta dekretojë Gashin pa vonesë

Egzona Mema

Emri i Zejnullah Gashit, i është dërguar për dekretim presidentit të vendit, si kryeprokuror i shtetit.

Në mbledhjen e së hënës të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Gashi ka marrë votat e pesë anëtareve për t’u nominuar kandidat për kryeprokuror.

“KPK-ja me 5 vota pro, nominon z. Zejnullah Gashin si kryeprokuror të shtetit, si dhe konform ligjit i njëjti i propozohet presidentit të Kosovës për emërim të kryeprokurorit të shtetit”, ka thënë kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi.

Njëri prej anëtarëve të KPK-së, Milot Krasniqi, nuk ka votuar.

Edhe Këshilli Prokurorial ia dërgon Presidencës nominimin e Zejnullah Gashit Arbëri 10 o. më parë Këshilli Prokurorial ia dërgon Presidencës nominimin e Zejnullah Gashit

“Për shkak të qëndrimeve që i kam pasur lidhur me këtë proces, të cilat i ruaj edhe sot unë deklarohem që do të abstenoj”, ka thënë ai.

Menjëherë pas nominimit, nga Instituti Demokratik i Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Lëvizja FOL kanë thënë se e mirëpresin vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke bërë thirrje që kryeprokurori i ri të dekretohet pa vonesë.

“Është e domosdoshme dhe me njëfarë forme urgjente që ta kemi edhe kryeprokurorin e shtetit me kompetenca të plota në drejtim të luftimit të dukurive dhe kriminalitetit në Republikën e Kosovës si instanca më e lartë brenda sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”, ka thënë Flamur Kabashi nga IKD-ja.

Sipas organizatave joqeveritare që kanë monitoruar procesin, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, nuk ka kufizime për të çuar para dekretimin e kandidatit të nominuar.

“Ka aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese që e kanë bërë të qartë që për shkak të administrimit të procesit të drejtësisë, edhe ushtruesi i detyrës së presidentit faktikisht nuk ka ndonjë kufizim, unë besoj që nuk ka asnjë problem që thjesht ta dekretoj kandidatin për kryeprokuror të shtetit”, ka thënë Vullnet Bugaqku nga KDI-ja.

Edhe Zejnullah Gashi nominohet për Kryeprokuror të Shtetit Arbëri 14 o. më parë Zejnullah Gashi nominohet për Kryeprokuror të Shtetit

Sipas raportit final, përpos Zejnullah Gashit, në listë për pozitën e kryeprokurorit ishin edhe: Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi dhe Shqipdon Fazliu. 

Ditë më parë të gjithë iu nënshtruan intervistimit nga komisioni vlerësues.

Vendimi për shpalljen e konkursit për kryeprokuror të shtetit ishte marrë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës më 18 maj 2026.

Pas shpalljes së konkursit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, kishte paraqitur padi me kërkesë për masë të sigurisë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar që konkursi i shpallur nga KPK-ja të pezullohet, por Gjykata Administrative e ka refuzuar atë. Vendimin e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Edhe Shoqëria civile: Haxhiu ta dekretojë Kryeprokurorin e Shtetit, s’ka pengesa kushtetuese Arbëri 13 o. më parë Shoqëria civile: Haxhiu ta dekretojë Kryeprokurorin e Shtetit, s’ka pengesa kushtetuese

Në tetor të 2023-s, presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani, nuk e pati dekretuar Isufajn për kryeprokuror të shtetit me arsyetimin se janë shënuar dhjetëra shkelje në procedurën e përzgjedhjes. 

Që nga ajo kohë, institucioni i kryeprokurorit të shtetit është udhëhequr me ushtrues detyre.