Progresi në liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës ka zënë vend në deklaratën e përbashkët të ministrave të tri vendeve të grupit “Trekëndëshi i Vaimarit”, përkatësisht Francës, Gjermanisë dhe Polonisë. Në këtë deklaratë është konfirmuar mbështetja për rrugën evropiane të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe nevoja e përmbylljes së dialogut Kosovë-Serbi
Franca, njëra nga vendet skeptike për heqjen e vizave për Kosovën, ka ndryshuar qëndrim ndaj këtij procesi. Në deklaratën e përbashkët të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, që janë edhe vendet që përbëjnë grupin “Trekëndëshi i Vaimarit”, është bërë thirrje që të ketë progres drejt heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës. Ministrat e Jashtëm të të tri vendeve po ashtu kanë inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që ta përmbyllin me sukses dialogun.
“Ne e mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që ua mundëson Kosovës dhe Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane dhe të kontribuojnë për stabilitetin në rajon. Ne bëjmë thirrje për progres përkitazi me liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në deklaratë.
Në këtë deklaratë theksohet edhe rëndësia e Procesit të Berlinit e në veçanti zbatimi i vendimit të dalë nga ky proces.
“Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor; ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal”.
Me qëllim të forcimit të lidhjeve mes Bashkimit Evropian e Ballkanit Perëndimor e edhe mbështetjes së mëtutjeshme, treshja ka paralajmëruar një vizitë në rajon, e ku Kosova është i vetmi shtet që mbahet i izoluar nga lëvizja e lirë në vendet e zonës Schengen, ndonëse në korrik janë bërë katër vjet nga kur Komisioni Evropian ka konfirmuar se janë përmbushur kriteret e kërkuara për heqjen e vizave.
Fokus të veçantë në deklaratën e përbashkët të ministrave të “Trekëndëshit të Vaimarit” zë Ukraina dhe situata e krijuar nga agresioni rus. Sipas këtyre shteteve, lufta në Ukrainë ka qenë sulm ndaj modelit evropian të bazuar në liri e demokraci.
Franca, Gjermania e Polonia kanë potencuar rëndësinë e vazhdimit të ndihmës për Ukrainën, në mënyrë që, sipas tyre, ajo ta vazhdojë luftën e saj në mbrojtje të sovranitetit dhe vlerave evropiane. Këto tri shtete, në bazë të deklaratës së publikuar, mbështesin Ukrainën në të gjitha veprimet ligjore të ndërmarra kundër Federatës Ruse.
“Ndërsa lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës shënon një pikëkthese themelore në marrëdhëniet BE-Rusi, ne duhet t’i ripërcaktojmë parimet kryesore udhëzuese të politikës së Bashkimit Evropian ndaj Rusisë. Ne gjithashtu avokojmë për një qasje strategjike që përfshin partnerë ndërkombëtarë për ta trajtuar rindërtimin e Ukrainës në një mënyrë të bashkërenduar dhe të qëndrueshme”, thuhet mes të tjerash në deklaratë.