Seanca e shqyrtimit fillestar në rastin rezervat shtetërore ka dështuar për shkak të mungesës së ministres në detyrë të Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe mbrojtësit të Irfan Lipovicës, Fehim Alaj. Gjykata konstatoi se nuk ka pranuar fletë-kthesë nga Posta dhe i kërkoi avokatit Florent Latifaj ta njoftojë Hajdarin se seanca do të mbahet më 13 janar 2026. Për mosmbajtjen e seancës ka reaguar edhe ministrja Hajdari. Ajo ka thënë se nuk kishte ftesë, por se do të paraqitet kurdo që ka ftesë nga gjykata
Mosparaqitja e ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Fehim Alaj, avokatit të të akuzuarit Irfan Lipovica, bëri që shqyrtimi fillestar në rastin e rezervave shtetërore të dështojë.
Ridvan Muharremi dhe avokati i tij, Mahmut Halimi, u paraqitën me vonesë.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, pasi konfirmoi shtyrjen e seancës për 13 janar, theksoi se nuk kanë dëshmi nga Posta se ministrja Hajdari e ka marrë ftesën.
“Nuk kemi pranuar fletë-kthesën se e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt apo jo”, tha Syla.
Gjyqtari Syla i dha urdhër avokatit të Hajdarit, Florent Latifaj, që ta njoftojë atë për datën dhe orën e shqyrtimit fillestar.
“Për të akuzuarën Rozeta Hajdari merr obligim avokati mbrojtës, Florent Latifaj, që ta njoftojë për seancën e radhë, ndërsa për avokatin Fehim Alaj do ta njoftojë zyrtarja ligjore e zyrës së tij”, u shpreh Syla.
Ministrja në detyrë Hajdari ka shkruar në Facebook, duke thënë se nuk kishte ftesë për këtë seancë dhe kur të marrë ftesë do të paraqitet në seancën e radhës.
Posta e Kosovës nuk ka reaguar lidhur me rastin e as Gjykata Themelore në Prishtinë.
Këto institucione nuk kanë sqaruar se kujt i bie përgjegjësia për mos(dërgimin) e ftesës.
Avokati i Ridvan Muharremit shprehu shqetësim se është në pozitë juridike jo të favorshme për t’i marrë shkresat nga prokuroria, pasi tha se si ndërmarrës Muharremi nuk bën të ketë qasje në dokumente të klasifikuara.
“Kemi kërkuar deklasifikimin e dokumenteve. Ne nuk kemi pranuar t’i marrim shkresat e lëndës derisa nuk hiqet klasifikimi”, tha Halimi.
Për mungesën e avokatit Alaj, ai tha se nuk u paraqit pasi pati seancë në Gjykatën Themelore në Pejë e për këtë e kishte dërguar në seancë zyrtaren ligjore të zyrës së tij.
Alaj konfirmoi për KOHËN se kishte një seancë tjetër dhe njoftoi se nuk i ka marrë shkesat me arsyetimin se as Lipovica e as ai nuk mund të posedojë dokumente të klasifikuara.
“Ka qenë rast i caktuar më 5.11.2025 i caktuar për orën 10 pranë Gjykatës Themelore në Pejë...Sa për informimin tuaj dhe të publikut ne nuk kemi pranuar ende shkresat e lëndës. Për shkresat e lëndës, prokuroria është e vërtetë se ka çuar email për t’i pranuar, mirëpo ne nuk mund t’i pranojmë, meqenëse dokumentet janë të klasifikuara”, tha avokati Alaj në përgjigjen e tij për Kohën.
Për mosparaqitjen e Hajdarit në seancë ka reaguar zyrtarja e lartë e PDK-së, Vlora Çitaku, duke thënë se ky është sabotim i qëllimshëm i shtetit të Kosovës.
Sipas Çitakut, një veprim i tillë është thirrje për anarki dhe vetëgjyqësi. Prokuroria Speciale pretendon se ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari (MINT), ishte në dijeni se gruri që do ta importonin autoritetet e vendit për rezervën shtetërore ishte rreth 200 euro për ton më i shtrenjtë.
Aktakuza e ngarkon ministren në detyrë, pastaj zëvendëssekretarin Irfan Lipovica dhe drejtorin e Departamentit të Rezervës Shtetërore, Hafiz Gara, për korrupsion, derisa biznesmenin Ridvan Muharremi për ndihmë në kryerje të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Hajdari nuk u është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë kur është ftuar për t’u intervistuar, duke thënë se elaborimi mbi rezervën shtetërore shpalos informacione të klasifikuara si sekrete.
Prokuroria ka vlerësuar se ky arsyetim nuk qëndron, meqë është e ndaluar të klasifikohen dokumentet që dëshmojnë shkelje ligjore.
Prokuroria Speciale pretendon se me veprimet e tyre të pandehurit i kanë shkaktuar dëm shtetit në vlerë prej 2.9 milionë eurosh me importimin e grurit, prej të cilit erdhën rreth 59 tonë më pak.
Qëllimi i të akuzuarve, sipas Prokurorisë, ishte t’u bënin favor kompanive nga të cilat u importuan rezervat, përfshirë një kompani turke, e cila sipas saj pati lidhje shoqërore e biznesore me afaristin Muharremi.
Prokuroria Speciale pretendon se me veprimet e tyre të pandehurit i kanë shkaktuar dëm shtetit 2.9 milionë euro. Po ashtu pretendohet se është paguar edhe kostoja e transportit, gjë që nuk është dashur të bëhej në bazë të kontratës.
Prokuroria pretendon se dëm shtetit i është bërë edhe me porosinë e vajit dhe sheqerit, mallra që nuk i ka sjellë kompania “Xanto SP. ZO. O” me seli në Poloni. Aktakuzës Hajdari i është përgjigjur me kundërakuza në drejtim të Prokurorisë Speciale, për të cilën tha se ka shkelur ligjet në aspektin e sekretit shtetëror.
“Çdo pretendim i Prokurorisë Speciale nuk qëndron dhe vetëm afirmon tendencën politike të kësaj prokurorie ndaj Qeverisë Kurti. Çdo pretendim tjetër është pohim në dobi politike që është i palejueshëm dhe i pamoralshëm marrë parasysh periudhën ku ndodheshim më 2022. Të gjitha të ashtuquajtura prova nga Prokuroria janë mbledhur jashtëligjshëm përmes hetuesve që kanë zbatuar urdhrin e prokurorit Valdet Gashi që i ka dërguar në MINT pa certifikatë të sigurisë”, ka thënë ajo në konferencë për media pas ngritjes së aktakuzës.