Grupi “Asnjë Cent Më Shumë” ka paditur Zyrën e Rregullatorit për Energji lidhur me vendimin e tij, me të cilin është shtrenjtuar energjia elektrike për 16.1 për qind. Nëpërmjet padisë është kërkuar anulimi i vendimit, pasi që është vlerësuar se ai është i kundërligjshëm
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) është paditur të premten nga grupi qytetar “Asnjë Cent Më Shumë”.
Padia është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga avokati, Ardian Bajraktari, i cili e përfaqëson grupin që e ka kundërshtuar edhe me protesta vendimin e ZRRE-së, për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 16.1 për qind nga 1 maji.
“Kërkojmë anulimin e vendimit për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike. Vendimi është marrë me shkelje dhe është i natyrës diskriminuese. Jemi përpjekur të dëshmojmë që vendimi duhet të kthehet në piken zero, pasi ka pasoja zinxhirore dhe të pariparueshme”, ka thënë ai pas deponimit të padisë.
E në një postim të mëvonshëm në Facebook, Bajraktari ka bërë të ditur se po ashtu i është drejtuar me kërkesë Institucionit të Avokatit të Popullit që, në pajtim me misionin dhe kompetencat kushtetuese e ligjore që i ka, të përfshihet në këtë rast, pasi që në këtë mënyrë do të ndihmonte në vendosjen e drejtësisë për procesin.
Avokati i Popullit pati kërkuar ditë më parë nga Zyra e Rregullatorit për Energji që të pezullojë vendimin për shtrenjtimin e rrymës deri në përfundim të hetimeve mbi ankesat e shumta të qytetarëve, të cilat i ka pranuar ky institucion.
Sipas Avokatit të Popullit, vendimi për rritjen e tarifave është marrë në kohën kur ka boshllëk institucional.
ZRRE-ja më 16 prill ka marrë vendim për rritjen e çmimit të energjisë për 16.1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Këtë e ka bërë me gjithë protestat e organizuara dhe thirrjet e adresuara nga qytetarët për të mos e ngritur çmimin e energjisë.
Përfaqësuesi i grupit “Asnjë Cent Më Shumë”, Ali Sefaj, ka shprehur pritjen që Gjykata të vendosë konform kërkesave të parashtruara në padi.
“Gjykata është institucioni ku do ta atakojmë këtë vendim. Ne besojmë që do të vendosë konform kërkesave tona”, ka thënë ai.
Ndaj vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, mundësinë për ngritjen e një padie të veçantë e kanë paralajmëruar edhe përfaqësues të bizneseve.
Tarifat e reja kanë hyrë në fuqi që nga 1 maji. Tarifa e lartë për konsumatorët shtëpiakë, të cilët shpenzojnë më pak se 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj, është rritur nga 7.79 centë në 9.05 centë për kilovat, ndërsa ajo e ulët nga 3.34 centë, është bërë 3.88 centë për kilovat.
Ditë më parë, në disa furra është shtrenjtuar çmimi i bukës teksa shtrenjtim ka pasur edhe për kafenë në disa kafene. Është paralajmëruar gjithashtu se shtrenjtimi do të ndodhë përsëri nga muaji maj, pasi që shtrenjtimi i rrymës të hyjë në fuqi.