Liburn Aliu ka dhënë dorëheqjen nga pozita e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Aliu, që më herët llogaritej si në ndër njerëzit më të besueshëm të Kurtit, është shprehur i zhgënjyer me zgjedhjen e kolegut të partisë së tij, Dimal Basha, në pozitën e kryetarit të Kuvendit. Sa ishte ministër, Aliu është kritikuar për mospunë në infrastrukturë dhe ruajtjen e ambientit.
Ka dhënë dorëheqjen nga pozita e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, që llogaritej si një nga njerëzit më të besueshëm për kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Aliu, i cili e nisi rrugëtimin politik përkrah Kurtit ende pa u themeluar Vetëvendosja me rrjetin “KAN”, tha se arsyeja për paraqitjen e dorëheqjes së tij është zgjedhja e Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit.
“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorëzova te kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit të kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar kryeministrin Kurti për vendimin tim. Konsideroj që zgjedhja e djeshme e kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari Qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, ka thënë Aliu.
Dorëheqjen e tij kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e cilësoi si humbje të madhe.
“Ai mbetet bashkëpunëtori i vetëm i kësaj qeverie që tregoi angazhim të vazhdueshëm dhe përgjegjës për qytetarët e kryeqytetit. Largimi i tij nga institucioni nuk është vetëm një humbje për institucionet, por për të gjithë ne që besojmë tek puna dhe idealet e larta të shërbimit publik. I uroj suksese në çdo hap të ri dhe e falënderoj nga zemra për kontributin e tij të çmuar në forcimin e unitetit tonë qytetar dhe kombëtar”, ka shkruar Rama në Facebook.
E ish-kolegu i tij, tash ushtrues detyre i ministrit më detyrë në MMPHI, Hysen Durmishi, ka thënë se e ka pasur raportin e mirë me Aliun dhe nuk di më shumë për largimin e tij.
“Nuk e kam asnjë informacion përveçse statusin që e ka bërë ministri…Unë nuk kam pas asnjë informacion për këtë mund t’i pyesni të tjetër sa i përket se a ka qenë në kryesi, jo nuk ka qenë anëtar kryesie dhe nuk ka qenë as deputet... Raportin e kemi pas shumë të mirë tash është zgjedhje e tij”, ka thënë Durmishi.
Aliu, i cili nuk ishte pjesë e listës së kandidatëve të LVV-së për deputet për zgjedhjet e 9 shkurtit, është ballafaquar me Dimal Bashën sa ishte ministër.
Basha në 2022-tën e akuzonte atë se po e dërgonte në Kuvend një projektligj që ia mbante anën mafisë ndërtimore.
Në këtë ballafaqim Basha ia pati përmendur fjalët që Aliu i kishte thënë tre vjet më herët.
“Në seancën e 12 korrikut vetë ministri ka thënë që do të jetë komplet jofunksional ky ligj, përderisa qeveria juaj, për Qeverinë Haradinaj atëherë, nuk i ndal ndërtimet pa leje, edhe të vetat, edhe në krejt Kosovën”, i kishte thënë Basha – Aliut.
“Projektligji diskriminon ndërtues me leje në krahasim me ata që kanë ndërtuar pa leje, atë e them edhe tash. Por, ama është i domosdoshëm, sepse 75 për qind të ndërtimeve në Kosovë janë pa leje”, qe përgjigjur Aliu.
“Po thotë është diskriminues, unë s’po besoj që ne si Kuvend duhet të kalojmë ligje diskriminuese këtu”, ka thënë më pas Basha.
Në fushën e infrastrukturës, nën udhëheqjen e Aliut, nuk u përfunduan projektet madhore për transportin rrugor.
E për projektet si rrugët që lidhin Pejën, autostrada për Gjilanin, zgjerimi i rrugës për Podujevë e Gjakovë, nuk janë përfunduar brenda mandatit të tij.
Derisa për mospërfundimin e tyre, si ai ashtu edhe LVV-ja i ka fajësuar shpronësimet e vonesat në procedura të prokurorimit.
Aliu e konfirmoi vetë gjatë mandatit si ministër se shumica e punëve në infrastrukturë janë vazhdime të punimeve të lëna në gjysmë nga qeveritë e kaluara.
Gjatë mandatit të tij opozita e përqeshi Qeverinë për dështim në investime në infrastrukturë, tek përmendte urën në Saradran të Istogut, si një nga projektet e pakta të përmbyllura me sukses.
Ndërkaq në fushën e mjedisit, Aliu premtoi ndalim të hidrocentraleve.
“Sa jemi ne, të tria hidrocentralet s’po funksionojnë”, pati thënë Aliu.
Derisa Ministria që ai e udhëhoqi nuk dha leje për hidrocentrale të reja, Aliu nuk e përmbushi premtimin se do t’i ndalte ato ekzistueset.
Gjatë kohës sa ishte në pushtet u ballafaqua me kritika që atij ia bënë aktivistët mjedisorë, të cilët vlerësojnë se Aliu e përfundoi pushtetin me zero kontribut në mbrojtjen e ambientit