Dosja i përmban deklaratat e dëshmitarëve dhe të dyshuarve, që në këtë rast janë pesë zyrtarë policorë. Para autoriteteve ata kanë theksuar se Zejnullahu ishte në gjendje të rënduar fizike e mendore. E dëshmitari me inicialet G.B. ka deklaruar se Zejnullahu e kishte përshtypjen se po ndiqej nga dikush dhe thoshte “mos i lini të më ngucin”
Në gjendje të rënduar fizike e psikike e kanë përshkruar dëshmitarët e ngjarjes dhe zyrtarët policorë, Agon Zejnullahun, i cili vdiq në orët e para të së hënës gjatë arrestimit nga policia.
Në dokumentin e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, dëshmitari me inicialet G.B. ka deklaruar se Zejnullahu e kishte përshtypjen se po ndiqej nga dikush dhe thoshte “mos i lini të më ngucin”.
Ai ka thënë se 27-vjeçarit po i dilte shkumë nga goja dhe me të arritur patrulla policore ka tentuar të futej në veturë zyrtare.
Sipas tij, në momentin kur zyrtarët policorë ishin mbi trupin e Agonit dhe njëri prej tyre ia kishte vendosur gjurin mbi shpinë te pjesa e qafës duke e shtypur për tokë, atëherë Agoni u kishte thënë “nuk muni mem lidh se unë punoj sigurim”.
“…dhe pas këtyre fjalëve unë e kam marrë një shufër metalike, të cilën ia kam afruar zyrtarit policor, sepse i kishte rënë në tokë dhe aty i kam parë dy apo tri tuba shkumë në tokë dhe ju kam thënë zyrtarëve policorë ‘lene mos e munoni, se nuk është në gjendje me ba kurgjo’, mirëpo asnjë prej zyrtarëve nuk ka folur me mua, ndërsa më pas e kam parë se Agonin kanë tentuar ta ngritin në këmbë, por që ka qenë pa vetëdije”, ka thënë dëshmitari G.B.
Në vendin e ngjarjes si kalimtarë ishin prezentë edhe prokurori Ardian Emini dhe gjyqtarja Elvira Emini, të cilët po ashtu kanë dhënë deklarata. Gjyqtarja ka thënë se edhe është sulmuar nga i ndjeri.
Në cilësi të të dyshuarit para prokurorit të shtetit është intervistuar edhe rreshteri Ibrahim Nela, i cili ka deklaruar se me të mbërritur në vendngjarje, Zejnullahu ka tentuar të futet në veturën e policisë.
Nela ka thënë që policët janë munduar që ta qetësojnë të riun e më pas zyrtari policor Albian Retkoceri është detyruar të përdorë sprej lotsjellës për ta ndalë sulmin.
Pas kësaj, sipas Nelës, Zejnullahu është futur në një veturë dhe i ka ngritur duart për të mos e sulmuar.
Rreshteri Nela ka thënë se gjatë kohës sa 27-vjeçari po qëndronte në veturë, ka arritur edhe asistenca e njësitit tjetër policor me dy zyrtarë. Dhe teksa kanë qenë duke biseduar me të për ta qetësuar, ai ka dalë me vrull nga vetura dhe për ta ndalur, rreshteri Nela ka thënë se e ka kapur nga krahu.
“Ndërkohë kanë reaguar edhe zyrtarët policorë të tjerë për ta futur nën kontroll dhe të njëjtit ia kemi vendosur prangat. Gjatë tërë kohës i njëjti ka rezistuar duke mos i afruar duart dhe duke gjuajtur me shqelma edhe pse ka qenë i shtrirë me gjoks për tokë, por vlen të ceket se qytetari ka qenë i ushtruar fizikisht dhe ka pasur forcë shumë të madhe, edhe pse në pamje të parë nuk dukej dhe kjo ka qenë arsyeja që është dashur të përdoret forca duarthatë për ta futur nën kontroll”, ka thënë rreshteri Ibrahim Nela, tash edhe i dyshuar për këtë rast.
Pas kësaj Nela ka thënë se është vërejtur se Zejnullahu nuk është mirë dhe i kanë hedhur ujë. Ai ka thënë se edhe autoambulanca është vonuar shumë.
E polici Retkoceri, i cili ka arritur bashkë me rreshterin Nela në vendngjarje ka thënë se Zejnullahu e ka sharë atë.
“Xhamin e kam pasur të hapur komplet dhe personi i dyshimtë si na ka parë neve, ka kërcyer në drejtim tonin me na sulmuar, duke na sharë “unë ja u q* nanen”, unë pasi qe isha duke vozitur, në pamundësi për të reaguar, kam lëvizë me veturë në drejtim të rrugës “Hajredin Bajrami” rreth 15 metra, aty pastaj se bashku me mbikëqyrësin kemi dalë nga vetura dhe i dyshimti ka ardhur prapë në drejtim timin për të më sulmuar fizikisht”, ka deklaruar Retkoceri.
Ndërkaq, i dyshuari Artidon Konxheli ka deklaruar se sa ishte duke vozitur, ka vërejtur se kolegët e tij po tentonin t’i vendosnin prangat dhe ka dalë nga vetura dhe ka shkuar të asistojë.
“Aty kam dëgjuar se kolegët e mi, Rreshter Ibrahim Nela dhe polici Albian Ratkoceri, ishin duke i folur në mënyrë që ta qetësonin, mirëpo personi dukej qartë se nuk po përmirësohet. Pas disa minutash, kam marrë urdhër nga Rreshteri që veturën qe isha duke e vozitur e cila ishte në kahun tjetër të lëvizjes ta kthej mbrapa dhe ta bllokoj shiritin qarkullues ne te cilin ishte duke ndodhur ngjarja”, ka thënë Konxheli.
I dyshuari tjetër, zyrtari policor Liridon Rrahmani, ka thënë se e ka asistuar rreshterin dhe në ato momente të gjithë zyrtarët policorë e kanë përdorur forcën “duarthatë”. Sipas tij, tani i ndjeri përdorte gjuhë të çuditshme.
“U kthejke mbrapa nga makina, edhe pse në makinë nuk ishte askush, duke bërtitur me zë: largohuni prej meje, s’po du me ju pa, nuk po ju njoh”, po ashtu ka përdorur edhe fjalë të cilat nuk kemi mundur ta kuptojmë se çka po thotë, i cili ishte ulur në veturën siç e ceka më lart në karrigen e shoferit, por i njëjti dy këmbët i kishte jashtë makine dhe në mënyrë të pakontrolluar e kapte derën e makinës për ta mbyllur me çka i godiste këmbët e veta duke mos pasur kontroll në veprimet e tij”, ka deklaruar i dyshuari Rrahmani.
E Endrit Beqiri ka deklaruar se ka qenë duke u kthyer në shtëpinë e tij kur po kryhej ndërhyrja e policisë. Ai ka thënë se gjatë asistimit në arrestim, në asnjë moment nuk ka qenë i vendosur mbi trupin e personit për ta neutralizuar, por veprimi i vetëm ka qenë vendosja e dorës në pozitën për prangosje.
“Në këto momente, pasi tre zyrtarë policorë e kapën personin mbrapa meje, sa unë isha në veturë, ka vrapuar një zyrtar policor drejt personit për t’iu asistuar kolegëve të tij, rrugës zyrtarit policor i bie shufra afër veturës time pastaj kam dalë nga automjeti, e kam kapur shufrën, ja kam ofruar kolegut të cilit i ra dhe këtu kam vërejtur se të njëjti nuk po arrijnë ta futin nën kontroll, duke ja kthyer dorën në pozicionin për ta prangosur dhe unë i kam ndihmuar zyrtarit policor, i cili nuk ka arrinte ta kthente dorën në pozicionin për prangosje, duke qenë se personi ishte shumë i fuqishëm”, ka deklaruar ai. Të mërkurën, Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim që 5 policët e arrestuar nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia, të dërgohen në paraburgim prej 30 ditësh”, ka thënë Beqiri.