Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, u ka bërë thirrje disa ambasadorëve, pa përmendur emra, që të mos ndërhyjnë në punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Këtë deklaratë, nuk ka pranuar ta komentojë ambasadori francez, Oliver Guerot, që vizitoi këtë institucion për herë të fundit, para një muaji
Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot, nuk ka pranuar të komentojë deklaratën e deputetit nga radhët e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, i cili në një shkrim në rrjetet sociale i luti disa nga ambasadorët “të mos e shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese me vizita e ndërhyrje”.
“Nuk kam asnjë koment. Faleminderit! Dhe të mos kesh një koment, është një koment”, ka thënë ambasadori francez.
Vetë Guerot, për herë të fundit ka vizituar Kushtetuesen para një muaji. Ai nuk deshi të komentojë as vizitën që i bëri të premten kryeministrit Albin Kurti, pak pasi presidentja Vjosa Osmani nxori dekretin për shpërndarje të Kuvendit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE deputeti Rrustemi në postimin e tij nuk ka përmendur emra, por u është drejtuar disa ambasadorëve të akredituar në Kosovë.
“I lus disa ambasadorë që të mos e shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese me vizita, takime e ndërhyrje, sepse dëmet për vendin tonë do të jenë të pariparueshme”, ka shkruar Rrustemi.
Pak orë më vonë, ai bëri edhe një postim të ngjashëm, por pa përmendur faktorin ndërkombëtar.
“Në këtë periudhë është me rëndësi ta lënë edhe Gjykatën Kushtetuese ta trajtojë rastin pa ndikime, pa ndërhyrje dhe në mënyrë të paanshme”, ka shkruar ai.
Gjykata Kushtetuese aktualisht po e shqyrton ankesën e Vetëvendosjes për dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit.
Më 9 mars, Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme ndaj dekretit me afat deri më 31 mars, periudhë gjatë së cilës presidentja nuk mund të shpallë zgjedhje të reja, kurse Kuvendi i Kosovës nuk mund të zhvillojë aktivitetin e tij.
Dekreti i Osmanit për shpërndarje të Kuvendit u nxor pas dështimit që më 5 mars të zgjidhet presidenti i ri, kur edhe ishte afati i fundit kushtetues.
Në seancën e 5 marsit, LVV-ja i paraqiti dy kandidatë për presidentë: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, pasi bisedimet paraprake mes partisë në pushtet dhe dy partive kryesore opozitare për një emër konsensual nuk dhanë fryt.
Seanca u ndërpre në mungesë kuorumi, pasi në sallë nuk ishin deputetët e opozitës.
Edhe për këtë çështje, Kushtetuesja ka pranuar një kërkesë nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.