LAJMET E MBRËMJES

Çmimet e banesave në rritje të vazhdueshme

Agjencia e Statistikave ka publikuar për herë të parë Indeksin e Çmimeve të Pronave të Banimit, i cili tregon për dinamikën e rritjes së tregut të patundshmërive në Kosovë. Të dhënat që flasin për periudhën 2019-2025 tregojnë se çmimet e banesave janë rritur pothuajse çdo vit, ndërsa vitet 2022 dhe 2024 janë ato kur çmimet e banesave u rritën më së shumti

Çmimet e banesave kanë shënuar rritje prej 4.2 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. 

Sipas Indeksit të Çmimeve të Pronave Banesore, i cili është publikuar për herë të parë nga Agjencia e Statistikave, rritje më të madhe të çmimeve pati në rajonin e Prishtinës me 6.5 për qind.

Të dhënat që flasin për periudhën 2019-2025 tregojnë se çmimet e banesave janë rritur çdo vit, por rritje më të madhe kishte në vitet 2022 dhe 2024.

Drejtori ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, ka thënë se për herë të parë në Kosovë po publikohet një indeks i standardizuar për çmimet e pronave banesore.

“Sot për herë të parë ASK-ja e publikon një raport të rëndësishëm jo vetëm për vendin, por edhe për institucionet ndërkombëtare. Është për herë të parë në Kosovë matet indeksi i pronave banesore në Kosovë”.

Përfaqësuesi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), Kujtim Mustafa, ka sqaruar se procesi për krijimin e këtij indeksi nuk ka qenë i lehtë.

Sipas tij, sfidat më të mëdha vijnë nga mungesa e harmonizimit ligjor dhe hezitimi për shkëmbimin e të dhënave ndërinstitucionale.

“Meqenëse kemi kaluar sfidën e digjitalizimit të këtyre, sfidë është procesi ligjor ku shumë institucione akoma hezitojnë në shkëmbimin e këtyre informatave për shkak se thonë se bazuar në ligjin që kemi, në institucionin tonë nuk mundemi me i shpërnda. Fatmirësisht ASK dhe AKK ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer që kemi shpërndarë të dhënat që posedojmë dhe i grumbullojmë prej të gjitha komunave në Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Indeksi i Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) mat ndryshimet e çmimeve, duke përdorur dy tregues kryesorë: ndryshimet vjetore në përqindje, duke krahasuar një tremujor të vitit referues me vitin paraprak, si dhe ndryshimet tremujore në përqindje, duke krahasuar tremujorin referues me tremujorin paraprak.