Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për spiunazh ndaj Hysri Selimit. Sipas aktakuzës, Selimi për gati 16 vjet ka bashkëpunuar me Agjencinë për Inteligjencë dhe Siguri të Serbisë. E në aktakuzën e siguruar nga KOHA thuhet se me kërkesë të BIA-s, Selimi i është bashkuar grupit terrorist të ISIS-it në Siri për të dërguar informacione mbi shqiptarët që kanë marrë pjesë në konfliktin në Lindjen e Mesme.
Në aktakuzë ofrohet edhe transkriptimi i deklaratës që Selimi e ka dhënë para Prokurorisë e në të cilën ka thënë se për të udhëtuar drejt Sirisë ka kërkuar nga BIA një shtëpi në Ulqin, me vlerë prej 500 mijë eurosh, një veturë të mirë dhe pagesë mujore prej 1000 eurosh.
Si i nisi takimet me “shefin kryesor të terrorizmit në BIA”?
“Meqenëse në vitin 2013 djali im G. u burgos në Kosovë për shkak të terrorizmit, atëherë jam vënë në kontakt me zyrtarin e BIA-së, Igor Babiq, i cili në atë takim më ka njoftuar se Igori është përgjegjës për terrorizëm, ku Igori më ka thënë se jam shefi kryesor i terrorizmit në BIA. Nga aty kam vazhduar takimet me Igor Babiq, dhe me të njëjtin jemi marrë vesh që për informacionet që do t’ia jap, ai në fillim do të më paguante 200 euro në muaj, ndërsa më vonë ka filluar të më paguante 250 euro. Igori nga unë kërkonte gjithmonë emrat e hoxhallarëve të sektit Vehabist, aktivitetin e tyre, rastin e djalit tim se me kënd po shoqërohet, nga po financohen, duke pyetur se a po shoqërohen me grupe nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Igori më shumë interesohej për Vehabistët, për hoxhallarët si Zeqirja Qazimi, Nagip Latifi, Llukmani nga Gjilani, Rexhep Memishi etj.”, citohet të ketë thënë Selimi.
Çka ka deklaruar ai për shkuarjen në Siri?
“Po, në lidhje me shkuarjen time në Siri kam pasur kërkesa të vazhdueshme nga BIA, duke më ofruar 5000 euro vetëm të shkoj në Siri, dhe t’i bashkëngjitem grupeve terroriste atje. Nga Igori dhe shefi i Igorit, jam udhëzuar që të shkoj në Siri dhe të marr informacione rreth grupeve shqiptare, se si po luftojnë atje, si janë të organizuar dhe ku po gjenden. Gjatë takimit që e kam zhvilluar në Vranjë me Igorin dhe shefin e tij, i cili e ka pasur një pikë të zezë në faqe, ka qenë zeshkan, më ka thënë se çka kërkon ti që të shkosh në Siri. Unë kam kërkuar nga ata që të më japin një shtëpi në Ulqin, një pagë mbi 1000 euro në muaj dhe një veturë të mirë. Dua të potencoj që shtëpia që e kam potencuar që të ma blejnë ka qenë shtëpia e një personi me emrin Selver, me një vlerë rreth 500.000 euro. Të gjitha këto kërkesa që i kam parashtruar para zyrtarëve të BIA-së për të shkuar në Siri, i ka pranuar shefi i Igorit, siç e ceka, një person zeshkan me një pikë në faqe, i cili dukej të jetë i plotë, dhe më ka premtuar se të gjitha kërkesat tuaja do të realizohen. Para se të nisem në Siri, Igori më ka dhënë 800 euro dhe tre telefona me qëllim që të komunikoj me ta në lidhje me informacionet që do t’i siguroja në Siri. Kam shkuar përmes Stambollit më datë 22.11.2015, së bashku me vajzën dhe gruan, dhe kemi mbetur pa para, ku kemi shkuar në një xhami për të pushuar dhe kam kërkuar nga Igor Babiq të më dërgojë para, se kemi mbetur rrugëve. Igori pastaj më ka thirrur në telefon dhe më ka thënë se t’i kam dërguar 400 euro përmes një autobusi që ka udhëtuar nga atje nga Novi Pazari, dhe më ka thënë shko merri te një hotel me emrin “Pajaziti”. Më pas kam dalë në Siri dhe iu kam bashkangjitur ISIS-it, duke mos e ditur që është organizatë terroriste dhe për shkakun që nuk kam pranuar të pajisem me armë, për arsye se nuk kam ardhur me luftuar por kam ardhur me martuar vajzën, dhe më kanë mbajtur në burg për një kohë të gjatë. Për këtë rast veç jam i dënuar nga Gjykata në Kosovë.”
Në pyetjen e prokurorit të shtetit, se kur jeni kthyer në Kosovë dhe pasi keni dalë nga burgu, a keni vazhduar komunikimin me zyrtarët e BIA-së? I pandehuri përgjigjet:
“Nga shtatori i 2023 jam takuar me Igor Babiqin dhe me të njëjtin kemi vazhduar bashkëpunimin, dhe për informacionet që m’i kërkonte Igori e që kishin të bënin me grupet Vehabiste, mexhliset, unë jam paguar nga Igori në shumë prej 500 euro. Ndërsa kur mungoja më paguante nga 700 euro, dhe kryesisht janë ato gjëra që kam dëgjuar që kanë dalë në media e të gjitha janë të miat, të gjitha këto veprime i kam marrë unë.”
