Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

BE: Kurti u zotua se do të konsultohet me serbët dhe me Sorensenin për integrimin e sistemeve paralele

Bashkimi Evropian Kosova

Foto: Ilustrim

Statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore që Serbia i mbështet në Kosovë do të zgjidhet në kuadër të dialogut e në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe ligjet në fuqi të Kosovës, thonë zyrtarët e BE-së. Në një përgjigje për KOHËN, zyrtarët e Bashkimit Evropian theksuan se për këtë kanë marrë zotim nga kryeministri Kurti

Në Bashkimin Evropian kanë thënë se kryeministri Albin Kurti është zotuar që ta adresojë integrimin në sistemin e Kosovës të strukturave paralele serbe të shëndetësisë dhe arsimit në konsultim me serbët e Kosovës dhe me emisarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen. 

Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i BE-së ka thënë se vazhdimisht e ka potencuar që statusi i institucioneve shëndetësore dhe të arsimit, të mbështetura nga Serbia, duhet të adresohet në dialogun Kosovë-Serbi, në përputhje me marrëveshjet e dakorduara dhe me ligjet e Kosovës. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kryeministri i Kosovës është zotuar që ta adresojë integrimin e strukturave shëndetësore dhe të arsimit, të mbështetura nga Serbia, në konsultim me serbët e Kosovës dhe BE-në, në veçanti me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Beograd – Prishtinë”, janë përgjigjur në BE.

Institucionet shëndetësore dhe arsimore në mjediset me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë në bazë të sistemit të Serbisë dhe janë pothuajse të vetmet që autoritetet kosovare nuk i kanë mbyllur. 
Kryeministri Albin Kurti para një muaji, në një takim me ambasadorë, ka thënë se integrimin gradual të sistemeve paralele shëndetësore dhe arsimore në kuadër të institucioneve të Kosovës do ta bëjë në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe komunitetin serb. 

Pas këtij njoftimi, përfaqësues serbë, nëpërmjet një deklarate, kanë dalë kundër çdo veprimi të autoriteteve për shkrirjen e këtyre institucioneve paralele në sistemin e Kosovës, teksa kërkuan që kjo çështje të zgjidhet vetëm në kuadrin e dialogut të Brukselit. 

Por, në përgjigje të kësaj deklarate, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pati thënë se do të respektohet vetëm ligji.

Zbatimi i plotë i këtij ligji mund të ndikojë në funksionimin e institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe, pasi personat që nuk posedojnë dokumente të Kosovës duhet të kenë leje pune ose licencë për ushtrimin e veprimtarisë, për të cilën kërkesa paraqitet në Agjencinë e Punësimit të Kosovës. Në praktikë, marrja e lejes së punës apo e licencës për arsimim mund të jetë problematike, pasi Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë, të cilat i konsideron paralele dhe të paligjshme.

Kosova dhe Serbia u pajtuan për Asociacionin më 2013 dhe ai përmendet edhe në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të cilën dy vendet e kanë pranuar në vitin 2023. Sipas një draft-statuti që hartoi Bashkimi Evropian, Asociacioni do të duhej ta rregullonte edhe çështjen e të hyrave, përkatësisht financimin nga buxheti i Serbisë.

Ndërkaq, njoftimi për nisjen e integrimit të institucioneve arsimore dhe shëndetësore përkon me fillimin e zbatimit të fazës së parë për zbatimin e plotë të Ligjit për të huajt, që do të zgjasë deri më 15 mars dhe parasheh një periudhë informimi.