Një ditë pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se konstituimi i Kuvendit nuk përmbyllet pa zgjedhjen e nënkryetarit serb, ka reaguar Zyra e Bashkimit Evropian. Shefi i saj, Aivo Orav, ka kërkuar konstituim të shpejtë të Kuvendit, si dhe formim të qeverisë së re
Konstituimin sa më të shpejtë të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re ka kërkuar të mërkurën shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav.
Një ditë pasi që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar me aktgjykim se seanca konstituive nuk është e përmbyllur pa zgjedhjen e një nënkryetari serb të Kuvendit, Orav ka thënë ky vendim është aktualisht duke u analizuar.
“Ne, ashtu sikurse njerëzit në Kosovë, e kemi marrë këtë informacion tash kohët e fundit, në të njëjtën mënyrë, edhe bashkësia ndërkombëtare e mori po ashtu kohët e fundit, dhe ne po e analizojmë për momentin. Por, sigurisht, shpresa jonë është që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe shpresojmë shumë që edhe të ketë një qeveri të plotë sa më shpejt”, ka thënë Orav në një deklarim për media të mërkurën.
Thirrje për konstituimin e Kuvendit në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese është bërë edhe nga misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Nëpërmjet një reagimi pas vendimit të Kushtetueses, në OSBE kanë kërkuar që vendimet e gjykatës “të respektohen dhe zbatohen plotësisht, pa ndikim ose ndërhyrje të panevojshme”.
E Vullnet Bugaqku, i cili është hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka shprehur pritjen që aktgjykimi i plotë i Kushtetueses të jetë më i qartë dhe më konciz për sa i përket rrugës që duhet të ndiqet.
“Gjykata duhet të japë sqarim në tri çështje. Pra, a ka qenë në rregull ndarja e procedurës së votimit, a ka qenë në rregull procesi i shortit, i aplikuar nga ana e kryetarit të Kuvendit dhe, rrjedhimisht, a ka qenë në rregull mënyra e propozimit të kandidaturave për nënkryetar të Kuvendit”, ka thënë ai në emisionin “60 minuta” të KTV-së.
Më 9 tetor bëhen tetë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë. Që atëherë, me gjithë përpjekjet e bëra deputetët e rinj kanë dështuar që ta konstituojnë legjislaturën e nëntë dhe kësisoj kanë ngecur edhe në zgjedhjen e qeverisë së re.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, e ka parë sfiduese mungesën e vullnetit politik për formimin e institucioneve të reja.
“Së fundmi, sfidën më të madhe e kemi mungesën e vullnetit politik për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e qeverisë dhe institucioneve të tjera që funksionojnë pas zgjedhjeve”, ka theksuar ai.
Të martën, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Kuvendi nuk konstituohet pa zgjedhjen e nënkryetarit serb. Gjykata në vendimin e saj ka dhënë edhe dy urdhra. Njëri është që seanca konstituive të përfundojë brenda 12 ditëve nga publikimi i aktgjykimit, aq sa kanë mbetur nga afati i dhënë për konstituimin e Kuvendit. Dhe urdhri i dytë është që gjatë zgjedhjes së nënkryetarit serb, deputetët “të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”.
Në vendim, Kushtetuesja nuk e ka konsideruar në asnjë pikë jokushtetuese ndarjen e votimit për nënkryetarët nga radhët e komuniteteve. Sipas njoftimit nga Kushtetuesja, derisa aktgjykimi të shpallet në “Gazetën Zyrtare”, do të mbetet në fuqi masa e përkohshme me të cilën deputetëve u ndalohet që të ndërmarrin çfarëdo veprimi, përfshirë edhe ato në drejtim të formimit të qeverisë së re.
Në fund të gushtit, Kuvendi i ka zgjedhur kryetarin dhe katër nga pesë nënkryetarët, duke e ndarë procesin e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë me atë të nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb. Votat e mjaftueshme nuk i ka marrë asnjë nga deputetët e komunitetit serb për nënkryetar të Kuvendit e pas përmbylljes së procesit të votimit, kryeparlamentari i ri, Dimal Basha, e ka shpallur të mbyllur seancën konstituive.