Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, është kritikuar si bashkautor i një teksti në të cilin shkruhej ndër të tjera se UÇK-ja u financua nga trafikantët e drogës. Ndonëse nuk është fare i ndarë në kapituj, Basha deklaroi se pjesën ku pretendohet një gjë e tillë e ka shkruar bashkautorja Jana Arsovska. Pas kritikave të shumta që i mori në publik për artikullin, Basha në konferencë për media tha se e vetmja pjesë që e ka shkruar ai është kapitulli mbi fundamentalizmin islamik.
Një orë para vazhdimit të seancës konstituive, kryetari i Kuvendit Dimal Basha dha versionin e tij, pas reagimeve të shumta publike për artikullin ku është bashkautor e ku ishte shkruar se UÇK-në e financonin narkotrafikantët.
Kryeparlamentari Dimal Basha i quajti të ulëta, siç tha ai, akuzat ndaj tij.
Ndonëse artikulli nuk i ka të ndara pjesët që i ka shkruar secili bashkautor, kreu i sapozgjedhur i legjislativit, ia hodhi përgjegjësinë bashkautores Jana Arsovska për pjesën që thoshte se UÇK-ja financohej prej trafikantëve të drogës.
"Është jashtëzakonisht e lodhshme që në këtë vend shpifjet nuk kanë të ndalur dhe prandaj ndiej përgjegjësinë që të sqaroj para qytetarëve për akuzat e ulëta që janë ngritur kundër meje... Unë asokohe kam bërë hulumtim për depërtimin e islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, por që gjithmonë ka pasur një fokus në Kosovë. Unë e kam dërguar hulumtimin që lidhet me vetëm me këtë temë dhe këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë”, tha Basha.
Basha tek u distancua nga përmbajtja e artikullit ku figuron si bashkautor, tha se e ka të shenjtë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Kurrë në jetën time nuk është shkruar dhe nuk do të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë”, tha Basha.
Bashkautorësia e Bashës në artikullin “Globalizing the Western Balkans: Transnational Crime, Fundamental Islam and Unholy Alliances” ku thuhet se UÇK-ja financohej nga krimi i organizuar ka nxitur reagime të shumta.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se qëndrimet e Dimal Bashës janë antikombëtare e ka kërkuar shkarkimin e tij.
E ish-opozita hodhi akuza ndaj LVV-së.
"Edhe kryekuvendari i ri, me artikullin e tij morbid kundër UÇK-s, i cili doli dje në pah, vetëm sa e konfirmon filozofinë e Vetëvendosjes: sa më shumë të distancohesh nga UÇK-ja, aq më shpejt ngjitesh në parti. Kjo edhe mund të jetë formula e tyre e brendshme", tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
"Mendoj që Dimali është përfaqësues autentik i VV-së dhe e tillë është Vetëvendosja, dhe populli duhet me e kuptu cila është qasja e të menduarit politik në Kosovë", tha deputeti i LDK-së, Arben Gashi.
"Sa u përket shkrimeve të Dimalit dhe atyre, ju e dini se qëndrimet i kam të qarta se nuk i shërbejnë agjendës së Kosovës këta njerëz, e kam deklaruar me kohë. Ka edhe shumë të tjerë që në momente të caktuara e kanë sulmuar UÇK-në, ju e dini sa i sulmuar kam qenë dhe jam kohë pas kohe. T’ju them të drejtën, nuk më bëjnë shumë përshtypje këto më. Nuk mund të ankohemi pasi të ndodhë", tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Për artikullin e 2012-s, që doli në pah pasi ai u zgjodh Kryetar i Kuvendit, Basha i bëri përgjegjës gazetarët siç u shpreh “të ashtuquajtur” të cilët, sipas tij, shërbehen me burime nga gazeta të Serbisë dhe ia kanë mbajtur anën Listës Serbe.
Pas konferencës ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke thënë se e dënojnë “gjuhën e papranueshme dhe shumë të rrezikshme” të Bashës dhe e sheh atë si “vazhdimësi e sulmeve, ofendimeve dhe akuzave të tij ndër vite ndaj mediave”.