LAJMET E MBRËMJES

Ambasada e Gjermanisë i reagon Serbisë: Së pari fshini para derës suaj

Gjermania i ka ftuar autoritetet në Kosovë që të përmbahen nga veprimet që mund ta përshkallëzojnë situatën në veri. Nëpërmjet një reagimi të mërkurën, në këtë ambasadë e kanë porositur Serbinë se është obligim edhe i saj ulja e tensioneve. Po ashtu e kanë kritikuar Beogradin zyrtar për mosnxjerrjen para drejtësisë të të akuzuarve për sulmin në Banjskë, e të cilët vazhdojnë që të strehohen në Serbi

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë i ka reaguar drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, duke thënë se ulja e tensioneve duhet të vlejë barabartë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. 

Në një reagim të mërkurën, në Ambasadën gjermane kanë thënë se e kanë marrë parasysh letrën e fundit të Petkoviqit, i cili ka kërkuar nga Perëndimi që t’i ndalë “veprimet përshkallëzuese të Prishtinës” lidhur me ndërtimin e planifikuar të të dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Në këtë letër, Petkoviqi e ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po i përdor urat mbi Ibër – lumin që e ndan Mitrovicën në jugun me shumicë shqiptare dhe në veriun e banuar kryesisht me serbë – për “fushatë zgjedhore”, pasi që zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor.

Në Ambasadën gjermane i kanë bërë thirrje Qeverisë në Kosovë që të përmbahet nga “veprimet përshkallëzuese” teksa Petkoviqit ia ka përmendur dështimin e Serbisë për t’i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin e fundshtatorit të vitit 2023 në Banjskë, gjatë të cilit është vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.

“Thirrja për ulje të tensioneve duhet të vlejë në mënyrë të njëjtë për të dyja palët. Sigurisht që nuk është Qeveria e Kosovës ajo që po dështon t’i zbatojë masat ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për sulmin e tmerrshëm në Banjskë. Fakti që udhëheqësi i vetëshpallur i këtij sulmi, serbi i Kosovës dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiqi, e pranoi publikisht përgjegjësinë dhe megjithatë vazhdon të lëvizë lirshëm në territorin serb, i minon thellësisht përpjekjet për ta nxitur besimin dhe llogaridhënien në rajon”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane në Prishtinë.

Kosova ka lëshuar fletarrestim për Radoiçiqin dhe ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia që ta ekstradojë atë, porse kjo nuk ka ndodhur me gjithë trysninë nga Perëndimi që Beogradi zyrtar të bashkëpunojë për zbardhjen e rastit. Tre nga 45 të akuzuarit për rastin e Banjskës janë duke u përballë me gjyq në Kosovë.

Në reagimin e së mërkurës, në Ambasadë e kanë përmendur edhe një proverb të shkruar në gjuhën gjermane.

“Në gjermanisht ne themi: ‘Erstmal vor der eigenen hausturh kehren’ – së pari fshini përpara derës suaj. Duke e kthyer në situatën aktuale, ky proverb na kujton se duhet ta rregullosh shtëpinë tënde përpara se ta qortosh vazhdimisht Kosovën për vendimet e saja”, është thënë në reagim. 

Në Ambasadën gjermane kanë thënë po ashtu se mosveprimi i Serbisë në ndjekjen penale të shkelësve të dhunshëm është po aq për keqardhje dhe kundërproduktive sa çdo masë e pakoordinuar nga pala kosovare. 

Petkoviq në një deklaratë për “Tanjug” ka thënë se Kurti është duke e rrezikuar “mbijetesën e serbëve në Kosovë”, me anë të ndërtimit të urave të reja mbi Ibër. 

Për projektin e urave, të mërkurën ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ka thënë se u është ankuar shteteve të QUINT-it.

“Ata kanë bërë gjithçka dhe tani kemi parë që i kanë vendosur gurthemelet për dy ura, dhe ai (Albin Kurti) e ka bërë këtë pa e marrë pëlqimin e popullit serb dhe njerëzve të Mitrovicës së Veriut. Kjo nënkupton eksod përfundimtar”, ka thënë Vuçiqi.

Gurthemeli për dy ura, njëra për këmbësorë dhe tjetra për qarkullim të automjeteve, është vënë të martën, pranë asaj qendrore që është mbajtur e mbyllur për vetura që nga përfundimi i luftës.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se projekti, me vlerë prej rreth 3 milionë eurosh, ka për qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet banorëve nga të dyja anët e lumit.