Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

75 vjet burgim për pesë të akuzuarit në rastin e 400 kilogramëve kokainë

75 vjet burgim për pesë të akuzuarit në rastin e 400 kilogramëve kokainë

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me 75 vjet burgim dhe me 108 mijë euro gjobë pesë të akuzuarit për krim të organizuar lidhur me veprën penale shitje, blerje apo posedim të narkotikëve. Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë - Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi e Fehmi Bytyqi

Me 75 vjet prapa grilave janë dënuar të enjten të akuzuarit për pjesëmarrje apo për organizim të grupit kriminal lidhur me shitjen, blerjen ose posedimin e 400 kilogramëve kokainë.

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i kryesuar nga gjyqtari Ngadhnjim Arrni, e ka shpallur këtë aktgjykim, duke i dënuar me 20 vjet burgim pronarin e kompanisë “MC Foods”, Izet Sheqiri dhe menaxherin Faton Vrajolli, me 15 vjet burgim komercialistin Kadri Sheqiri, ndërsa me nga 10 vjet burgim depoistin Kadri Brahimi dhe shoferin Fehmi Bytyqi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Të akuzuarin Izet Sheqiri e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 20 vjetësh dhe 60.000 euro gjobë për veprën penale të parë, ndërsa për veprën penale të dytë 3.000 euro gjobë, gjithsej 63.000 euro gjobë. Në dënimin e shqiptuar me burgim i llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit. Të akuzuarin Faton Vrajolli e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 20 vjetësh dhe 30.000 euro gjobë”, ka theksuar Arrni.

Për dy të akuzuarit, të cilët deri më tani janë mbrojtur në liri, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për t’i dërguar në paraburgim. 
“Të akuzuarve Izet Sheqiri, Faton Vrajolli dhe Kadri Sheqiri iu vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë sesa aktgjykimi i shqiptuar, ndërsa me aktvendim të veçantë të akuzuarve Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi u caktohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar”, ka theksuar gjyqtari.

Trupi gjykues ka urdhëruar njashtu shkatërrimin e substancës narkotike të ardhur në Kosovë nga Brazili.

Pas shpalljes së aktgjykimit, njërit prej të akuzuarve i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe i është nevojitur ofrimi i ndihmës mjekësore.

E në Prokurorinë Speciale e kanë përshëndetur vendimin e Gjykatës Themelore.
Në Prokurori kanë vlerësuar se aktgjykimi është në proporcion me rastin që lidhet me trafikimin e narkotikëve të nivelit ndërkombëtar.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e mirëpret vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dënimin e të akuzuarve I.Sh., F.V. K.Sh. K.B. dhe F.B. për veprën penale të krimit të organizuar, që ka të bëjë me substancë narkotike, i njohur si rasti 400 kg kokainë. Prokuroria, vendimin e konsideron në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe si një hap të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve”, kanë thënë në Prokurorinë Speciale.

Por avokatë të të pandehurve kanë paralajmëruar se do ta shfrytëzojnë të drejtën për ankesë ndaj vendimit.

“Jam i bindur me tërë qenien time që Faton Vrajolli është i pafajshëm. Këtë vepër nuk e ka kryer dhe jo vetëm që nuk e ka kryer, por nuk ka lidhje me atë narkotik. Faton Vrajolli ka porositur, siç ka porositur çdoherë produkte mishi, e pse ka ardhur narkotiku, Faton Vrajolli nuk e di”, ka thënë Leutrim Syla, avokat i Faton Vrajollit. 
E avokati Ramë Dreshaj, i cili e përfaqëson të pandehurin Fehmi Bytyqi, ka theksuar se vetë përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të klientit të tij është indikacion i pafajësisë së tij. 
“Nga përvoja ime e leximeve (të aktgjykimeve), ja si është gjendja e tij, ja ku e keni ndihmën e shpejtë. Po të ishte fajtor klienti im, ndoshta duke qeshur nuk do ta pranonte këtë aktgjykim, por në njëfarë forme do të ishte më i përgatitur, por s’e ka kryer veprën dhe ky është befasuar”, ka theksuar ai.

Krahas 400 kilogramëve narkotikë, bazuar në aktin akuzues, drejt “MC Foods” nga kompania “Seara” e Brazilit u pati nisur gjithashtu edhe një dërgesë prej 109 kilogramësh kokainë, si dhe një tjetër prej 218 kilogramësh kokainë, porse këto lëndë janë konfiskuar nga autoritetet kufitare të porteve në Spanjë.