LAJMET E MBRËMJES

28 Nëntori bashkon shqiptarët në Prekaz

Në këtë 28 nëntor është shënuar edhe ditëlindja e shtatëdhjetë e komandantit legjendar, Adem Jashari, si dhe përvjetori i 28-të i daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare. Shumë qytetarë, personalitete dhe përfaqësues politikë e kanë vizituar Prekazin, në këtë ditë të përvjetorëve të shumtë

Rrugët që shpijnë drejt Prekazit u mbushën plot me makina, autobusë dhe flamuj kuqezi që nga mëngjesi i së premtes. Qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare e mësynë kompleksin memorial “Adem Jashari”, për ta festuar 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si dhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari.

Për shumë prej vizitorëve nga Shqipëria, kjo ka qenë hera e parë që shkelin në Prekaz, aty ku historia edhe ndihet.

“Unë kam ardhur kastile nga Elbasani për këtë ditë të shënuar. Jemi një komb, pavarësisht që ka hequr populli shqiptar, populli i Kosovës me Adem Jasharin në krye që bëri luftë heroike… Shyqyr që ia arritëm ditën, ne kemi ardhur të festojmë Ditën e Flamurit”, ka thënë një vizitore nga Elbasani.

E Anila Kapllani ka udhëtuar nga Fieri për të performuar në këtë ditë feste.

“Kënaqësia është e jona që ndodhemi sot mes jush t’i gëzojmë festat dhe të këndojmë e të përcjellim nëpërmjet këngës vlerat, traditat dhe kulturën... Unë e kam për herë të parë që vij këtu në Prekaz bashkë me grupin tim polifonik. Ndjesia sigurisht që është e papërshkrueshme dhe kam shumë emocione”, është shprehur ajo.

Qytetarë që e vizituan kompleksin memorial e vlerësuan kontributin dhe sakrificën që Adem Jashari dhe familja e tij e kanë dhënë për çlirimin e Kosovës.

“Adem Jashari me familjen, guximin e saj duhet të jetë në librin Guinness. Nuk ka, më duket, edhe në periudha të mëparshme që një familje i reziston një populli, një armiku serbo-çetnik tre ditë dhe tri net. Prandaj, kjo luftë, lufta e UÇK-së, është luftë e shenjtë e cila e bashkoi edhe gjithë popullin shqiptar”, ka thënë njëri nga vizitorët e shumtë të këtij kompleksi.

E një tjetër vizitor ka thënë se është borxh i akëcilit shqiptar që ta vizitojë kompleksin e Jasharëve.

“E kemi borxh çdo shqiptar të vijmë këtu, sa gjaku është derdhur për këtë ditë për t’i gëzuar këta të rinj”, është shprehur ai.

Përveç qytetarëve, Prekazin e kanë vizituar të premten edhe përfaqësues të institucioneve dhe të partive politike, të cilët kanë vendosur kurora lulesh dhe kanë bërë homazhe te varrezat e Jasharëve.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e quajti 28 Nëntorin ditë të shenjtë për shqiptarët.

“Kjo është një ditë festash për shqiptarët kudo që ndodhen, është një ditë e shenjtë për neve dhe prandaj qytetarët nga të gjitha trevat, përfshirë edhe nga mërgata vijnë dhe festojnë këtu në Prekazin e lavdishëm, një ndër vendet më të shenjta që kanë trevat shqiptare”, ka theksuar Basha pas homazheve të bëra.

E sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike (PDK), Vlora Çitaku, ka uruar që kjo festë të jetë e fundit që shënohet pa ish-udhëheqësit UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.

“Ngado që të nisemi si komb, nga këtu fillojmë, nga Prekazi legjendar, nga Prekazi i sakrificës, nga Prekazi i heroizmit, nga Prekazi që është një kujtim dhe mësim i përhershëm që atdheu, liria duhet të duhen pa kushte. Atdheu, liria janë parakusht për krijimin e çdo vlere tjetër. Sigurisht që sot na mungojnë shumë liderët tanë të luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Qoftë ky Nëntori i fundit që e shënojmë pa ta”, ka thënë ajo.

Homazhe në Prekaz kanë bërë edhe veteranë dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se Festat e Nëntorit mbeten të mangëta pa ish-përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare.

“Ju urojmë festat e nëntorit, katër festat të cilat janë në këtë muaj. Festa e vitit 1944 ngritja e flamurit në Krujë nga Skënderbeu, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari më 1955 dhe dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne edhe një herë ju urojmë të gjithë qytetarëve të Kosovës, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve këto festa të nëntorit. Këto festa janë të mangëta për arsye se ne i kemi krerët e UÇK-së, padrejtësisht duke u mbajtur atje nga një gjykatë, por ja që na ndodhi kjo dhe ne shpresojmë dhe besojmë se vitin e ardhshëm do t’i presim këto festa bashkërisht me ta”, ka deklaruar Gucati.

Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz pushojnë trupat e Jasharëve, të vrarë më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998.