Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

22 vjet burgim babait që e shtyu të birin të kryejë vrasje në një qendër tregtare në Podujevë

Arsim Syla

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 22 vjet burgim të akuzuarin për vrasjen në bashkëkryerje, e cila ka ndodhur në vitin 2023 në një qendër tregtare në Podujevë. Në bazë të aktakuzës, ai e ka shtyrë të birin e tij të mitur që ta kryente vrasjen. E i mituri qëkur ka ndodhur vrasja është në arrati

Arsim Syla, i cili është i akuzuar për vrasjen e kryer në vitin 2023 në një qendër tregtare në Podujevë, është dënuar të enjten me 22 vjet burgim.

Ai është akuzuar për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje” dhe aktgjykimi për të është shpallur të enjten nga trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë, që është kryesuar nga gjyqtarja Fatime Dërmaku.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Është fajtor për veprën penale në bashkëkryerje nga neni 173 paragrafi 1, pika 1.5 dhe 1.8, lidhur me nenin 31 të kodit të Republikës së Kosovës. Andaj, gjykata për këtë vepër penale e gjykon me dënim me kohëzgjatje prej 22 vjetësh burgim. Të akuzuarit Arsim Syla i llogaritet koha e kaluar në paraburgim e tutje”, ka theksuar Dërmaku në shpalljen e aktgjykimit.

I akuzuari Syla, në bazë të aktakuzës, e ka shtyrë të birin e tij që ta vrasë personin e identifikuar me inicialet V.B.

Prokuroria Themelore në Prishtinë e pati ngritur aktakuzën kundër të akuzuarit Arsim Syla, më 18 mars të 2024-tës.

Sipas organit të akuzës, Syla me qëllim të hakmarrjes dhe për shkak të një konflikti të mëhershëm me të ndjerin V.B., e ka porositur të birin e tij të mitur L.S. që ta kryejë vrasjen.

Në aktakuzë thuhet se më 11 shtator të 2023-tës, i pandehuri Syla dhe djali i tij i mitur L.S. kanë shkuar në kafenenë e një supermarketi në Podujevë dhe në orën 12:19 kanë vërejtur tani të ndjerin V.B., duke hyrë në market bashkë me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.S. dhe fëmijën e tyre atëkohë 4-vjeçar.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Syla e ka orientuar të birin L.S. në drejtim të tashmë të ndjerit V.B., derisa vetë ka vazhduar që të dalë nga objekti.

Në momentin kur tashmë i ndjeri V.B., bashkë me bashkëshorten dhe fëmijën e tyre kanë arritur te sektori i produkteve të qumështit, i mituri i është afruar nga prapa dhe ka shtënë dy herë mbi të, theksohet në aktakuzë.

Derisa Arsim Syla është dënuar në shkallë të parë, i biri i tij L.S., i cili është i akuzuar se e ka tërhequr këmbëzën e armës, vazhdon që të jetë në arrati.