Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Zotim në fushatë për restaurimin e objektit të Institutit Albanologjik

Zotim në fushatë për restaurimin e objektit të Institutit Albanologjik

Memorandumi i nënshkruar të premten parasheh zhvillimin dhe zbatimin e projektit ideor dhe të hollësishëm për restaurimin e ndërtesës së Institutit Albanologjik të Prishtinës përderisa premtimet janë që punimet të nisin vitin e ardhshëm (Foto: Kryeministria)

Pas pamjeve të mjerueshme të dimrit të kaluar dhe arnimeve në kulm që ende nuk kanë përfunduar, Instituti Albanologjik i Prishtinës ka marrë zotim se objekti do të restaurohet plotësisht. E, këtë e ka të shkruar edhe në letër me memorandumin e nënshkruar të premten midis Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ku përfshihet edhe kthimi në muze i ekspozitës etnografike që gjendet në këtë objekt si dhe i zyrës së akademikut të ndjerë, Rexhep Qosja. Udhëheqës institucionalë janë zotuar që deri në fund të vitit të përfundojë hartimi i projektit restaurues, ndërsa ata nga Instituti shpresojnë që marrëveshjet të mos mbeten vetëm fushatë.

Vitin e ardhshëm kur mbushet një gjysmëshekull prej ndërtimit të objektit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, pritet të nisë  restaurimi i plotë i tij. Pas gati pesë vjetësh degradim nga tavani që pikonte, arnimit të kulmit, që ende po vazhdojnë, të premten paradite është vulosur zotimi për restaurim me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit midis Ministrisë së Kulturës, dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Udhëheqës institucionalë janë zotuar që deri në fund të vitit të përfundojë hartimi i projektit restaurues, ndërsa ata të Instituti Albanologjik shpresojnë që marrëveshjet të mos mbeten vetëm për fushatë. Në procesin e nënshkrimit të memorandumit nuk janë lejuar mediat. 

Në memorandum parashihet edhe kthimi në muze i ekspozitës etnografike në këtë institucion si dhe i zyrës së akademikut të ndjerë, Rexhep Qosja, i cili fillimisht ishte zgjedhur këshilltar shkencor ndërsa kishte mbajtur edhe pozitën e drejtorit të institucionit.  Një ditë pas vdekjes së Qosjes më 23 prill,  në mbledhjen përkujtimore të Institutit, ishte propozuar publikisht që zyra e tij e punës të shpallej hapësirë muzeore. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Objekti i IAP-së – i mbrojtur si aset i trashëgimisë kulturore – ka kohë që përballet me vështirësi përderisa edhe dimrin e kaluar, s’u bënte dot ballë reshjeve. Vjet në nëntor, u nënshkrua kontrata me titull “Renovimi dhe rivitalizimi i kulmit dhe ulluqeve të brendshme vertikale në Institutin Albanologjik” në vlerë prej 144 mijë e 95 eurosh. Për rreth pesë vjet, tavani i objektit pikonte dhe kishte shkaktuar dëme jo veç në infrastrukturë, por ishin rrezikuar edhe eksponatet etnologjike që ruheshin aty. 

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se synimi është që objekti të mbrohet e të restaurohet për ta bërë atë institucion bashkëkohor për studiuesit e tanishëm dhe ata të ardhshëm. 

Objekti i IAP-së – i mbrojtur si aset i trashëgimisë kulturore – ka kohë që përballet me vështirësi përderisa edhe dimrin e kaluar, s’u bënte dot ballë reshjeve. Vjet në nëntor, u nënshkrua kontrata me titull “Renovimi dhe rivitalizimi i kulmit dhe ulluqeve të brendshme vertikale në Institutin Albanologjik” në vlerë prej 144 mijë e 95 eurosh (Foto: Kryeministria)

“Përtej aspektit fizik të ndërtesës, ky restaurim do të trajtojë edhe funksionalizmin e qëndrueshëm, edhe ekspozitën e përhershme etnografike dhe në veçanti muzealizimin e zyrës së akademikut, profesorit tashmë të ndjerë, Rexhep Qosja. Synimi ynë është i qartë: ta mbrojmë e ta restaurojmë me standardet më të mira dhe ta bëjmë sa më funksional si një institucion bashkëkohor për studiuesit, studentët dhe gjeneratat që vijnë, meqenëse zhvillimi i gjuhës shqipe i ka shumë borxh pikërisht Institutit Albanologjik të Prishtinës”, ka thënë Kurti.

Ka thënë se këto ndërhyrje kanë qenë të domosdoshme. 

“Instituti Albanologjik i Prishtinës është një institucion me rëndësi të veçantë për dijen, kulturën dhe kujtesën tonë kombëtare. Këtu tashmë janë duke u zhvilluar punimet emergjente për renovimin e kulmit dhe të ulluqeve të brendshme. Këto ndërhyrje kanë qenë të domosdoshme për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga reshjet dhe për ta ndalur degradimin e kësaj ndërtese. Investimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për këtë fazë është mbi 144 mijë euro e nga ndërhyrja emergjente po kalojmë te restaurimi i plotë”, ka thënë kryeministri në detyrë. 

Ministri në detyrë i Arsimit, Hajrulla Çeku, është zotuar që projekti të kryhet plotësisht pa marrë parasysh se sa do të jetë vlera e tij. 

“Vlerën që e nxjerr projektimi e buxhetojmë dhe e restaurojmë. Është zotim për ta kryer deri në fund, sado që të kushtojë. Projektimi nis menjëherë dhe besoj se do të kryhet brenda vitit ose deri në fund të vitit. Vitin e ardhshëm nis realizimi i punimeve”, ka thënë Çeku.

Në ngjarjen ku është nënshkruar memorandumi është thënë se vlera e investimit do të dihet veç kur të përfundojë projekti për restaurim. Zëvendësministrja në detyrë e Kulturës, Nora Arapi, ka thënë se është kontraktuar kompania përgjegjëse për hartimin e projektit për restaurimin e objektit të Institutit Albanologjik dhe se parashihet që kjo fazë të përfundojë deri në fund të këtij viti.

“Ky proces fillon tani. Ne tani e kemi të kontraktuar kompaninë që është përgjegjëse për hartimin e projektit të restaurimit në bashkëpunim me Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë dhe procesi i hartimit do të zgjasë deri në fund të vitit. Në momentin që e kemi projektin e finalizuar do ta kemi edhe vlerën e investimit, vlerë e cila do të përfshihet menjëherë në buxhetin e vitit të ardhshëm”, ka thënë ajo.

Një ditë pas vdekjes së akademik Rexhep Qosjes më 23 prill, në mbledhjen përkujtimore të Institutit, ishte propozuar publikisht që zyra e tij e punës të shpallej hapësirë muzeore (Foto: Kryeministria)

Sipas saj, synohet të identifikohen jo vetëm nevojat në ndërtesë, por edhe ato të stafit të institucionit.

“Një ndërhyrje emergjente në pjesën e kulmit veçse është duke u zhvilluar, por synimi është që të bëhet një hartim i projektit gjithëpërfshirës ku identifikohen të gjitha sfidat dhe nevojat e ndërtesës, jo veç si ndërtesë, por edhe nevojat e stafit, që të funksionojë sa më mirë”, ka thënë Arapi. 

Punimet pritet të nisin vitin e ardhshëm.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, Fadil Grajçevci, ka thënë se uron që të ketë punë konkrete dhe jo vetëm fushatë.

“Renovimet janë shumë të nevojshme, por është me rëndësi të ruhet identiteti i Institutit edhe gjatë renovimit, që të ruhet gjendja fillestare kur është ndërtuar pasi objekti është në mbrojtje si monument i trashëgimisë kulturore. Uroj që premtimet e ministrave e të kryeministrit të bëhen realitet, jemi të vetëdijshëm që jemi në kohë fushate. Uroj të mos jetë vetëm fushatë, por të jetë punë konkrete dhe t’i shohim rezultatet”, është shprehur Grajçevci.

Ka thënë se renovimet janë të domosdoshme.

“Ka rëndësi shumë të madhe, aq më e madhe bëhet kur kemi parasysh degradimin që ka zgjatur për më shumë se gjashtë vjet në këtë Institut dhe më në fund arritëm një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit që të bëjnë disa renovime. Deri tash, Institutit i janë bërë shumë dëme të mëdha, sidomos në ekspozitën etnografike të përhershme, por edhe në ambiente të tjera. Uji, nga reshjet e viteve të fundit, ka depërtuar deri në katin e parë”, ka thënë ai.

Instituti Albanologjik është institut shkencor nën Ministrinë e Arsimit e objekti është aset i trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Objekti i tij u projektua nga arkitekti Miodrag Peshiq në vitin 1974 dhe përfundoi së ndërtuari në vitin 1977. Instituti Albanologjik u themelua në vitin 1953 në një ndërtesë tjetër, me arkitekturë të thjeshtë të tipit të shtëpisë me kulm katërujor. Pas peripecive të mbylljes dhe rihapjes së tij, u vendos në lokacionin ku gjendet edhe sot.
Lexo edhe: