Prishtinë, 6 shkurt – Nga Parga e Çamërisë ka dalë një zonjë sqimatare si Elena Gjika, ashtu sikundër edhe një piktor i shquar si Kolë Idromeno.
Por nga ky qytet bregdetar çam me aroma manxuraje, limonësh e portokajsh ka dalë edhe një “zonjë” tjetër e cila ishte vetëm 16 vjeçe kur forcat e gjeneralit grek, Napoleon Zerva, mësyn mbi popullatën shqiptare. “ Isha vetëm 16 vjeç e nuk mbaj mend veç shi dhe ulërima erërash që të tromaksnin. Dukej që Parga lëngonte pa gjetur derman”, janë fjalët e zonjës plakë tani kur është në muzgun e jetës duke kujtuar vitet e errëta të gjenocidit grek mbi shqiptarët e këtyre anëve.
Kjo “zonjë” që flet çamçe është kryepersonazhe e novelës më të re të shkrimtarit Enver Kushi, “Zonja nga Parga”, që u përurua nga fondacioni Çamëria “Hasan Tahsin” pasditen e së mërkurës në mjediset e hotel “Tirana International”, e transmetuar direkt në faqen e Facebookut të “Shoqatës Patriotike Çamëria”.
Me prejardhje nga Filati, autori i kësaj novele ka bërë emër prej vitesh si shkrimtar, skenarist dhe kulturolog. “Porta e madhe” (1988), “Hëna e vitit zero” (1994), “Ëndrra të ngrira” (2000), “Koha zero” (2002) dhe “Apokalips 6” (2006) janë vetëm disa nga librat e Enver Kushit gjatë këtyre viteve.
E novela më e re e tij nis me kur një gazetar nga Athina merr vesh se në Pargë jeton një zonjë çame, e mbetur aty nga vjeshta e vitit 1944, e martuar pa vullnetin e saj me një ushtar grek. Pas lidhjeve telefonike dhe për të vërtetuar se në Çamëri ka ndodhur spastrim etnik, gazetari niset për të bërë reportazhe e intervista në Epir.
Në fjalën e tij, shkrimtari Resmi Osmani ka thënë se ka qenë ndër të parët që e ka nxitur Kushin që të përfundonte librin “Zonja nga Parga”. Ndërsa ka cituar një vlerësim të Moikom Zeqos për të, ai ka dhënë disa arsye që, sipas tij, e bëjnë të jashtëzakonshëm novelën e Kushit.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)