Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimin Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar të martën se diplomatët më të lartë evropian janë duke e analizuar marrëveshjen e re që blloku e ka dakorduar me Izraelin për të lejuar fluks më të madh të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, ka shkruar AP.
Ministrat e Punëve të Jashtme nga 27-vendet anëtare do të takohen të martën në Bruksel, në vazhdën e marrëveshjes së re për ndihmat në Gazë, e cila u formësua kryesisht nga Kallas dhe ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, që u takua njëkohësisht me liderët e BE-së një ditë më parë, për të lejuar hyrjen e ushqimeve dhe karburanteve jetike në enklavën me 2.3 milionë banorë, të cilët tashmë janë duke u ballafaquar me mbi 21 muaj luftë.
“Kemi arritur pajtim të përbashkët me Izraelin për ta përmirësuar situatën në terren, por s’bëhet fjalë vetëm për letrën, mirëpo edhe për zbatimin e saj”, ka thënë Kallas para takimit të Këshillit të Politikës së Jashtme.
“Për aq kohë sa nuk ka përmirësim, atëherë s’kemi bërë mjaftueshëm”, ka shtuar ajo, tek ka adresuar thirrje për armëpushim.
Vendet evropiane si Irlanda dhe Spanja kanë kërkuar gjithnjë e më shumë që lidhjet e BE-së me Izraelin të rishikohen në dritën e luftës në Gazë.
Një raport i Komisionit Evropian ka identifikuar “shenja” se veprimet e Izraelit në territorin palestinez po shkelin detyrimet për të drejtat e njeriut që përfshihen në marrëveshjen që i rregullon marrëdhëniet e shtetit hebraik me BE-në, porse blloku mbetet i ndarë për sa i përket reagimit ndaj kësaj situate.
Në Ministrinë e Shëndetësisë së Gazës kanë bërë të ditur se gratë dhe fëmijët përbëjnë më shumë se gjysmën e mbi 58,000 të vrarëve në këtë luftë.
Ministria, që është nën administrimin e grupit militant palestinez Hamas në Gaza, s’e bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve në shifrat që i raporton.
Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare i kanë konsideruar këto statistika si më të besueshmet për viktimat e luftës.
Kallas: BE-ja është afër marrëveshjes për të vendosur sanksione të reja kundër Rusisë
Shefja për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë të martën se vendet anëtare të bllokut janë afër arritjes së marrëveshjes e cila parasheh vendosjen e sanksioneve të reja kundër Rusisë.
“Shpresojmë se do të arrijmë marrëveshje politike për pakon numër 18-të të sanksioneve. Jemi shumë, shumë afër. Shpresoj që mund të pajtohemi sot”, ka deklaruar Kallas para takimit me ministrat e Punëve të Jashtme të 27-vendeve anëtare të BE-së në Bruksel.
Disa burime kanë thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se veçse është arritur pajtim paraprak për të gjitha elementet e pakos një ditë më parë, ndonëse një shtet anëtar ka vazhduar të ketë rezerva për propozimin e uljes së çmimit tavan për naftën ruse.
“Është i gjallë”, ka thënë Kallas për çmimin tavan.
“Kemi bërë propozime, por dilema qëndron nëse mundemi ose jo ta tejkalojmë veton e një shteti anëtar. Por, jemi duke punuar në këtë drejtim”, ka shtuar ajo.
Komisioni Evropian e kishte propozuar pakon e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë që në muajin e kaluar, e cila ka për qëllim të godasë të ardhurat nga sektori energjetik, bankat dhe industrinë ushtarake ruse.
Në pakon e re gjithashtu propozohet ndalimi i transaksioneve me gazsjellësit e Nord Stream të Rusisë, si dhe me bankat që merren me shmangien e sanksioneve.