Piramida e Madhe, e njohur edhe si Piramida e Keopsit, u ndërtua gjatë Mbretërisë së Vjetër të Egjiptit dhe fillimisht ishte rreth 146 metra e lartë. Gjatë mijëvjeçarëve, ajo ka humbur vetëm rreth dhjetë metra lartësi, pavarësisht tërmeteve të fuqishme që kanë goditur rajonin
(Scientific Reports) – Një nga ndërtesat më të njohura në botë, Piramida e Madhe në Giza, për më shumë se 4 mijë e 500 vjet u ka rezistuar kohës, erërave, erozionit, por edhe tërmeteve që kanë goditur Egjiptin disa herë. Një studim i ri tani përpiqet të shpjegojë pse kjo ngrehinë monumentale është kaq rezistente ndaj lëkundjeve sizmike.
Piramida e Madhe, e njohur edhe si Piramida e Keopsit, u ndërtua gjatë Mbretërisë së Vjetër të Egjiptit dhe fillimisht ishte rreth 146 metra e lartë. Gjatë mijëvjeçarëve ajo ka humbur vetëm rreth dhjetë metra lartësi, pavarësisht tërmeteve të fuqishme që kanë goditur rajonin. Ndër to veçohen tërmeti i vitit 1847 në jug të Kajros, me magnitudë 6.8, si dhe tërmeti i vitit 1992 me magnitudë 5.9, kur disa blloqe të jashtme guri ranë nga maja e piramidës. Megjithatë, struktura e saj kryesore mbeti pothuajse e paprekur.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoStudimi, i publikuar në revistën “Scientific Reports”, ka analizuar mënyrën se si piramida vibron nën ndikimin e lëvizjeve të vogla natyrore dhe atyre të shkaktuara nga njeriu në tokë. Shkencëtarët vendosën sensorë në 37 pika brenda dhe rreth piramidës, duke përfshirë korridoret e brendshme, blloqet e jashtme prej guri dhe tokën përreth.
Rezultatet treguan se Piramida e Madhe ka një “frekuencë natyrore” të vibrimeve midis 2.0 dhe 2.6 herc, ndërsa toka përreth vibron shumë më ngadalë, rreth 0.6 herc. Pikërisht ky ndryshim mund të jetë çelësi i rezistencës së saj të jashtëzakonshme.
Çdo ndërtesë ka ritmin e vet të vibrimit. Kur frekuenca e një tërmeti përputhet me frekuencën natyrore të një strukture, ndodh rezonanca – një dukuri që mund të përforcojë ndjeshëm lëkundjet dhe të çojë në shembjen e objektit.
Në rastin e Piramidës së Madhe, duket se kjo nuk ndodh. Meqenëse toka dhe vetë objekti “lëvizin” me ritme të ndryshme, energjia e tërmetit nuk transmetohet në mënyrë efikase te struktura. Me fjalë të tjera, piramida mbetet disi “e shkëputur” nga vibrimet që kalojnë nëpër tokë.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se vetëm ndryshimi në frekuenca nuk mjafton për të shpjeguar plotësisht jetëgjatësinë e ndërtesës. Shumë ndërtesa moderne me karakteristika të ngjashme janë dëmtuar gjatë tërmeteve.
Vëmendje të veçantë të shkencëtarëve tërhoqën të ashtuquajturat dhoma çliruese mbi Dhomën e Mbretit. Këto hapësira fillimisht u ndërtuan për të shpërndarë peshën e madhe të blloqeve prej guri mbi dhomën mortore të faraonit Khufu (Keops). Megjithatë, studimi tregon se ato kanë edhe një rol tjetër të rëndësishëm: zbutjen e vibrimeve që transmetohen drejt majës së piramidës.
Sipas gjeofizikanit Asem Salama nga Instituti Kombëtar për Astronomi dhe Gjeofizikë në Kajro, kombinimi i bazës masive, themelit të fortë prej gëlqerori, formës simetrike dhe zgjidhjeve të brendshme ndërtimore, kontribuojnë në stabilitetin e piramidës.
Edhe pse autorët e studimit theksojnë se rezultatet nuk provojnë që egjiptianët e lashtë kishin njohuri moderne për inxhinierinë sizmike, hulumtimi megjithatë, tregon përvojën e jashtëzakonshme praktike ndërtimore të mjeshtërve të lashtë.
Ndërtuesit e lashtë të piramidave nuk arritën përsosmërinë rastësisht. Arkitektura e tyre u zhvillua për shekuj me radhë përmes përpjekjeve, gabimeve dhe përsosjes së teknikave të ndërtimit.