Në kohën kur dinamika e tregut muzikor shpesh i lë në hije zërat e traditës, përpjekja e ansamblit “Zanat” për t’i risjellë këngët e vjetra shqiptare dëshmon për një angazhim serioz ndaj trashëgimisë shpirtërore. E koncerti i këtij ansambli ka qenë pikërisht në këtë frymë: me dhjetë këngë i ka dhënë jetë një pjese të trashëgimisë shpirtërore
Në një mbrëmje që ka sjellë jehonë në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës me emocione të pastra, ansambli vokal “Zanat” ka performuar dhjetë këngë të vjetra shqiptare, duke risjellë një pjesë të trashëgimisë shpirtërore me ndjeshmëri dhe hijeshi të rrallë. Të gjitha këngët janë riaranzhuar për këtë performancë nga Edon Ramadani, Memli Kelmendi, Valton Beqiri dhe Kushtrim Gashi. Të martën mbrëma, koncerti është shndërruar në një kujtesë të gjallë kolektive, ku fjala dhe tingulli kanë bashkëjetuar në një përjetim të ngrohtë e përmallues. Nën dritat e zbehta dhe me akustikën e përkryer të hapësirës, “Zanat” i kanë dhënë zë këngës popullore, ashtu siç mund ta japin vetëm ato që dinë ta dëgjojnë dhe ta ndiejnë në thellësi.
Ansambli “Zanat”, i përbërë nga anëtaret Diellza Sylejmani, Albana Piperku, Arstina Kadiu dhe Elida Kryeziu, ka qenë pjesë e shumë ngjarjeve muzikore dhe kulturore të cilat janë organizuar nga palë të treta, por koncerti i së martës ka qenë hera e parë që ky ansambël organizon vetë një koncert, që shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e ansamblit, i cili është themeluar në vitin 2017. Me misionin për ruajtjen dhe promovimin i muzikës autentike shqiptare, ansambli ka ardhur këtë herë me një anëtare të re, Elona Sadiku, e cila i është bashkuar ansamblit muajin e kaluar.
Repertori ka nisur me “Doruntinën” dhe “Po vijnë krushqit fushave”, dy këngë të ngulitura në kujtesën e shumëkujt, përmes të cilave ansambli ka krijuar atmosferën e parë të natës – të qetë, të përmbajtur, por të ngarkuar nga brenda. Më pas, Pranvera Hoxha i ka shoqëruar me piano këngët “Hidhni valle vasha të reja” dhe “O moj ti me sytë e zi”, duke shtuar një frymë të lehtë klasike që ka ndërthurur me finesë traditën vokale me tingujt e pianos.
Këngët kanë vijuar me “O bilbil” dhe “Baresha”, të interpretuara me mbështetje muzikore nga Patris Berisha në kaon dhe përsëri Hoxha në piano, duke sjellë një ndjesi më të gjallë, më ritmike, por pa e humbur asnjëherë ndjeshmërinë që i lidh këto këngë me traditën dhe kujtesën. Në vijim, interpretimi i solisteve për këngët “Perëndeshë e bukurisë më je” dhe “Kur një ditë të kthehesh ti”, të shoqëruara ekskluzivisht me piano, kanë sjellë një ndalesë poetike, si një lutje përmes këngës.
Në fund, me “Kur bjen fyelli e çiftelia” dhe “Të fala nga Prishtina”, të mbështetura sërish nga Berisha dhe Hoxha, ansambli ka krijuar një atmosferë festive, të gjallë, si një përshëndetje plot mall e dashuri për vendin, për njerëzit e për kujtimin. Dhe për ta mbyllur koncertin, një surprizë e fundit: një këngë bonus, “Këngë moj”, që është pritur me duartrokitje të ngrohta nga publiku që u bë pjesë e kësaj nate me zëra që nuk harrohen lehtë.
Për anëtaren më të re të ansamblit, Elona Sadiku, koncerti ka pasur rëndësi të dyfishtë: ishte hera e saj e parë me “Zanat” dhe njëherësh debutim në një koncert solistik të organizuar nga vetë ansambli.
“Koncerti shkoi shumë mirë edhe pse unë kisha shumë emocione, për shkak se ishte hera e parë që unë performoj me ‘Zanat’, e aq më tepër kur performoj në një koncert solistik i organizuar për herë të parë nga ‘Zanat’. Ndjenjë e veçantë të jem pjesë e këtyre femrave kaq punëtore e kaq të mira, muzikante, artiste të shkëlqyera, andaj për mua është nder dhe privilegj të jem pjesë e ansamblit ‘Zanat’ dhe të performoj sikur në natën e sontme që ishte”, ka thënë ajo, duke e cilësuar këtë angazhim si nder dhe privilegj.

Sadiku ka theksuar gjithashtu se integrimi në grup ka ndodhur natyrshëm, pasi anëtaret tashmë i kishte kolege në Filarmoninë e Kosovës.
“Mund të them që jemi përshtatur mjaft mirë, për shkak se unë edhe më herët Diellzën, Albanën, Arstinën dhe Elidën i kam pasur dhe vazhdoj t’i kem kolege në Filarmoninë e Kosovës, jemi njohur edhe më herët dhe na ka lidhur shoqëria, por edhe në punë bashkëpunojmë shumë mirë, andaj mund të them që kemi bërë një punë mjaft të mirë në këtë muajin e fundit që jemi përgatitur për ta shfaqur një koncert të tillë”, ka thënë anëtarja më e re e Ansamblit “Zanat”, Elona Sadiku.
Edhe për anëtaret më të vjetra të ansamblit, koncerti ka shënuar një moment të veçantë. Diellza Sylejmani e ka vlerësuar freskinë që Elona ia ka sjellë grupit dhe ka folur për përkushtimin pas skenës.
“Koncerti shkoi shumë mirë, njerëzit e pëlqyen shumë koncertin, gjithashtu me anëtaren e re, Elonën, normalisht jemi duke u ndier shumë mirë dhe i ka dhënë një freski shumë të mirë ansamblit”, ka thënë ajo.
Ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së këngëve tradicionale qytetare, duke kujtuar se këto janë këngë të vjetra që janë përpunuar dhe kthyer në një formë të re nga vetë “Zanat”, me ndihmën e kompozitorëve.
“Normalisht që punë shumë, mirëpo me vullnet dhe me dëshirë të madhe ne e kemi kurorëzuar punën tonë sonte, pas një muaji e gjysmë provash më intensive. Është shumë e rëndësishme ruajtja e këngëve të vjetra tradicionale qytetare, pasi ne kemi muzikë shumë të bukur shqipe dhe për atë arsye ansambli ynë e kemi vendosur t’i rikthejmë këto këngë”, ka shtuar Sylejmani.
Sipas Elida Kryeziut, po ashtu anëtare e ansamblit, koncerti është zhvilluar ashtu siç e kishin paramenduar: në mënyrë të qetë, të përmbajtur dhe të denjë për misionin që e ndjekin prej vitesh – rikthimin e këngës shqipe në veshët dhe zemrat e njerëzve.
“Duke marrë parasysh që Elona është anëtare e re, ajo është adaptuar menjëherë, edhe ne jemi adaptuar shumë shpejt me të dhe koncerti shkoi po ashtu qysh e kemi paramenduar dhe gjithçka shkoi sipas planit tonë”, ka thënë ajo.
Ka kujtuar fillimet e ansamblit, duke përmendur se qysh nga viti 2017 “Zanat” kanë risjellë këngë që ishin harruar dhe nuk këndoheshin më.
“Me të thënë të drejtën, në vitin 2017, kur ne kemi filluar, i kemi nxjerrë disa këngë nga sirtari, domethënë që janë zhdukur, nuk janë kënduar dhe kemi qenë ne ‘Zanat’, të cilat i kemi marrë dhe i kemi ripërpunuar dhe sot të gjitha këngët kanë filluar të këndohen, kështu që duke na falënderuar neve normalisht, që i kemi nxjerrë nga sirtari i kompozitorëve tanë të njohur”, ka shtuar ajo.
E në kohën kur dinamika e tregut muzikor shpesh i lë në hije zërat e traditës, përpjekja e ansamblit “Zanat” për t’i risjellë këngët e vjetra shqiptare dëshmon për një angazhim serioz ndaj trashëgimisë shpirtërore. Përmes përpunimeve të reja, interpretimit njëzëri dhe bashkëpunimit me kompozitorë të njohur, “Zanat” nuk i sjellin këto këngë vetëm si pjesë të së shkuarës, por si një thirrje e qetë për t’iu rikthyer rrënjëve. Koncerti i së martës në hollin e Bibliotekës Kombëtare e ka konfirmuar këtë qasje: se kujtesa kulturore mund të rrojë jo vetëm në arkiva, por mbi të gjitha në tingullin e gjallë që përcillet nga skena në zemrën e publikut.