Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ylli i Fatlume Bunjakut me “Shooting Stars” në “Berlinale”, dëshmi e rrugës së duhur

Fatlume Bunjaku: “Kur ecën mirë në karrierë është magjike, sepse krejt e dimë që ky nuk është proces i lehtë. Nganjëherë has në vështirësi shumë të mëdha sa fillon të dyshosh te vetja nëse je për këtë profesion...”

Fatlume Bunjaku: “Kur ecën mirë në karrierë është magjike, sepse krejt e dimë që ky nuk është proces i lehtë. Nganjëherë has në vështirësi shumë të mëdha sa fillon të dyshosh te vetja nëse je për këtë profesion...”

Trofeu i “Shooting Stars” që ia prezanton botës së filmit dhjetë aktorë me potencial është një yll. Sivjet në mesin dhjetëshes ka qenë edhe aktorja nga Kosova, Fatlume Bunjaku. Për të ky është yll që shndrit të ardhmen e karrierës së saj, e dëshmi është kapitulli në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Filmit në Berlin – “Berlinale”. “Momente si ky, nëse asgjë tjetër, të paktën na e kujtojnë se jemi në rrugën e duhur dhe të drejtë. Mua personalisht, kjo mundësi dhe ky çmim, më kanë ardhur në një moment shumë të duhur të jetës sime dhe më ka motivuar shumë”, ka thënë Bunjaku të premten, në një intervistë online për KOHËN. Por “nëse asgjë tjetër” nuk vlen në rastin e saj

Si aktore që “lë gjurmë të pashlyeshme te shikuesi” e ka vlerësuar juria me emra të shquar botërorë kur ia dha titullin e “Shooting Stars 2026” në mesin e dhjetë aktorëve të talentuar evropianë që u prezantuan në edicionin e 76-të të Festivalit të Filmit në Berlin – Berlinale, i cili me ceremoninë e ndarjes së çmimeve të shtunën mbrëma përmbyll edhe një kapitull. Por ajo që i ka sjellë një trofe si ky – organizuar nga “European Film Promotion”, e që konsiderohet si një dritare për karrierë ndërkombëtare – ka lënë gjurmë të pashlyeshme për aktoren kosovare, Fatlume Bunjaku. Ylli i “Shooting Stars”, është yll që shndrit të ardhmen e saj.

“Momente si ky, nëse asgjë tjetër, të paktën na e kujtojnë se jemi në rrugën e duhur dhe të drejtë. Mua personalisht, kjo mundësi dhe ky çmim, më kanë ardhur në një moment shumë të duhur të jetës sime dhe më ka motivuar shumë”, ka thënë Bunjaku të premten, në një intervistë online për KOHËN. Por “nëse asgjë tjetër” nuk vlen në rastin e saj.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Parakalimi në tapetin e kuq, takimi me emra të shquar të industrisë së filmit, mbi të gjitha përzgjedhja si “yll në ngritje” nga personalitete si aktorja serbo-daneze Danica Ćurčić, regjisori boshnjak Danis Tanoviq i cili ka çmim “Oscar” për filmin “No Man’s Land”, kritikja sudaneze e filmit, Leila Latif, regjisorit portugez Jo Monteiro dhe producentit belg, Jacques-Henri Bronckart, janë dëshmi se ajo është në rrugën e duhur. Atje e çoi roli në filmin “Hana” të Ujkan Hysajt, e nominoi Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Nga aktorët shqiptarë, këtë titull e kanë pasur Nik Xhelilaj në vitin 2011 dhe Arta Dobroshi dy vjet më pas.

Emri i Fatlume Bunjakut – e cila debutoi më 2013 në filmin “Rrota”, e më pas luajti në “Qielli i trazuar”, “Mali i harruar”, “Delegacioni”, “Virgjëresha shqiptare” – prej se u shpall dhjetëshja e “Shooting Stars”, s’është i panjohur për media si “Hollywood Reporter” apo “Variety”.

KOHA: Fillimisht na trego se si kanë qenë këto ditë për ty në Berlinale?

Fatlume Bunjaku: Thënë të drejtën, qysh nga dita e parë e deri para dy ditëve ka qenë një përvojë magjike. Gjithçka ka qenë shumë bukur, ka pasur ngjyra, shumë jetë, lumturi dhe shumë gëzim. Programi ka zgjatur pesë ditë dhe gjatë gjithë asaj kohe kemi qenë shumë të zënë, në çdo moment kemi pasur aktivitete. Ekipi i ‘European Film Promotion’ ka qenë jashtëzakonisht i mirë me ne, pra ishte një organizim i paparë dhe na kanë trajtuar tamam sikur yje. Të gjitha ato aktivitete që i kemi realizuar kanë qenë paralelisht me karrierën tonë dhe programin e ‘Shooting Stars’, nuk ka qenë diçka që na ka ngarkuar shumë. Përkundrazi, çdo paraqitje e jona, çdo takim me ‘casting directors’ ka qenë shumë frymëzuese dhe motivuese. Sado që ishte program i ngjeshur, them se ia ka vlejtur, sepse ishte mundësi magjike për të gjithë ne dhe një përvojë vërtetë e bukur.

KOHA: Gjithçka u kurorëzua me mbrëmjen e 16 shkurtit, kur e gjithë vëmendja ishte nga ju, dhjetë aktorët e programit prestigjioz “European Shooting Stars”, me ç’rast edhe u nderuat me çmim në festival? Çfarë do të thotë ky sukses për ty dhe karrierën tënde artistike?

Fatlume Bunjaku më 16 shkurt me trofeun e “Shooting Stars” në Berlinale

Bunjaku: Parakalimi në qilimin e kuq të “Berlinales” ka qenë në natën e fundit të programit. Do të thotë gjithçka u finalizua me një ndjenjë shumë të bukur që unë e kisha përjetuar në festivale tjera, por jo në këtë nivel dhe jo me këtë qëllim. Jam ndier jashtëzakonisht mirë, asnjëherë në karrierë nuk jam ndier sikurse atë natë. Sa i përket kuptimit ose rëndësisë së çmimit, padyshim kjo është një arritje e madhe për karrierën time. Ani pse si person, nuk kam ndonjë mendim relativ sa u përket çmimeve dhe mirënjohjeve, sepse mendoj që puna e aktorëve është shumë e vështirë. Nuk i them as punë, kjo çka ne e bëjmë ka të bëjë me shpirtin dhe pasionin dhe nuk ka çmim që e paguan. Kur ec mirë në karrierë është magjike, sepse krejt e dimë që ky nuk është proces i lehtë. Nganjëherë has në vështirësi shumë të mëdha sa fillon të dyshosh te vetja nëse je për këtë profesion. Do të thotë, nëse nuk ke imunitet të fortë dhe nuk je person që i mvishesh punës mirë dhe të vazhdosh e të mos dorëzohesh kurrë, kjo punë mund të të rrëzojë shumë shpejt. Mirëpo momente si ky, nëse asgjë tjetër, të paktën na e kujton se jemi në rrugën e duhur dhe të drejtë. Mua personalisht, kjo mundësi dhe ky çmim, më kanë ardhur në një moment shumë të duhur të jetës sime dhe më ka motivuar shumë. Prandaj, them se nganjëherë janë të rëndësishme. Sa i takon programit, sepse është një program jashtëzakonisht prestigjioz, dedikuar aktorëve, me një koncept shumë të mirë, unë vërtet ia dëshiroj çdo aktori që vërtetë ka talent, ka durim dhe që punon fort e nuk dorëzohet asnjëherë. Pra ia dëshiroj çdo aktori ta përjetojë këtë ndjenjë, sepse nuk ka ndjenjë më të mirë.

Aktorja Fatlume Bunjaku (e dyta nga e majta) në tapetin e kuq të “Berlinales”

KOHA: Në fjalimin tënd gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve ke bërë thirrje që industria globale e filmit të kthejë vëmendjen drejt kineastëve të Ballkanit. A mendon se prezenca e një numri sa më të madh të aktorëve e filmbërësve kosovarë në festivale të tilla, ndihmon në këtë drejtim?

Bunjaku: Çdo paraqitje në nivel të tillë ndihmon dhe lobon për vendet e vogla. Kjo nuk ka dyshim fare. Është e vërtetë që, jo vetëm në fjalimin gjatë marrjes së çmimit, ku isha jashtëzakonisht e emocionuar, por gjatë gjithë kohës kur jam takuar me agjentë dhe njerëz të ndryshëm të industrisë botërore të filmit, vazhdimisht kam lobuar dhe kam bërë thirrje që ta vizitojnë më shpesh Ballkanin dhe t’i japin këtij regjioni më shumë shanse, sepse në Ballkan ka potencial të jashtëzakonshëm në kinematografi. Këtë e kam cekur gjatë gjithë kohës, madje kam folur për raste konkrete, filma nga Ballkani që kanë ecur mirë nëpër festivale prestigjioze, kanë marrë çmime, kam emëruar aktorët, regjisorët, producentët dhe regjisoret gra. Thjesht mendoj se Ballkani vlon nga talentet, mirëpo krejt çka na duhet është më shumë mirënjohje, më shumë mundësi dhe më shumë bashkëpunime mes Ballkanit me Evropën dhe më gjerë. Njëjtë siç ka ndodhur me mua. Mua më ka nominuar Qendra Kombëtare e Filmit e Shqipërisë dhe do të jem mirënjohëse gjatë gjithë jetës për këtë mundësi, sepse nëse ata nuk do të më nominonin, nuk do të isha në këtë vend ku jam sot. Njëkohësisht, i jam mirënjohëse regjisorit të filmit “Hana”, Ujkan Hysaj, i cili ma ka besuar rolin. Pra, po vijmë sërish tek ajo pika që e thash më herët, që suksesi në këtë industri varet prej shumë faktorëve. Diçka që e kam cekur shumë është se nganjëherë nuk mjafton vetëm të punosh apo të kesh talent, por sidomos në komunitetin tonë ka nevojë sa më shumë mbështetje ndaj njëri-tjetrit.

Trofeu i “Shooting Stars”

KOHA: Gjatë këtyre ditëve keni pasur mundësi të takoheni me persona të rëndësishëm nga industria e filmit në botë. Si e vlerësojnë ata kinematografinë shqiptare në përgjithësi? Dhe na trego nëse keni arritur të krijoni ndonjë urë bashkëpunimi, pse jo?

Bunjaku: Ka pasur takime të bukura, në kuptimin që, kur ju tregoj për filmat tanë dhe specifikisht për disa suksese të kinematografisë shqiptare, me të vërtetë disa njerëz që nuk kanë dëgjuar për ne, mbesin të fascinuar dhe befasuar. Është e vërtetë që unë kisha fatin të takoja njerëz të mirë. Qershia mbi tortë ishte kur në natën e ndarjes së çmimeve ‘Shooting Stars’, afër secilit prej neve dhjetë aktorëve të nominuar, na kanë ulur pranë nga një regjisor të famshëm. Ka qenë shumë befasi e mirë për mua, sepse afër meje ishte pikërisht regjisorja afgane (Shahrbanoo Sadat v.j.) që e ka hapur Berlinalen me filmin e saj ‘No Good Men’. Unë kur e pashë atë film, u inspirova jashtëzakonisht shumë dhe mendova me vete, ajo është një regjisore e moshës sime dhe u fascinova me faktin që nga Afganistani ka ardhur në Berlin, duke sjellë një film të realizuar me buxhet shumë të vogël dhe që ishte vërtetë film fenomenal. Nuk pata rastin të kaloja kohë me të pas premierës së filmit dhe më mbeti merak të bashkëbisedoja më gjatë me të, sepse ishte shumë modeste dhe këndshme. Dhe kur shkova atë mbrëmje për ta pranuar çmimin në skenë, kur u ula në tavolinën time e pash emrin e saj dhe u gëzova shumë që patëm rastin të kalojmë më shumë kohë me njëra-tjetrën. Gjatë gjithë kohës kemi biseduar dhe tani jemi në kontakt. Pak a shumë vijmë nga vende me histori jo shumë të lehta, dhe siç duket këto vende janë burim i tregimeve dhe filmave që për momentin bota po i vlerëson dhe po janë atraktive për kinematografinë ndërkombëtare.