Institucioni më i lartë kulturor në vend është në kërkim të katër ekspertëve të cilët do të merren me vlerësimin e projekteve për funksionalizimin i monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe të thirrjes publike për projekte në trashëgimi kulturore. Të drejtë aplikimi kanë të punësuarit në organizatat joqeveritare aktive në Republikën e Kosovës dhe ekspertët e pavarur të fushës së trashëgimisë kulturore
Ministria e Kulturës është vënë në kërkim të katër profesionistëve. Dy i kërkon për t’i angazhuar në komisionin vlerësues të thirrjes publike për funksionalizimin i monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe dy të tjerë për në komisionin vlerësues të thirrjes publike për projekte në trashëgimi kulturore. Në të dyja rastet njëri duhet të jetë përfaqësues i shoqërisë civile dhe tjetri ekspert i pavarur në komision.
Në thirrjen që do të jetë e hapur deri në ditën e 9-të të këtij muaji, të drejtë aplikimi kanë të punësuarit në organizatat joqeveritare aktive në Republikën e Kosovës dhe ekspertët e pavarur të fushës së trashëgimisë kulturore. Sipas thirrjes, kandidatët përfaqësues nga OJQ-të duhet të kenë të kryer së paku nivelin e studimeve bazike, tre vjet përvojë profesionale relevante në trashëgimi kulturore ose menaxhim projektesh, restaurim e konservim, vlerësim projektesh ose fusha të ngjashme dhe të mos jenë të emëruar politikë, shërbyes civilë apo të angazhuar në funksione vendimmarrëse në institucionet publike që lidhen me procesin e financimit. Po ashtu sipas thirrjeve kandidatët e përzgjedhur nuk duhet të kenë konflikt interesi me organizatat aplikuese në kuadër të thirrjes publike dhe nuk duhet të jenë të përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në projektet që do të vlerësohen.
Kurse kandidatët përfaqësues në cilësinë e ekspertit të pavarur në fushën e trashëgimisë kulturore duhet të kenë të kryer së paku nivelin e studimeve bazike, tre vjet përvojë profesionale relevante në fushën e trashëgimisë kulturore, të mos jenë të emëruar politikë, shërbyes civilë dhe të mos kenë konflikt interesi me organizatat aplikuese në kuadër të thirrjes publike dhe nuk duhet të jenë të përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në projektet që do të vlerësohen.
Sipas thirrjeve, përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, në bazë të dokumentacionit të dorëzuar dhe përvojës relevante profesionale në fushën përkatëse.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Gjatë përzgjedhjes do të vlerësohen: kualifikimi profesional; përvoja relevante në fushën e trashëgimisë kulturore dhe/ose sektorin e organizatave joqeveritare; përvoja në menaxhim apo vlerësim projektesh; dhe përmbushja e kritereve të përcaktuara në këtë thirrje publike”, shkruhet në të dyja thirrjet.
Në thirrjet e sivjetme – më të vonuarat në historinë e institucionit – Ministria e Kulturës ka ndarë artin dhe kulturën nga trashëgimia kulturore. Në thirrjen e veçantë për trashëgimi kulturore, kategoria e parë – ku përfshihen vetëm organizatat – titullohet “Organizimet tradicionale, festivalet dhe shoqëritë kulturo-artistike të përfshira në Listën e Trashëgimisë Kulturore në Mbrojtje”. Me deri në 60 mijë euro në vit përkrahen projekte trevjeçare. Te kategoria tjetër, që po ashtu është vetëm për organizata, hyjnë
“Organizimet tradicionale të fushës së trashëgimisë kulturore” dhe përkrahen me deri në 40 mijë euro në vit, por vetëm për një vit.
Në kategorinë e tretë, ku përfshihen organizatat dhe individët, bëhet thirrje për “Digjitalizimin e trashëgimisë kulturore” dhe përkrahja shkon deri në 40 mijë euro në vit. Në kategorinë e katërt, të titulluar “Projekte dhe ngjarje në fushën e trashëgimisë kulturore”, mbështetja shkon deri në 20 mijë euro. Në trashëgimi kulturore, projektet që i takojnë kategorisë së pestë, të titulluar “Fondi i mobilitetit”, mund të mbështeten deri në 5 mijë euro. Ndërsa te kategoria e gjashtë, “Funksionalizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje për zhvillim të turizmit kulturor”, MKT-ja planifikon të mbështesë dy projekte në vlerë deri në 30 mijë euro në vit.
Ky koncept i funksionalizimit të aseteve të trashëgimisë kulturore është duke u tentuar të zbatohet tash e katër vjet, herë pas here, por deri më tani ka shumë pak shenja që mund të funksionojë. Në përgjithësi ka dështuar.
Ministria e Kulturës ende s’ka bërë thirrje të tilla për vlerësimin e projekteve në art e kulturë. KOHA ka raportuar se sivjet nëpërmjet thirrjes për mbështetjen e projekteve në art dhe kulturë, Ministria ka zbritur shumën mbështetëse deri në 60 për qind. Por më pas Ministria ka ndërruar strategji. Në ditën kur KOHA ka raportuar, institucioni më i lartë kulturor në vend ka dhënë sqarimet e kërkuara më herët.
Vjet dhe më 2024, tek ajo që ishte kategoria e parë – “Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore” – shuma minimale e përkrahjes ishte 50 mijë euro, ndërsa ajo maksimale deri në 100 mijë euro. Disa organizata kanë marrë mbështetje edhe në kufirin prej 100 mijë eurosh në vit. Por sivjet është ndryshuar qasja, pa kurrfarë sqarimi.
Kategoria e parë e thirrjes tregoi qasje tjetër. Thirrja e sivjetme – e hapur ndër më të vonuarat ndonjëherë në kalendarin e thirrjeve – pasi vetëm afati i aplikimeve shkon deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit – e titullon kategorinë e parë “Ngjarjet tradicionale në fushën e artit dhe kulturës me program deri në tre vjet”. Shuma minimale e përkrahjes është 10 mijë euro, ndërsa ajo maksimale 40 mijë euro. Nëse krahasohet maksimumi i vjetshëm me atë të këtij viti, zbritja shkon saktësisht në 60 për qind.
Por Ministria e Kulturës ndryshe e lexon thirrjen. Kishte sqaruar se në thirrjen publike për projekt-propozimet në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026 nuk është zvogëluar mbështetja vjetore për asnjë përqindje në lartësinë maksimale të mbështetjes financiare për organizatat në raport me vitin e kaluar.
“Kategoria me emrin ‘Organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore’ do të mbështetet aq sa është mbështetur edhe në vitin 2025, pra 40.000 euro. Dallimi që mund të jetë ngatërruar është se kategoria me emrin ‘Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit dhe kulturës’ nuk është përfshirë në kuadër të kësaj thirrjeje publike, meqë brenda vitit 2026 do të hapet thirrje e veçantë për mbështetjen programore trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit dhe kulturës, ku vlera maksimale e mbështetjes financiare është 100.000 euro, dhe besojmë se kjo mund të jetë ngatërruar me konkludimin se ka zvogëlim deri në 60 për qind, gjë e cila nuk qëndron siç u shpjegua”, shkruhej në përgjigjet e MKT-së.
Sipas këtij institucioni, aktualisht, duke u bazuar në rezultatet e thirrjes publike për art, kulturë dhe trashëgimi kulturore të viteve 2024 dhe 2025, janë nënshkruar kontratat dhe janë ekzekutuar pagesat e shumicës së organizatave kulturore përfituese në kategorinë me emrin “Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit dhe kulturës” për vitin 2026.