Kulturë

Vizitat virtuale si portë drejt vizitave reale në muzetë e Kosovës

Ec ma ndryshe

Vizitori virtual fillimisht ndeshet me imazhet e Kalasë dhe peizazhin piktoresk të gjithë qytetit historik të Prizrenit, kryeqytetit të parë shqiptar që prej pushtimit osman të shekullit të 15-të. Që në hyrje ndeshet me ilustrimet e Kalasë dikur dhe sot, përplot dokumente, prezantime të figurave të shquara historike e eksponate të rëndësishme. Prej tyre ka armë të periudhës së Mesjetës e deri në ato të pushtimit osman, enë të ndryshme për ushqim e mjete për përpunimin e tij. Enë të tjera datojnë që nga Epoka e Hekurit e tutje.

Vizitat virtuale, përtej se ju ofrojnë qasje në muzetë e vendit edhe atyre që janë në distancë të largët, konsiderohen edhe si nxitje për vizitë fizike duke shërbyer si mjet i fuqishëm promovimi. Organizata “EC ma ndryshe”, midis projektesh tjera të tilla, së fundi e ka pajisur me versionin e tij virtual Muzeun e Kalasë së Prizrenit. Dhe synon t’i japë secilit muze këtë version si portë drejt vizitës reale

Realizimi i vizitave virtuale në hapësirat e trashëgimisë kulturore në vend konsiderohet hap i rëndësishëm drejt modernizimit të përjetimit të tyre. Përtej se u ofron qasje në muzetë e vendit edhe të huajve, konsiderohet edhe si nxitje për vizitë fizike duke shërbyer si mjet i fuqishëm promovimi. Organizata “EC ma ndryshe”, midis projektesh tjera të tilla, së fundi e ka pajisur me versionin e tij virtual Muzeun e Kalasë së Prizrenit. Dhe synon t’i japë secilit muze këtë version si portë drejt vizitës reale. 

Paraprakisht këtë përparësi të vizitës virtuale “EC…” ua dha Muzeut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Muzeut Arkeologjik të Prizrenit nëpërmjet programit të tyre “Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni”, i cili, sipas shpjegimit, synon të ndërtojë një mjedis kulturor më të hapur, më inovativ dhe më gjithëpërfshirës,  ku trashëgimia kulturore jo vetëm ruhet, por shndërrohet në vlerë të përbashkët për komunitetin dhe zhvillimin e tij.

Sikur vizualizimi i këtyre dy institucioneve kulturore, edhe ai për Muzeun e Kalasë së Prizrenit, i ofron vizitorit virtual çdo detaj të gjithë hapësirës së tij. Çdo klik në imazhet aty është një hap drejt njohjes së institucionit muzeor, Kalasë e historisë së saj dhe kontekstit historik të qytetit dhe vendit. E kjo nis që nga kohët antike. 

Vizitori virtual fillimisht ndeshet me imazhet e Kalasë dhe peizazhin piktoresk të gjithë qytetit historik të Prizrenit, kryeqytetit të parë shqiptar që prej pushtimit osman të shekullit të 15-të. Që në hyrje ndeshet me ilustrimet e Kalasë dikur dhe sot, përplot dokumente, prezantime të figurave të shquara historike e eksponate të rëndësishme. Prej tyre ka armë të periudhës së Mesjetës e deri në ato të pushtimit osman, enë të ndryshme për ushqim e mjete për përpunimin e tij. Enë të tjera datojnë që nga Epoka e Hekurit e tutje. 

Thjesht, vizioni virtual i Muzeut është sikur ai po të jesh prezent fizikisht. Mund të mjegullohet me t’u larguar, por materialet janë tejet të qarta po të klikohet në to, e madje edhe materialet shpjeguese për artefaktet aty janë digjitalizuar. 

Drejtori ekzekutiv i organizatës “EC ma ndryshe”, Valon Xhabali, ka thënë se realizimi i vizitave virtuale në 3D për këta muze është hap i rëndësishëm drejt eksplorimit të muzeve, pavarësisht distancës apo kufizimeve fizike. Sipas tij, kjo qasje e re e transformon përvojën muzeale dhe e bën atë më të qasshme e më interaktive. 

“Për ‘EC Ma Ndryshe’, integrimi i teknologjisë në muzetë shërben edhe si mjet i fuqishëm për ndërgjegjësim dhe ruajtje të trashëgimisë kulturore, duke e paraqitur atë në formate bashkëkohore që i afrohen brezave të rinj. Për më shumë eliminon barrierat gjeografike dhe fizike, duke e bërë të mundur që çdokush, përfshirë edhe komunitetin e personave me aftësi të kufizuara, të ketë qasje në këto hapësira kulturore”, ka thënë ai. 

Ka theksuar se një prej synimeve të organizatës është që qasja virtuale të jetë e qasshme edhe për personat me nevoja të veçanta, përmes “navigimit të lehtësuar, lexueshmërisë më të mirë dhe materialeve ndihmëse”. Ka bërë të ditur se realizimi i një vizite virtuale është proces kompleks dhe zgjas për disa muaj. 

“Realizimi i një vizite virtuale në 3D në muze është një proces kompleks që përfshin disa hapa, nga mbledhja e dokumenteve historike, digjitalizimi dhe modelimi teknik. Në varësi të madhësisë së muzeut, numrit të eksponateve dhe kompleksitetit arkitektonik, një projekt i tillë zakonisht zgjat nga 3 deri në 4 muaj. Për muzetë më të mëdhenj ose koleksione më të ndërlikuara, procesi mund të kërkojë edhe më shumë kohë. Kjo përfshin fazat e skanimit, modelimit 3D, integrimit të informacionit dhe testimit të përdorueshmërisë”, ka bërë të ditur Xhabali nëpërmjet një përgjigje me shkrim për KOHËN.
Ka thënë se për këto projekte është e rëndësishme puna profesionale dhe se duhet pasur kujdes në ruajtjen e autenticitetit të hapësirës. Sipas tij, realizimi i këtyre projekteve është kompleks dhe nevojitet mbështetje, ndonëse “EC Ma Ndryshe” është e përgatitur teknikisht për ta zgjeruar këtë praktikë në çdo muze të vendit. Se suksesi i këtij procesi kërkon vullnet institucional dhe financim të qëndrueshëm. 

“Për ‘EC Ma Ndryshe’, bashkëpunimi i institucioneve kulturore përfshirë dhe historianët, arkeologët, kuratorët, etj. është mjaft i rëndësishëm, për të përcjellë sa më qartë kontekstin historik të secilit muze. Informacioni merret nga institucionet dhe zyrtarët përgjegjës dhe pastaj realizohet narrativa vizuale gjithmonë duke pasur kujdesin maksimal për ruajtjen e autenticitetit të hapësirës, për të reflektuar sa më saktë realitetin fizik, duke mos e deformuar origjinalitetin e monumentit apo të artefakteve”, ka thënë ai. 

Vizitat virtuale u bënë trend global gjatë kohës së pandemisë. Institucionet kulturore, përfshirë muzetë, krijuan platforma në mënyrë që publiku të jetë edhe aty ku nuk mund të jetë. Edhe në rrethana të jashtëzakonshme. Kësisoj edhe muzetë, e ky trend u praktikua edhe në vend pak kohë më pas. 

“Është e vërtetë që vizitat virtuale u bënë trend global gjatë pandemisë, kur muzetë dhe institucionet kulturore u detyruan të mbylleshin plotësisht. Por ajo që kemi parë në vitet e fundit është se interesimi për këto përvoja nuk ka rënë, përkundrazi është shndërruar në një praktikë të qëndrueshme që institucione kulturore në gjithë botën vazhdojnë ta përdorin si mjet promovimi, edukimi dhe qasjeje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Xhabali. 

Në tetor të vitit 2022 u publikua vizita virtuale e kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Projekti u zbatua nga Alban Kasumi dhe u mbështet nga Ministria e Kulturës. Një shëtitje e tillë virtuale ishte mundësuar edhe në muzeun e qytetit të Mitrovicës në fillim të muajit prill të po të njëjtit vit, si promovim i vlerave dhe mundësi për të depërtuar ato më gjerë.

Xhabali ka thënë se kjo nismë e tyre ka ardhur duke parë se përdorimi i vizitave virtuale rritet pas lansimit dhe vazhdon të qëndrojë stabil.

“Bazuar në matjet e vizitave, më së shumti vizita virtuale në 3D ka pasur në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit, pasuar nga numri i vizitave virtuale në 3D në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ndërkohë, presim që me kalimin e kohës gradualisht të rritet edhe numri i vizitave në Muzeun e Kalasë Prizrenit, duke qenë se rishtazi është lansuar”, ka treguar ai duke thënë se vizitat virtuale nuk janë thjesht zëvendësim i përkohshëm për shkak të pandemisë, por komponent i qëndrueshëm i mënyrës së re se si promovohet trashëgimia kulturore. 

Ai i quan si “portë hyrëse drejt vizitave reale”. 

E vizita në muze, edhe ajo virtuale, konsiderohet edukative dhe e kuptueshme dhe se bëhet ende më e afërt me publikun duke qenë e qasshme edhe nëpërmjet mjeteve teknologjike. Këtë praktikë, organizata “EC…” ka qëllim që ta realizojë në të gjithë institucionet muzeore në vend. 

“Sa i përket zgjerimit të kësaj praktike, qëllimi afatgjatë i ‘EC Ma Ndryshe’ është që digjitalizimi 3D të realizohet në të gjitha muzetë e Kosovës, meqë besojmë se çdo muze, pavarësisht madhësisë, tematikës apo vendndodhjes, duhet të ketë mundësinë të prezantohet në mënyrë bashkëkohore dhe të jetë i qasshëm për publikun e gjerë, sidomos për ata që nuk mund të udhëtojnë fizikisht te monumenti”, ka bërë të ditur drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Valon Xhabali. 

Ka theksuar se ky projekt ka vlerë të shumëfishtë për promovimin e monumenteve dhe trashëgimisë kulturore. 

“…digjitalizimi i artefakteve, materialeve shpjeguese dhe hapësirës muzeale krijon një përvojë shumë të strukturuar dhe të qartë, e cila i ndihmon vizitorët të kuptojnë historinë edhe para se të vizitojnë muzeun fizik. Prandaj, kjo përvojë virtuale mund të shihet si një pasqyrë e plotë dhe komplementare e vizitës reale. Ajo nuk e zëvendëson përvojën fizike, sepse autenticiteti dhe atmosfera e monumentit mbeten unike, por e plotëson atë duke i dhënë vizitorit informacion, orientim dhe përgatitje më të mire”, ka thënë Xhabali midis tjerash. 

Vizitat virtuale po implementohen në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni” i cili fokusohet në ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të aseteve të trashëgimisë kulturore, duke mbështetur digjitalizimin, dokumentimin dhe krijimin e zgjidhjeve që ndihmojnë në mbrojtjen e monumenteve për brezat e ardhshëm. 

“Po ashtu synon rritjen e edukimit kulturor, duke përfshirë të rinjtë, shkollat dhe komunitetet lokale në aktivitete që forcojnë njohjen dhe vlerësimin e trashëgimisë. Në të njëjtë kohë angazhohet drejt zhvillimit kulturor dhe ekonomik përmes përdorimit të trashëgimisë si resurs për turizmin kulturor dhe hapjen e mundësive të reja për komunitetin. Edhe komponenti i inovacionit është thelbësor në këtë program, pasi integrimi i teknologjive të reja e bën trashëgiminë më të qasshme, më tërheqëse dhe në hap me trendet ndërkombëtare”, ka shpjeguar udhëheqësi i organizatës “EC…”, Valon Xhabali.