Kulturë

“Vizionet poetike të një të verbëri” në tjetërsim të errësirës

Arti i Joseph Jeremiah Langleyt midis errësirës së syve të tij e bën atë magjik, të mahnitshëm, të përtejmë. Art i një imagjinate krejt tjetër

Arti i Joseph Jeremiah Langleyt midis errësirës së syve të tij e bën atë magjik, të mahnitshëm, të përtejmë. Art i një imagjinate krejt tjetër

Ishte viti 1995 kur një ditë, krejt papritur, artisti vizual, këngëtari e poeti Joseph Jeremiah Langleyt do të humbte shikimin. Për një vit sytë i kishte në errësirë, por që arti i solli pak dritë. Atë e përkthente në ngjyra të ndezura në blloqet e tij të ekspozuara në ekspozitën e tij “Vizionet poetike të një të verbëri”. “Unë isha në errësirë për më shumë se një vit. Nuk mund të shihja. Njerëzit më thoshin se u verbova, sepse nuk po shihja atë që do të duhej të bëja”, ka thënë ai

Në “Hijet e bardha”, veprat e artistit Joseph Jeremiah Langley rrëfejnë botën e tij në errësirë. Krijuesi amerikano-francez sjell në ekspozitën tradicionale të galerisë “Qahili” verbërinë e tij dhe dritën nëpërmjet ngjyrave. Katër stinë i ka përjetuar i verbër, por i tillë s’është në vizionin e tij artistik. Dhjetëra vepra të ekspozuara janë dëshmi.

Në ngjarjen që organizohet përherë si dedikim e dhuratë për fundvit, titulli “Hijet e bardha” i përshtatet mbase si kurrë më parë konceptit të një ekspozite. Hije të bardha që nuk ekzistojnë e që nuk shihen. Por bëhen të mundura nëpërmjet artit. Njashtu sikur e kishte të pamundur të shihte artisti Langley, por shihte përtej.

E po ky art i tij midis errësirës së syve të tij e bën atë magjik, të mahnitshëm, të përtejmë. Art i një imagjinate krejt tjetër.  

Ishte viti 1995 kur një ditë, krejt papritur, artisti vizual, këngëtari e poeti do të humbte shikimin. Kishte kuptuar se kishte kancer në retinën e syve. Humbja e menjëhershme e shikimit ishte tronditëse. Për një vit, sytë i kishte në errësirë, por që arti i solli pak dritë. Atë e përkthente në ngjyra të ndezura në blloqet e tij të ekspozuara në ekspozitën e tij “Vizionet poetike të një të verbëri”.

“Në shkurt të vitit 1995 u zgjova një ditë nga gjumi. Syrin e djathtë e kisha të verbër. Shkova në spital dhe më thanë se me medikamente do të shërohet. Pas disa ditësh m’u verbua edhe syri tjetër. Në spital më thanë se nuk dinë çfarë të bëjnë. Nuk dija as unë çfarë të bëja. Kështu që vendosa t’i shkruaj nënës sime dhe t’i them nëse mund të më sigurojë një laps dhe një letër. Më tha që jam i verbër dhe unë i thashë që nuk jam, se mund të shoh. E mora letrën dhe shihja veç errësirë”, ka thënë ai duke shpjeguar se i ishte dashur rikujtimi se ishte artist. Se shihte përtej.

“Një infermiere më kujtoi se jam artist dhe kjo më goditi, se kur të më kthehet shikimi do të punoja vepra shumëngjyrëshe që më kujtojnë bukurinë e tyre”, ka thënë artisti.

Ka bërë të ditur se puna e tij qe zinxhirore. Bëri një poezi për çdo pikturë dhe çdo këngë për secilën pikturë. E me këtë synon të bëjë histori në librin e rekordeve “Guinness”

“Kështu që vendosa të ndaj fjalën time. Shkrova një libër me rreth njëqind poezi. Vendosa të bëja një pikturë për secilën poezi, kështu që tash kam njëqind piktura. Vendosa gjithashtu të bëj një këngë për secilën pikturë. Bëra njëqind e 50 këngë dhe tani kam katërqind klipe dhe kemi biseduar me rekordet ‘Guinness’ për të parë nëse unë jam njeriu me më së shumti videoklipe në botë”, është shprehur ai.

Në veprat e tij me forma të ndryshme, kryesisht abstrakte, ngjyra është kryefjala. Edhe ai vetë ka thënë se është dritë për të. Se do që të tjerët kur ta shohin ta vërejnë pjesën vibrante dhe ajo të vjen e para në konsideratë.

“Arti im vjen nga dëshira për të ndarë, për të parë, për të vënë në letër një moment të bukur, një moment me ngjyra. Unë isha në errësirë për më shumë se një vit. Nuk mund të shihja. Njerëzit më thoshin se u verbova, sepse nuk po shihja atë që do të duhej të bëja. Se supozohej të ndaja talentin tim duke kënduar, shkruar e vizatuar. Punoja në ‘L’Oreal’ në sektorin e marketingut. Dhe nuk isha i lumtur. Nuk ishte për mua”, ka thënë artisti Joseph Jeremiah Langley.

Ekspozita tradicionale “Hijet e bardha” i përshtatet mbase si kurrë më parë artit të Joseph Jeremiah Langleyt, që shpaloset nën titullin “Vizionet poetike të një të verbëri”  

Në atë që ngjan si dërrasë e zezë, kthen pas fëmijërinë. Aty janë punimet ku shfaqet naiviteti i tij që kthen fëmijërinë pas. Fëmijët aty i vë në lojë dhe u jep krahë e aureolë.

Njëra vepër shfaq siluetën e një maceje me ngjyrë të kaltër. Imazhi është i mjegulluar, sikurse ishte kur pa për të parën herë pas një viti, pikërisht macen e tij. E këtë moment e ka përjetësuar në një prej veprave të tij.

“Një ditë macja ishte në kuzhinë dhe dëgjova se u thye diçka. Unë e thirra atë dhe ajo supozohej të vinte tek unë. Dhe nuk erdhi, kështu që shkova në banjë, e hoqa mbështjellësin nga sytë. Shikova në pasqyrë dhe nuk shihja asgjë. E ktheva kokën, i zgurdullova sytë dhe pashë siluetën e maces sime duke qëndruar pikërisht kështu. Kjo ishte gjëja e parë që pashë para se të niste të më kthehej shikimi. E pikturoj shpesh këtë mace dhe secilën herë është ndryshe, por është gjithmonë në këtë pozicion. Pos në këtë pikturë ku është duke fjetur. Ishte bebja ime dhe tani ajo fle në qiell”, ka thënë artisti.

“Lulet e shenjta” janë prej punimeve kryesore të punuara gjatë periudhës kur mungonte shikimi i tij. Të formuara me idenë e luleve, ato janë gjysmake për nga mbushja e tyre me ngjyrë. Format janë të pastrukturura e kësisoj edhe ngjyrat që vendosen.

Bashkë me veprat e tij ka zgjedhur të ekspozojë edhe punime nga koleksioni i tij i veprave. Aty ka vepra prej formave abstrakte që mbajnë vulat e artistëve si Mirsad, veprat në miniaturë të Ealy Mays,  fotografitë e Claude Coupat,  ato të Roger Djiguemde që ngjajnë në frymë ekspresionizmi e punë të tjera tejet unike e të lezetshme si lloj suveniresh në dimensione të vogla.

Ekspozitën “Vizionet poetike të një të verbëri” e ka kuruar Nita Qahili. Ka thënë se artisti Joseph Jeremiah Langley ka qenë përherë në kërkim të mënyrës sesi ta prezantojë këtë periudhë të jetës së tij.

“Pas një kohe të shërimit, të intervenimit, normalisht se ka vazhduar krijimtarinë e tij. Edhe gjatë asaj periudhe ka qenë përherë në kërkim të asaj sesi do ta prezantojë veten dhe se si do të krijojë, qoftë në aspektin e arteve pamore ose në aspektin e artit të muzikës. Në mënyrë të vazhdueshme ka krijuar dhe ka punuar”, ka thënë Qahili.

Ka treguar edhe për momentet prekëse të kësaj periudhe të jetës së artistit, e që ai tash i shijon dhe i përjeton nëpërmjet pikturës.

“Njëri prej elementeve që mbaj në mend që më ka treguar ka qenë që gjatë periudhës që ka qenë i verbër e ka harruar fytyrën e nënës. Për të ka qenë e dhimbshme dhe e rëndë, sepse ajo ka qenë njëri prej personave më të dashur për të. Në momentin që ka hapur sytë ka parë macen si reflektim i maces kur ka qenë fëmijë. Gjëja tjetër që e ka krijuar ka qenë portreti i nënës, të cilin e mban në studio, që të mos ia harrojë kurrë më fytyrën, por t’ia mbaj në  mend vijat dhe çdo detaj tjetër”, ka treguar Qahili.

Ekspozita vjetore “Hijet e bardha” me këto vepra qëndron e hapur deri më 15 janar. Çdo vit ajo bashkon artistët me publikun artdashës.