Kulturë

Violeta Rexhepagiqi – ylli i një gjenerate

Foto: Alban Bujari / KOHA

Një ditë e qeshur me diell në sheshin “Nënë Tereza” me pemët që kanë nisur të vishen me blerimin pranveror. Megjithatë, ka diçka të pazakontë edhe përtej heshtjes dhe boshatisjes thuajse për të parën herë në historinë e kryeqytetit.

Shiritat e verdhë, të vënë nga Policia e Kosovës për të kufizuar lëvizjet e njerëzve, ishin si “memento” për kohën e pazakonshme: pandeminë e virusit. Nga tre zmadhues zëri të vendosur skaj ndërtesës së Ministrisë së Kulturës jehonin këngë. Një repertor i përzgjedhur me 39 këngë ishte mënyra se si institucionet shtetërore të Kosovës kishin vendosur t’i jepnin lamtumirën e fundit Violeta Rexhepagiqit, e cila vdiq mëngjesin e së enjtes, në moshën 55-vjeçare.

Ndërsa banorë të ndërtesave afër kishin dalë në ballkone paraditen e së premtes, ministrja në detyrë e Kulturës, Vjosa Dumoshi, zëvendësministri, Yll Rugova dhe zyrtarë të tjerë bënë homazhe para një fotografie të artistes së ndjerë. Buqeta lulesh të bardha e përkulje para portretit ishin homazhet pa fjalimet e zakonshme.

Simbol që s’njihte tabu

Ministrja Dumoshi ka thënë se këto homazhe ishin mënyra simbolike për të nderuar këngëtaren në rrethanat e pandemisë. Ndërsa ka ngushëlluar familjen Rexhepagiqi, ajo ka vlerësuar se Violeta “mbetet përjetësisht një emër në artin dhe kulturën e Kosovës dhe më gjerë”. “Bashkë me grupin ‘Vivien’, ajo ishte një ikonë e muzikës në vitet ’80. Në atë kohë të pakohë, Violeta ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me mënyrën e saj”, ka thënë Dumoshi për KOHËN.

Ajo ka theksuar se Rexhepagiqi me interpretimet e saj kishte përçuar edhe mesazhe për femrat, duke thyer tabutë.

“Violeta në Prishtinë nuk njihej si femër e zakonshme. Ishte e pazakonshme. Me zërin e dukjen e saj, Violeta dha mesazh për femrat se duhet t’i thyejnë tabutë gjithandej”, ka shtuar ministrja në detyrë, Vlora Dumoshi. Zëvendësministri në detyrë, Yll Rugova, e ka quajtur fatkeqësi të dyfishtë ndarjen nga jeta të Rexhepagiqit.

“Përveç si ndarje fizike nga jeta, fatkeqësi është edhe fakti se ne po i kujtojmë artistët dhe krijuesit vetëm pasi kanë ndërruar jetë”, ka thënë Rugova. Sipas tij, Violeta krijoi në një kohë kur Prishtina dhe Kosova pati një hov urban. “Në këtë kohë lulëzonin mendimet e lira e të guximshme dhe liria kreative. Violeta ishte prej shembujve tipikë të mendimit kreativ”. Për Rugovën, Violeta dhe brezi i saj vendosën themelet e shoqërisë së sotme dhe mënyrës si vepron e mendon. “Ne jemi në njëfarë mënyrë të njohur si shoqëri kreative. Kjo shihet edhe në arenën ndërkombëtare ku tregojmë suksese me yje si Dua Lipa, Rita Ora e të tjera. Besoj se të gjitha këto e kanë gjenezën nga kjo periudhë”, ka shtuar ai.

Zëvendësministri në detyrë ka thënë se nga e hëna e ka dëgjuar tërë kohën këngën “Nora”, me të cilën e ndjera kishte konkurruar në përzgjedhjen jugosllave për këngën që do të përfaqësonte Jugosllavinë në “Eurovision”.

“Është interesante që edhe në atë kohë kemi pasur dikë nga Prishtina që kishte atë stil e mënyrë të kënduarit”. “Viki, ikona e rebelizmit”

Kishin ndërmend t’i incizonin këngët “Vasha kosovare” dhe “Të dua”, dy krijimet e para me të cilët do të sprovohej bendi i krijuar më 1984. Teksa anëtarët e “Vivienit” prisnin në pauzë në studion e “Radio Prishtinës”, Armend Rexhepagiqi ia kishte nisur të këndonte me piano.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.