Jeta Loshaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka thënë se deklarata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se ndali luftën në Kosovë, mund të jenë pjesë e agjendës së tij, pasi i njëjti para se të vinte në pushtet thoshte se do t’i ndalë të gjitha luftërat.
Ajo në "Interaktiv" të KTV-së ka thënë se duhet parë se ku qëndron pozita e Serbisë karshi Kosovës.
Loshaj ka shtuar se Serbia paraqet rrezik ndaj Kosovës në vazhdimësi.
“Skenari i Banjskës ka qenë pjesë e një operacioni special përmes së cilit ata kanë shpresuar që të përshkallëzohet situata në Kosovë. Nëse kërcënimi ka ekzistuar tash së fundmi, ndoshta ka pasur tendencë nga institucionet të mos përhapin gjuhë të frikës te njerëzit”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se çështja e katër shteteve mosnjohëse në NATO, e penalizon Kosovën shumë.
Sipas saj, edhe nëse Kosova nuk mund të anëtarësohet, mund t’i përforcojë marrëdhëniet me NATO-n.
“Trump pati provuar që përmes çështjeve ekonomike të arrinte marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Politika e jashtme e SHBA-së është që të ketë Evropë të lirë dhe të plotë dhe se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të sillte më shumë stabilitet. Pengesë e madhe është çështja e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë në të cilën ndërhyn edhe Rusia”, ka thënë ai.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, sërish ka deklaruar se e ka ndalur luftën mes Kosovës dhe Serbisë.
Këtë deklaratë e ka bërë gjatë një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Ai duke renditur disa vende për të cilat thotë se ka ndikuar që të mos ketë luftë mes tyre, ndër to kanë qenë edhe Kosova dhe Serbia.
Ndërkaq emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, e ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani, se i ka manipuluar fjalët e presidentit Trump.