Kulturë

“Amadeus” me muzikantë të rinj lartëson emrin e Kosovës në Vjenë

Orkestra e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” në prestigjiozen “Golden Hall” të “Musikverein” në Vjenë ka interpretuar fillimisht “Palladio” nga Karl Jenkins, pastaj kohën e parë dhe të fundit të “Simfonisë së 45-të” të Haydnit

Orkestra e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” në prestigjiozen “Golden Hall” të “Musikverein” në Vjenë ka interpretuar fillimisht “Palladio” nga Karl Jenkins, pastaj kohën e parë dhe të fundit të “Simfonisë së 45-të” të Haydnit (Foto: Arben Llapashtica)

Talenti e përkushtimi i instrumentistëve të rinj sikurse edhe kultura e vendit, me orkestrën e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” nën dirigjimin e Vehbi Shosholli, tashmë njihen edhe botërisht. Konfirmimi vjen edhe nga Vjena, në edicionin e 11-të të Festivalit Botëror të Orkestrave ku kjo orkestër ka marrë Medaljen e argjendtë. Ka qenë interpretimi i “Malësores” së Lorenc Antonit pika vendimtare e këtij suksesi. “Si çdo muzikant tjetër, e kam ëndërr të vizitoj salla të tilla, e lëre më të koncertoj këtu, është përmbushje, arritje, kënaqësi dhe mburrje, me veten dhe nxënësit e mi”, ka thënë Shosholli

Orkestra e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” ka shkëlqyer në njërën prej qendrave botërore të muzikës klasike. Në Vjenë, në Festivalin Botëror të Orkestrave është renditur e dyta duke marrë Medaljen e argjendtë. Nën udhëheqjen e dirigjentit Vehbi Shosholli, janë shpërblyer talenti e përkushtimi i instrumentistëve të rinj sikurse edhe kultura e vendit. 

Një nga tri veprat e luajtura në programin garues, e ka shpërfaqur traditën shqiptare jo veç me anë të melodive, por edhe me veshje. Orkestra në prestigjiozen “Golden Hall” të “Musikverein” në Vjenë ka interpretuar fillimisht “Palladio” nga Karl Jenkins, pastaj kohën e parë dhe të fundit të “Simfonisë së 45-të” të Haydnit. Më pas, anëtarët e Orkestrës kanë dalë nga skena, kur janë kthyer, veshja ka qenë krejt tjetër. Në skenë të muzikës klasike janë shfaqur me veshje tradicionale shqiptare. 

“Janë veshur me veshje tona tradicionale nga rajone të ndryshme dhe janë kthyer prapë në skenë për të interpretuar ‘Malsoren’ e Lorenc Antonit. Kështu e kemi bërë një lloj gërshetimi të klasikes me tradicionalen tonë”, ka bërë të ditur dirigjenti i orkestrës “Amadeus”. 

Sipas dirigjentit Vehbi Shosholli, performanca e “Amadeus” ka prekur zemrat e publikut dhe të jurisë ndërkombëtare.

“Sallat kanë qenë plot, kemi pasur prindër të instrumentistëve që kanë ardhur të përcjellin, por ka pasur edhe publik nga vendet e ndryshme e sidomos nga Vjena. Ky qytet ka kulturë për të dëgjuar muzikë dhe sallat gjigande kanë qenë të mbushura me publik. Pas çdo vepre ka pasur ovacione duartrokitjesh, sidomos pas ‘Malësores’”, është shprehur ai në një përgjigje për KOHËN nga kryeqyteti austriak, ku triumfuan të dielën mbrëma.  

Kjo performancë ka gërshetuar me muzikë klasike edhe identitetin kulturor. Sipas Shoshollit, qe pikërisht “Malësorja” e Lorenc Antonit që u vlerësua nga juria ndërkombëtare. 

Për suksesin e orkestrës “Amadeus” ka shkruar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. 

“Në mesin e dhjetëra orkestrave nga mbarë bota, interpretimi i tyre i veprës ‘Malësorja’ të Lorenc Antonit, i shoqëruar me kostume tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare, është vlerësuar nga një juri ndërkombëtare prestigjioze në një konkurrencë të ngushtë dhe me nivel të lartë artistik”, ka shkruar ai, duke e konsideruar çmimin si dëshmi të përkushtimit dhe nivelit që arrin rinia muzikore e vendit. 

“Republika e Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë thellësisht krenarë dhe të përkushtuar në mbështetjen e talenteve të reja që, me pasion dhe disiplinë, po e çojnë emrin e Kosovës gjithnjë më lart. Kur fëmijët tanë marrin skenën, nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, mjafton të dëgjosh duartrokitjet”, shkruhet më tej në njoftimin e Kurtit në rrjete sociale. 

Dirigjenti Vehbi Shosholli duke pranuar trofeun e Festivalit Botëror të Orkestrave në Vjenë (Foto: Arben Llapashtica)

Festivali Botëror i Orkestrave është mbajtur nga 10 deri më 13 korrik. Përgjatë kësaj kohe, orkestra nga Prishtina ka dhënë koncerte edhe në salla të njohura të Vjenës si në “Wiener Konzerthaus”, “House of Strauss” dhe në “KulturGarage”

Koncerti i parë është mbajtur në ‘Wiener Konzerthaus’ dhe ka kulmuar me atë në ‘Golden Hall’ me dhjetë orkestra të tjera”, ka thënë dirigjenti Shosholli.

Për të, mundësia për të interpretuar në këto institucione prestigjioze është emocion i veçantë. 

“Prej dhjetorit kur e kemi ditur që do të vijmë këtu ka qenë një emocion i papërshkrueshëm me fjalë.

Si çdo muzikant tjetër, e kam ëndërr t’i vizitoj salla të tilla, e lëre më të koncertoj këtu, është përmbushje, arritje, kënaqësi dhe mburrje, me veten dhe nxënësit e mi. Koncertet kanë qenë shumë të rëndësishme. Sallat ku kemi interpretuar e ndryshonin krejtësisht tingullin e Orkestrës. Dëgjoheshin detajet, finesat e instrumentistëve në përpikëri”, është shprehur Shosholli. 

Në koncerte të tjera, repertori i “Amadeus” ka përfshirë “Love theme from Romeo and Juliet” nga Nino Rota, “March in D major, K.215” të Mozartit, “Waltz jazz suite, no.2” nga Shostakovich dhe “And the waltz go on” nga Anthony Hopkins. 

Festivali Botëror i Orkestrave organizohet çdo vit në Vjenë, në verë, i mbështetur nga autoritetet qeveritare federale austriake dhe ato të kryeqytetit. 

Që nga edicioni i parë i Festivalit Botëror të Orkestrave në Vjenë në vitin 2013, orkestra nga më shumë se 40 vende si Armenia, Austria, Australia, Belgjika, Kanadaja, Kina, Kolumbia, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Gjermania, Greqia, India dhe shumë të tjera, kanë marrë pjesë në festival. 

“Prej dhjetorit kur e kemi ditur që do të vijmë këtu ka qenë një emocion i papërshkrueshëm me fjalë”, ka thënë dirigjenti Vehbi Shosholli (në mes)

Siç bëhet e ditur nga vetë ngjarja, ajo “mirëpret orkestra simfonike, orkestra të muzikës së dhomës, orkestra të muzikës popullore, bende muzikore, ansamble perkusioni, grupe jazzi, ansamble të llojeve të ndryshme për t'u bashkuar në aktivitetet e pasura të festivalit”. 

“Edhe pse konkurrenca nuk është qëllimi përfundimtar i Festivalit Botëror të Orkestrave, për të inkurajuar zhvillimin e mëtejshëm të orkestrave dhe anëtarëve të tyre, festivali ofron një shans të hapur dhe të drejtë për orkestrat, me vullnetin e tyre të lirë, për t'u paraqitur në një mënyrë konkurruese. Juria përbëhet nga muzikantë dhe edukatorë muzikorë me famë botërore”, shkruhet aty më tej.


© KOHA Ditore