Prishtinë, 10 dhjetor – Gjashtë karrige të vendosura në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, të hënën prisnin që aktorët Albulena Kryeziu - Bokshi, Anisa Ismajli, Edona Reshitaj, Rebeka Qena, Shengyl Ismaili dhe Ylber Bardhi të zinin vend në to. Detyra e tyre ishte jo fort e lehtë: të përcillnin zërin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Nën regji të Besim Ugzmajlit, sollën copëza të rrëfimeve që janë bashkuar në librin “Unë jam Anemone”, publikuar nga “Medica Gjakova” me bashkautore Salie Gajtani-Osmankaq, e cila për më shumë se një dekadë ka punuar si gazetare në “Kohën Ditore”.
Kjo ka qenë mënyra e përurimit të këtij libri në Prishtinë, pas atij në Gjakovë më 14 nëntor. Libri përmban rrëfimet e 24 grave dhe 1 burri të dhunuar nga ushtarët, policët, paramilitarët serbë dhe bashkëpunëtorët e tyre gjatë luftës.
Gruaja, rrëfimin e së cilës e solli aktorja Edona Reshitaj, kishte qenë duke shkuar të shtëpinë e burrit së bashku me babanë e saj. Rrugën ua kishin ndërprerë pesë serbë të maskuar e të armatosur. Ia kishin rrahuar babanë. Atë e kishin dhunuar.
“Aq shumë kam piskatë, se mendova që baba ka jep shpirt. Thashë, e mbytën. Po tani ka ardhur njëri prej tyre dhe ma ka ngjit për flokë duke m’i ngreh aq shumë, sa m’u ka dukur se m’i shkuli me gjithë lëkurë prej kokës... Kur kam dalë jashtë, nuk kam ditë ku jam. Nuk mund të shihja nga po eci, prej dhembjeve të barkut dhe plagëve që m’i kishin hapur më thikë në duar dhe këmbë”, është citati i gruas, historinë e së cilës e shpalosi Reshitaj. Në libër, rrëfimi i saj është i njëmbëdhjeti. Tmerri vazhdon, ashtu sikurse edhe në krejt rrëfimet e librit.
Aktori Ylber Bardhi solli rrëfimin e vetëm të burrit që zë vend në libër.
“Më kanë dhunuar derisa e kom hup vetëdijen. Prej frikës e sikletit, goja m’u kish terë. Kom mendu që ishte më mirë me m’vra! Ajo që mbaj mend ishin fjalët e tyre që thoshin tregoj nënës tënde se sa të fortë jemi, do t’ua bëjmë njësoj të gjitha nënave, grave e motrave tuaja”, ka shqiptuar Bardhi fjalët e atij që e përjetoi dhunën.
Pas leximit nga aktorët u mbajt edhe një diskutim.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)