Prishtinë, 31 janar – Se ditën e mërkurë nuk duhen larë rrobat, është një besëtytni që edhe sot haset në Gjakovë. Zanafillën e ka te historia e gjashtë çikave të Haxhi Bejtës.
Besohet se një ditë të mërkure, gati 400 vjet më parë, ishin duke larë petka kur ushtarët austro-hungarezë hynë në shtëpinë e tyre. Me ujë të nxehtë besohet të kenë luftuar kundër tyre. Janë disa nga informatat që artistja Arbërore Sylaj dhe hulumtuesja Donjetë Murati kanë mbledhur përmes intervistave të realizuara me familjen Bejtullahu, e cila është kujdesur për “Tyrben e çikave”, siç njihet monumenti që besohet se daton që nga viti 1689, e ku janë varret e motrave, por edhe përmes hulumtimeve të shkrimeve për këtë monument kulturor. Në listën e objekteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore është shënuar si “Tyrbja e shtatë çikave” dhe mbrohet si monument i shekullit XVIII.
Njerëz të ndryshëm vizitojnë çdo ditë këtë tyrbe, realizojnë rituale të ndryshme me besimin që do t’u ndihmojnë të zgjidhin problemet e hallet që kanë. Për tyrben, artisja Sylaj kishte filluar që ta hulumtonte vitin e kaluar. Ka thënë se ishte e fokusuar që të tregonte diçka për mitologjinë dhe demonologjinë shqiptare, mirëpo, kur kishte hasur në këtë tregim, kishte kuptuar se video-performanca që do të realizonte në kuadër të platformës “Heritage Space” do të fokusohej te “Tyrbja e çikave”, që gjendet në rrugën “Permet Vula”, në qendër të Gjakovës. Videoja u dha premierë pikërisht të mërkurën, në hapësirën e fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”. Për shkak të numrit të madh të të interesuarve u lëshua dy herë.
Lidhjen e miteve, ritualeve e historinë e “Tyrbes së çikave” Sylaj e shpërfaq brenda 9 minutave. Pa narracione e dialogë. Shfaqen pamje të tyrbes e gjashtë motrat që portretizohen nga Alketa Sylaj, Vesa Qena, Jeta Veseli, Laura Bilalli, Tringa Sefedini dhe Arbërore Sylaj. Ushtari austro-hungarez portretizohet nga Tristan Halilaj.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)