Showbiz

Vdiq aktori australian Julian McMahon

mcmahon

Aktori australian Julian McMahon, i njohur për rolet e tij në seriale të famshme si “Nip/Tuck” dhe “Charmed”, ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare.

Bashkëshortja e tij, Kelly Paniagua, ka bërë të ditur se aktori vdiq të mërkurën në Clearwater, Florida. Ai ishte diagnostikuar me kancer.

“Julian e donte jetën. E donte familjen, miqtë, punën e tij dhe fansat. Dëshira e tij më e madhe ishte të sillte gëzim në sa më shumë jetë që të ishte e mundur”, ka thënë Paniagua në një deklaratë të publikuar në portalin “Deadline”.

Karriera e McMahonit nisi të marrë hov me serialin televiziv fantastiko-shkencor “Charmed”, por ai u bë më i njohur me rolin e kirurgut plastik "Dr. Christian Troy" në serialin dramatik “Nip/Tuck”, raporton BBC.

Ky serial u transmetua për gjashtë sezone, nga viti 2003 deri në 2010, dhe i solli atij një nominim për çmimin Golden Globe.

Kolegu i tij në serial, Dylan Walsh, u shpreh për Deadline se  ishte “i tronditur”, kur ia kumtuan lajmin. 

“Ne e bëmë këtë udhëtim bashkë dhe unë e doja shumë”.

“Jules! E di që do të doje të thosha diçka që do të të bënte të buzëqeshje. Kishim të gjitha ato shaka mes nesh. Të gjitha ato vite që më qëndrove pranë, dhe sa shumë kemi qeshur. Zemra ime është me ty. U prehsh në paqe”.

McMahon luajti gjithashtu rolin e "Doctor Doomit" në dy filmat “Fantastic Four” në vitet 2005 dhe 2007. Më pas, ai u shfaq për tre sezone në serialin “FBI: Most Wanted”. Producenti i këtij seriali, Dick Wolf, tha se lajmi për vdekjen e tij ishte “shokues”.

McMahon ishte djali i një ish-kryeministri australian dhe më vonë luajti rolin e një kryeministri australian në serialin e Netflixit, “The Residence”-  një nga paraqitjet e tij të fundit në ekran.

Ai ishte martuar tri herë – martesa e tij e parë ishte me këngëtaren dhe aktoren australiane Dannii Minogue.