Zjarrfikësit po përballen me një zjarr të madh në ishullin grek Evia, i cili është duke djegur zona pyjore dhe ka detyruar evakuimin e banorëve nga dy fshatra, sipas autoriteteve dhe shërbimit zjarrfikës.
Më shumë se 160 zjarrfikës, 46 automjete dhe pesë avionë janë angazhuar në jug të Evias, në lindje të Athinës, për të shuar zjarrin që shpërtheu të premten në mbrëmje. Një zyrtar i zjarrfikësve tha për Reuters se operacioni është në vazhdim.
Evia ishte një nga disa rajone të Greqisë që ishin në gjendje alarmi për shkak të rrezikut të lartë nga zjarret, të nxitura nga erërat e fuqishme që priteshin të shtunën. Autoritetet urdhëruan evakuimin e fshatit Tsakeoi dhe vendbanimit sezonal bregdetar Limnionas në orët e para të mëngjesit.
Jugu i Evias është një zonë me pak banorë, e karakterizuar nga male, toka bujqësore dhe destinacione të njohura bregdetare.
Ky zjarr është i fundit në një seri zjarresh që janë përhapur gjatë kësaj jave në Greqi, të nxitura nga erërat e forta dhe thatësia, teksa një valë nxehti e parakohshme ka përfshirë pjesë të mëdha të Evropës. Deri më tani është raportuar për tetë viktima nga i nxehti në kontinent.
Ndërkohë, një tjetër zjarr në ishullin jugor të Kretës, i cili ka shkatërruar pyje dhe ullishte që nga e mërkura dhe ka detyruar mijëra banorë e turistë të largohen përkohësisht, është vënë në kontroll në masë të madhe, sipas zyrtarëve të zjarrfikësve.
Turizmi është një burim kryesor të ardhurash për Greqinë dhe zjarret po ndodhin në fillim të sezonit kulmor të pushimeve verore.
Greqia dhe vendet e tjera mesdhetare ndodhen në një zonë që shkencëtarët e kanë quajtur “pikë e nxehtë për zjarre”, ku zjarret janë të zakonshme gjatë verës së thatë dhe të nxehtë. Megjithatë, këto zjarre po bëhen gjithnjë e më shkatërruese për shkak të ndryshimeve të shpejta klimatike, duke shtuar thirrjet për një qasje të re në menaxhimin e emergjencave natyrore.