Kulturë

Trupi i gruas është instrumentalizuar nga miti i nënës deri te hip-hopi

Prishtinë, 31 tetor – Të gjitha sistemet politike e kulturore, sipas sociologes dhe poetes Sibel Halimi, shpërfaqen nëpërmjet trupit. Prandaj, siç ka thënë ajo, një shoqëri tani nuk e njeh më përmes mendjes, por përmes perspektivës së trupit. Por një këndvështrim i tillë, sipas saj, po tregon se vajzat dhe gratë shihen si objekte seksuale në rap-muzikë e madje edhe në letërsi e në fusha të tjera, duke përfshirë edhe arsimin.

“Ta njohësh trupin: Ndërmjet mitit të nënës dhe hip-hop kulturës”, ka qenë tema që ka shtjelluar Halimi në “TruAktiv Talks”, të martën mbrëma në hapësirat e fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”. Ka thënë se trupi i grave dhe i vajzave është objektivizuar aq shumë, saqë ato nuk e ndiejnë më vetveten.

“Trupi jonë është metaforë e të gjitha këtyre sistemeve strukturore që janë paraqitur në shoqëri. Natyrisht ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për të përcaktuar fillimisht pyetjen kryesore të analizimit të trupit, për të cilin jam duke punuar edhe në temën time të doktoratës, pasi që çdo tentim për të krijuar një kapitull ka qenë një studim në vete”, ka thënë ajo.

Sipas saj, një qasje jokorrekte që ka vërejtur në shoqëri është se i tërë konstrukti social dhe sistemi patriarkal e përdorin trupin për qëllime të veta, duke mos e vënë asnjëherë në fokus trupin e gruas.

“Kur fillova të analizoj sesi paraqiten gratë në aforizma, në fjalët popullore kam arritur me e pa atë perfiditetin e shoqërisë sonë karshi përdorimit të trupit të gruas nëpërmjet mitizmit të disa koncepteve, siç është ai i nënës edhe i lindshmërisë”, ka thënë ajo. Dhe, sipas saj, këtu ka lindur interesimi i saj për të kuptuar se pse shoqëria është aq e interesuar për të instrumentalizuar trupin e gruas duke e mitizuar në idenë e mitit të nënës.

Halimi ka thënë se është interesante të bëhen analizat e thella të rap-muzikës, ku do të vërehen edhe elemente të tjera përpos trajtimit të vajzave dhe grave si objekte seksuale.

Halimi ka folur edhe për imazhin që paraqesin disa të vetëquajtura yje. Për dallim, sipas saj, rock muzika ka pasur një qasje dhe një qëllim tjetër. “Edhe në periudhën e revolucionit seksual trupi ka qenë simbolika kryesore, ku gratë çlirohen nga ideja e kontrollit, disiplinimit, nga ajo biopolitika që e kontrollon dhe e përcakton trupin e saj si objekt madje e ka në fokus edhe lejimin e aborteve e çështje të tjera”, ka thënë Halimi.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)