Shfaqja franceze “On the heart of the rose” ka sjellë në hapje të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë një histori dashurie që sfidohet prej mbetjes nën hije të gruas, por që në fund triumfon. Një lojë elegante e dyshes Aphrodite de Lorraine dhe Emmanuel Lemire kthen kohën prapa te historia reale e Antoine de Saint-Exupér, shkrimtari gazetari e aviatori francez, i njohur për veprën e tij “Le Petit Prince” dhe gruaja e tij Consuelo de Saint-Exupéry. Mesazhi i saj përqendrohet te pesha e gruas, e ato të fjalimeve të hapjes së Festivalit – ku ka marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti – te pesha e teatrit dhe e artit përtej politikës
Drama “On the heart of the rose” bazuar në tekst të dramaturgut Eduardo Manet me rrënjë kubane dhe Aphrodite de Lorraine me prejardhje nga Kosova, sjell historinë e dy të dashuruarve në një kohë të largët. Aty janë peizazhet e dy ekstremeve midis lirisë dhe kufizimeve të aristokracisë. Nën regji të Patrick Alluin, shfaqja çon gati njëqind vjet prapa dhe prek luftën dhe të tjera sfida nëpër të cilat dashuria synon të lulëzojë. Dhe triumfon. Ky rrëfim e ka hapur edicionin e nëntë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë.
Festivali që mban edhe emrin e regjisores së ndjerë, Burbuqe Berisha, ka nisur të hënën mbrëma programin e tij në teatrin “Faruk Begolli”. Sivjet janë në program gjashtë shfaqje që vijnë nga shtete të ndryshme dhe do të shfaqen çdo mbrëmje, deri më 24 maj.
Në ceremoninë e hapjes, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është ndalur tek ajo që vjen nga Bosnjë-Hercegovina. Ka thënë se festivali është “vendtakim ku shpirtrat komunikojnë përtej fjalëve” dhe se “përmes skenës hapin rrugët që shpesh politika i mbyll”.
“I falënderoj për pjesëmarrjen e tyre dhe për guximin e angazhimin për të ndërtuar ura aty ku historia e politika kanë lënë fjalë. Republika e Kosovës e sheh të ardhmen e saj të lidhur paqe të qëndrueshme, me fqinjësi të mirë dhe me bashkëpunim të ndërsjellë. Me Bosnjë-Hercegovinën na ndajnë kufijtë, por na bashkojnë përvojat, sfidat dhe sidomos nevoja për t’u njohur më mirë përmes artit dhe kulturës. Ne besojmë se kultura është rruga më e sigurt për respektin e ndërsjellë. Atë që institucionet politike nganjëherë e vonojnë, arti mund ta paraprijë”, ka thënë Kurti në skenë.

Themeluesi i festivalit, aktori Ilir Tafa, në ceremoninë e hapjes ka shfrytëzuar rastin të shpallë aktorin Enver Petrovci si mysafir nderi i Festivalit.
“Kur vini në moshën time e në rrethana të mia, ju kujtohet fëmijëria. Për gjëra që ke menduar që ke harruar, të kujtohen. Derisa foli Ilir Tafa, ish-student i imi, m’u kujtua takimi i parë, në oborrin e teatrit ‘Dodona’. Nuk mësonte shumë, por ja ku është sot. Kemi mbetur shokë gjatë studimeve, e edhe tash. Të falënderoj për ftesën që ma bërë, më çove prej të vdekurve dhe ja ku jemi”, ka thënë Petrovci para se ta shpallë të hapur festivalin.
Në ceremoninë e hapjes ka qenë edhe ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv. Në sallën e teatrit “Faruk Begolli” ka pasur prej atyre pjesëmarrësve të huaj që kanë dalë jashtë sallës pasi janë përshëndetur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Nuk kanë turp ta ftojnë atë”, ka thënë njëra prej tyre para se ta lëshojë sallën.
Me të përfunduar ceremonia e hapjes, menjëherë skena është pushtuar nga aktorët Emmanuel Lemire dhe Aphrodite de Lorraine për lojën e tyre në shfaqjen “On the heart of the rose”.
Është gushti i vitit 1929 që zbulohet nga data e letrës që Antoine i shkruan nga Buenos Airesi nënës së tij në Francë. Sapo takon Consuelon, të fejuarën e tij, zbulohet edhe ana e dashurisë së tyre. Shfaqja ka përplot skena që e zbërthejnë atë. E kurorëzojnë dashurinë e tyre me martesë, por shpejt nisin konfliktet. Janë të tipit nëse ajo, që vjen nga El Salvadori, një vend ku gratë janë tejet të emancipuara, duhet të punojnë apo jo. Ajo ka punuar si modele e gazetare në shtetin e saj. Si 16-vjeçare është larguar nga shtëpia për të studiuar jashtë vendit ndërkohë që tani i duhet të përballet në rrethanat e një shoqërie aristokrate.
Aktorja Aphrodite de Lorraine ka thënë se pjesa qendrore e shfaqjes ka qenë të vihet në dritë gruaja që gjithmonë ka qenë nën hije.
“Edhe pse ka qenë një artiste shumë e talentuar sepse ka qenë piktore e skulptore, krejt kjo pjesë e saj ka qenë e fshehur sepse burri e ka marrë krejt vendin e saj. Drama është shumë e rëndësishme për vënien në dritë të gruas, artit të saj. Është e vitit 1929 dhe ajo ishte shumë e lirë në atë kohë. Si grua ka qenë shumë më e lirë sesa në vendet e Evropës në këtë kohë. Ka shkuar 16 vjet ka studiuar në Amerikë dhe pastaj ka shkuar në Francë”, ka thënë Aphrodite de Lorraine, emri skenik i aktores Afërdita Morina me prejardhje nga Peja.

Antoine është shkrimtar i famshëm. Në radio transmetohen sukseset e tij e çmimet që merr si gazetar. Edhe intervistohet. Më pas shpërthen lufta dhe atij i duhet të jetë në shërbim ushtarak. Pas mërzisë së gjatë e lutjeve, ata sërish bashkohen. Në fund, Antoine heq dorë nga gjithçka vetëm për dashurinë e jetës së tij.
Në fakt Antoine është Antoine de Saint-Exupér, shkrimtari gazetari e aviatori francez, i njohur për veprën e tij “Le Petit Prince”, ngjyrat e së cilës i ka edhe shfaqja. Consuelo është gruaja e Antoine, Consuelo de Saint-Exupéry.
Aktori Emmanuel Lemire që e luan rolin, ka thënë se bazuar në përmbajtjen e shfaqjes, nuk ka qenë e lehtë të luhet roli i tij.
“Nuk është e lehtë pasi ai është një njeri i madh dhe harron reputacionin e tij. Unë thjesht harroj atë dhe mundohem të jem i sinqertë, të jem ai, të kem mendimet e tij. Që nga fillimi ishte ideja e personazhit si një princ i vogël. Jam një princ i vjetër më pas. Është e mrekullueshme të luash një rol të një njeriu që është sa i famshëm, por shumë modest në të njëjtën kohë”, ka thënë ai.
Ngjarjet në vazhdim të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Prishtinë përfshijnë edhe shfaqjen “Petrichora– The story of bridge of Arta” nën regji të Harry Thomas. Produksioni grek është shfaqur të martën mbrëma. Shfaqja “God bless America”, produksion i Teatrit të Gjilanit nën regji të Fatos Berishës, do të shfaqet të mërkurën. Të enjten, më 23 maj do të jepet shfaqja boshnjake “Purple” nën regji të Selma Spahiq, ndërsa një ditë më pas edhe shfaqja “Family on a train” nga Izraeli, nën regji të Sharon Stark. Programi artistik mbyllet me shfaqjen mysafire “The Lie”, produksion i “Art Image” dhe teatrit “Faruk Begolli”, nën regji të Agon Myftarit. Si zakonisht, festivali mbyllet me ndarjen e çmimeve, të shtunën mbrëma.
Juria kryesore përbëhet nga aktori Enver Petrovci, regjisorja Amra Mehiq dhe koreografi Gjergj Prevazi.
Në edicionin e kaluar, shfaqja “Muhammad Ali, one and only” me autor Almir Imshireviq, nën regji të Dino Mustafiq, pati fituar çmimin kryesor, atë për shfaqjen më të mirë, në edicionin e tetë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Prishtinë.