“Kultura shqiptare dhe etnologjia urbane” ka qenë tema e Sesionit të Etnologjisë në ditën e katërt të “Javës së Albanologjisë”, të enjten, në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Se si ndërtohen e praktikohen zakonet në qytetet e Kosovës, si dhe sa ruhet tradita, kanë qenë disa prej çështjeve të trajtuara përderisa nëpërmjet shembullit konkret – si Hamami i Madh i Prishtinës – është konstatuar se trashëgimia kulturore nuk mund të revitalizohet a të ridestinohet duke përjashtuar njerëzit që jetojnë pranë monumentit dhe kanë kujtime për të
Nëse qytetet ndryshojnë tok me zakonet dhe ndikimi i përditshmërisë
Në fjalën hyrëse shefja e Degës së Etnologjisë në Institut, Angjelina Hamza-Hasanaj, ka spikatur përgjegjësinë e etnologëve për t’i vëzhguar dhe interpretuar ndryshimet që shkaktohen nga ndikimi i globalizmit dhe nga faktorë të tjerë.
“Në Kosovë qytetet janë bërë hapësira të rëndësishme ku gjejnë gërshetim e kaluara dhe e tashmja, ndikimet vendore dhe ato globale. Si etnologë dhe antropologë kemi detyrë të vëzhgojmë dhe të interpretojmë këto ndryshime – nga ritualet e përditshme, te mënyrat e jetesës dhe ndërtimi i identiteteve kulturore”, ka thënë ajo para se të nisë prezantimi i kumtesave.
Seancën e parë e kanë drejtuar Lumnije Kadriu dhe Nexhat Çoçaj, të cilët kanë prezantuar kumtuesit dhe i pari që e ka lexuar kumtesën e tij me titull “Legalizimi, shembja, shpronësimi. Një qasje antropologjike mbi shtëpinë dhe shtetin” ka qenë Nebi Bardhoshi, i cili ka folur për ndryshimet që ka pësuar lagjja “5 Maji” në Tiranë, e cila ishte krijuar me banorë të ardhur, që janë përzënë nga ai vend prej shtetit, për t’i shembur objektet ku ata banonin. Ai ka theksuar se “ky dëbim paraqet idenë e primitives që të ardhurit nga fshati e kanë shkatërruar qytetin”.
Të dytët me radhë, Florina Jerliu, Arsim Canolli dhe Kaltrina Thaçi, kanë kumtuar punimin e tyre – për të cilin më shumë kanë punuar studentët e arkitekturës – kanë veçuar rëndësinë e njohjes së kontekstit social dhe kujtesën në kontekstin e menaxhimit të trashëgimisë kulturore. Ata kanë prezantuar temën “Hamami i Madh i Prishtinës: Kujtesa sociale, identiteti dhe sfidat e menaxhimit të trashëgimisë urbane”.
“Ende jemi duke punuar, por disa prej hipotezave që mund të bëhen teza janë se nëse e kemi një hulumtim interdisiplinar me qasje etnografike që nuk i përjashton njerëzit që jetojnë pranë, atëherë është shumë më e afërt me gjetjen e zgjidhjeve kryesore për t’ia arritur të funksionalizohet dhe të ridestinohet ky monument, sepse konteksti kryesor nëpër qendra urbane është rivitalizimi apo ridestinimi”, ka thënë Canolli.
Hamami i Madh i Prishtinës, monument i shekullit XV tash e më shumë se 15 vjet ka mbetur i betonuar e i tjetërsuar nga restaurimi shkatërrues me një milion euro. Autoritetet komunale dhe qendrore disa herë janë zotuar për ridestinimin e tij.
Por Canolli ka thënë se është e rëndësishme që profesoreshat e kanë ngjallur një qasje antropologjike në studimet arkitekturore me angazhimin e tyre, në mënyrë që të njihet konteksti social në rrugën drejt ruajtjes dhe rivitalizimit.
“Sepse ekziston një farë sterilizimi semantik edhe nga arkitektura, edhe nga ligji, është ky diskursi autoritar mbi trashëgiminë ku pothuajse humbasin zërat e njerëzve që jetojnë, komunitetit dhe të atyre që e kanë mbajtur në mend se si ka funksionuar Hamami dhe çfarë peshe ka pasur në jetën e tyre”, ka thënë ai.
Pas kësaj teme kanë prezantuar edhe Rini Useini me temën “Studimi i Tiensenit mbi jetën e Shkupit në tranzicionin e viteve ‘90”, Valon Shkodra me temën “Trashëgimia kulturore dhe turizmi në Prishtinë: Sfidat dhe mundësitë”, Angjelina Hamza-Hasanaj me temën “Performanca e traditës në hapësira urbane përmes ritualeve të dasmës” dhe Krenar Doli me temën “Poezia dhe muzika në krijimtarinë e Isuf Myzyrit dhe ndikimi i saj në muzikën tradicionale shqiptare”.
Shefja e Degës së Etnologjisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Angjelina Hamza-Hasanaj, ka treguar rëndësinë e temës së këtij edicioni, duke synuar të vënë në pah ndikimin e kulturave të huaja dhe globalizmit në çështjet urbanistike.
“Tema e këtij edicioni është mjaft aktuale, e cila diskuton rreth ndikimeve të globalizimit në aspektin urban në vendin tonë. Herëve të tjera kemi marrë në trajtim kryesisht ritualet e ndryshme që zhvillohen në vend në aspektin etnologjik dhe antropologjik e tash veçantia është se gërsheton etnologë, arkitektë, antropologë, domethënë kolegë të fushave të ndryshme, të cilët po sjellin qasje të ndryshme për etnologjinë, sepse ajo është një fushë apo disiplinë gjithëpërfshirëse dhe ka qenë më se e nevojshme që të organizohet kjo konferencë për vetë faktin që të shohim se si është gjendja e vendit, çështjet urbanistike nën ndikimin e kulturave të huaja dhe vetë globalizimit”, ka thënë për KOHËN Hamza-Hasanaj.
Në seancën e dytë kanë prezantuar Nexhat Çoçaj, Lumnije Kadriu, Bekim Vishaj, Jonida Sela, Afet Jashari, Rozela Dhimgjini, Arlinda Veliu-Sadiku dhe Gureta Breznica. Kolegët e tyre kanë pasur mundësi t’i ndjekin kumtesat e të gjithëve, duke qenë se sivjet “Java e Albanologjisë” shënohet për pesë ditë, secila ditë kushtuar njërës nga degët e Institutit.
“Fillimisht ‘Java e Albanologjisë’ në vitet e mëhershme ka qenë me pesë ditë, pastaj është reduktuar në tri, mirëpo së fundmi kemi marrë vendim që të rikthehet në pesë, për arsye që të kemi mundësi që të gjithë kolegët t’i ndjekim sesionet e gjithsecilit, të shkëmbejmë ide. Kjo po rezulton më mirë, që secila degë ta ketë ditën e vet, jo si herët e tjera të mbajmë seanca paralele”, ka thënë Hamza-Hasanaj.
Me gjithë zgjerimin e “Javës...”, të premten do të mbahen sërish seanca paralele. Dita përmbyllëse do të përfshijë katër seanca për Sesionin e Gjuhësisë, temë bosht e të cilit do të jetë “Për një leksikografi bashkëkohore”, ku mes të tjerëve do të prezantojnë edhe Emil Lafe dhe Xhevat Lloshi.
Për pesë ditë kjo konferencë shkencore në Prishtinë po vazhdon të jetë nikoqire e rezultateve të reja në pesë disiplina albanologjike. Studiues nga vendi e rajoni po prezantojnë mbi 100 kumtesa të shpërndara në temat bosht që zbërthejnë identitetin fetar te shqiptarët, këngën si praktikë sociale e kulturore, kritikën letrare shqipe, etnologjinë urbane e leksikografinë bashkëkohore.