Kulturë

Trashëgimia botërore pasurohet edhe me kështjellat e mbretit Ludwig

Kështjella Neuschweinstein

Kështjellat përrallore të mbretit të Bavarisë Ludwig II janë shpallur nga Komisioni i UNESCO-s si trashëgimi kulturore botërore. Krahas Neuschweinstein kategorizohen edhe tri kështjella përderisa lista është pasuruar me gjithsej 25 monumente nga vende të tjera, 21 prej të cilave janë trashëgimi kulturore, 4 prej si trashëgimi natyrore dhe një prej tyre përfshihet në të dyja kategoritë. Në sesionin e 47-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në Paris, i cili përfundon më 16 korrik, temë diskutimi ka qenë edhe Ohri. Maqedonisë së Veriut i është dhënë edhe një shans për të

Në sesionin e Komisionit të Trashëgimisë së Kulturës Botërore të UNESCO-s në Paris u pranuan në listën e objekteve të mbrojtura të kulturës botërore kështjellat përrallore të mbretit të Bavarisë Ludwig II si dhe shtëpia mbretërore në Berg, raporton “Deutsche Welle”.  Këto kështjella në mjedise idilike natyrore që prej më se 140 vjetësh janë si një magnet për turistët. Vetëm vitin e kaluar janë joshur të vizitojnë këto vepra mjeshtërore rreth 1,7 milion vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit.

Tri kështjellat e famshme të Ludwigut II u ndërtuan gjatë mbretërimit të tij dhe kushtuan shuma marramendëse parash. 

Ludwig II është konsideruar në gjithë botën si gjermani më i njohur, megjithëse ai ka qenë bavarez: Mbreti Ludwigu II ka lindur më 25 gusht 1845 në kështjellën Nymphenburg afër Münichut dhe ka vdekur më 13 qershor 1886 në liqenin Starnberger. Ludwigu II ka sunduar nga 1864 deri në vdekjen e tij si mbreti i Bavarisë. Ai nuk ka qenë mbret “konvencional”, të cilit nuk i interesonte shumë politika, lufta dhe administrata. Ai angazhohej për artin, ndërtimin e kështjellave shumë pompoze, mbështeste Richard Wagnerin dhe muzikën e tij.

Ndërtimi i Kështjellës nisi në vitin 1869. Fillimisht ishte menduar si rezidencë private për mbretin, por nuk u përfundua në të gjallë të tij. Kjo kala piktoreske, e cila është në pronësi të shtetit federal të Bavarisë, është gjithashtu e famshme për dizajnin e saj të brendshëm luksoz.

Që nga Katedralja e Aachenit deri te kompleksi industrial i minierës së thëngjillit Zollverein, Gjermania ka më shumë se 50 lokalitete të përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore që nga vitet ‘70, kur UNESCO miratoi Konventën për Trashëgiminë Botërore. Nxitësi kryesor në atë kohë ishte humbja e artefakteve kulturore gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Komiteti i Trashëgimisë Botërore, i përbërë nga përfaqësues të zgjedhur nga 21 shtetet anëtare të Konventës për Trashëgiminë Botërore, në sesionin që do të zgjasë deri me 16 korrik, përveç kështjellave të mbretit Ludwig e ka pasuruar Listën e trashëgimisë kulturore botërore edhe 25 monumente të tjera, 21 prej të cilave kanë rëndësi kulturore për njerëzimin, 4 prej të cilave kanë vlerë natyrore dhe një prej tyre ka vlerë si kulturore, ashtu edhe natyrore. 

Në listën që u jap statusin e trashëgimisë botërore, Franca ka futur magelitet e Carnacut dhe brigjet e Morbihanit, e Greqia, strukturat pallateve e Minoas në Kretë. Nga India trashëgim botërore tash e tutje do të jenë edhe një ansambël fortesash të lashta në shtetet Maharashtra dhe Tamil Nadu e që përfaqësojnë fuqinë ushtarake të Perandorisë Maratha, e cila kontrolloi pjesë të mëdha të nënkontinentit indian nga shekulli XVII deri në shekullin XIX.

Emiratet e Bashkuara Arabe ka futur në listë peizazhin paleolitik Faya si një shembull të jashtëzakonshëm të një peizazhi shkretinor të epokës së gurit e  Koreja e Jugut petroglifet e lumit Daegokcheon – gravura shkëmbore prehistorike misterioze. Rusia tash ka trashëgimi botërore edhe pikturat shkëmbore në shpellën Shulgan-Tash në Uralet jugore, që janë mbi 20 mijë vjet të vjetra. Kina ka varret Perandorake të Xias, një shembull i trashëgimisë kulturore nga civilizimi Tangut dhe një nga nekropolet më të mëdha në botë. 

Komiteti i Trashëgimisë Botërore ka diskutuar gjithashtu kërcënimet në rritje ndaj vendeve ekzistuese të trashëgimisë, siç janë konfliktet e armatosura në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, fatkeqësitë natyrore, ndotja e mjedisit, gjuetia e paligjshme apo turizmi i pakontrolluar. 

Ndër të tjera, UNESCO-ja i ka dhënë Maqedonisë së Veriut edhe një shans për Ohrin. Komiteti ka miratuar një amendament të propozuar nga përfaqësuesit maqedonas, me të cilin u kërkua shtyrja e futjes së rajonit të Ohrit në Listën e vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik.

Me këtë, autoritetet maqedonase morën kushte të reja –  që deri më 1 shkurt të vitit 2026 të dorëzojnë një raport për masat e ndërmarra për mbrojtje. Amendamenti u dorëzua nga delegacioni maqedonas, i cili kërkoi të tërhiqej Projektvendimi që propozon qartazi regjistrimin e rajonit si të rrezikuar. Komiteti diskutoi për herë të tretë për statusin e Ohrit, në rrethana kur 39 organizata të shoqërisë civile nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kërkuan që ai të regjistrohet në Listën e vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik, me arsyetimin se kjo do t’i hapte rrugë një procesi të rehabilitimit, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të UNESCO-s. Pas votimit, përfaqësuesit e tyre thanë se janë “të neveritur nga vendimi”, por se do të vazhdojnë të luftojnë për mbrojtjen e rajonit të Ohrit, ka raportuar “Radio Evropa e Lirë”.