Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Thirrja me muzikë kundër lajmeve të rreme dhe gjuhës së urrejtjes

Koha në karantinë po del të jetë mjaft kreative për kantautorin Shpat Deda. Qysh në fillim, kur Qeveria e Kosovës mori masat e para për parandalimin e përhapjes së virusit COVID19, ai doli me një këngë në rrjetet sociale. “Më ka marrë malli me të përqaf” ishte një pjesë e këngës që brenda vetes fshihte edhe këshilla se si të mbrohemi nga virusi, të tilla si “ngjite maskën kur më fol”.

E pasi që ka bërë më shumë se 30 ditë në shtëpinë e tij, të enjten pasdite, Deda u është bashkuar agjencive të OKBsë në Kosovë dhe Ministrisë së Kulturës në thirrjen e tyre kundër lajmeve të rreme dhe gjuhës së urrejtjes. Me të dalë me kitarën akustike para kamerës, Shpat Deda ka thënë se koncerti i tij njëkohësisht bart edhe mesazhin që njerëzit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Arseja përse jemi mbledhur virtualisht është që të luftojmë gjuhën e urrejtjes, lajmet e rrejshme, sidomos në raport me virusin COVID-19, për shkak se koha është që të kemi kujdes dhe jo të krijojmë panik. Ky është një aktivitet i organizuar nga ekipi i agjencive të OKB-së në Kosovë dhe nga Ministria e Kulturës”, ka thënë ai dhe më pas ka sjellë disa nga hitet e tij, si “E du” e “Molla e parë”, shkruan KOHA.

Repertori i tij përfshinte edhe këngë të tjera të njohura shqipe si “E dehun jam” nga Nexhmije Pagarusha dhe hitet “Lamtumirë”, e “A thua” nga Muharrem Qena. Nga oborri i shtëpisë së tij, Deda solli edhe këngën e tij të parë “Ëndërroj”.

“Kjo është kënga e parë me të cilën ia ka filluar kjo ëndrra ime e që ka qëlluar shumë e bukur, që ma ka pasuruar jetën edhe më shumë. Gjithçka nisi nga kjo këngë”, ka thënë ai për të vazhduar me hitet “Më fal” e “Përgjithmonë”.

ka thënë se gjatë kësaj pandemie Kosova ka humbur disa artistë. Kujtoi se disa orë para koncertit ka marrë lajmin për vdekjen e këngëtares e gazetares Violeta Rexhepagiqi. Ky lajm, Deda ka thënë se e ka mërzitur dhe për ta nderuar artisten që bëri revolucion në vitet ‘80 në Kosovë ka kënduar këngën e saj “Nuk të harroj”, shoqëruar nga Fatos Dërguti, bas-kitaristi i grupit të njohur “The Bloody Foreigners” që vepron në Londër.

“Ka lënë gjurmë të pashlyeshme e ka thyer disa barriera e disa kufij me punën e në mënyrën se si e ka paraqitur artin e vet dhe ka hapur rrugë edhe për artistët tjerë. Njëkohësisht ka qenë edhe gazetare shumë e zonja”, ka thënë ai për Rexhepagiqin, e cila vdiq të enjten në moshën 55-vjeçare.

Gjatë koncertit virtual, Deda solli edhe këngë në gjuhën angleze përfshirë hitin “Back to Black” të kantautores angleze Amy Winehouse. E pas koncertit, ministrja në detyrë Kulturës, Vlora Dumoshi, përmes një mesazhi të postuar në lidhje me këtë ngjarje, ka ftuar njerëzit që ta lajmërojnë gjuhën e urrejtjes në mediat sociale dhe ta mënjanojnë atë nga diskursi publik.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.